Një person është arrestuar dhe 2 të tjerë janë vënë nën hetim si të akuzuar për zjarrvënien në disa zona të vendit. Bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha tokë në Kavajë, Lazarat dhe në Lushnjë.
Njëri prej tyre u arrestua në flagrancë, pasi zjarri që ai ndezi rrezikoi banesat, ndërsa 2 të tjerët u proceduan në gjendje të lirë.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë 65 vjeçarin, banues në fshatin Lekaj, Rrogozhinë, pasi ka ndezur zjarr për djegien e kashtës, në tokën e tij, në fshatin Lekaj, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rrezikuar banesa dhe prona të banorëve të tjerë të fshatit. Pas ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse, është bërë e mundur fikja e zjarrit.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 58 vjeçarin, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për djegien e mbetjeve të grurit, në vendin e quajtur “Sifoni”, në fshatin Lazarat, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me mbetje gruri (rreth 5 dynym).
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 43 vjeçren, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se në lagjen "18 tetori", zjarri që 43-vjeçarja kishte ndezur për djegien e mbeturinave, ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi, në pronësi të një shtetasi tjetër.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.