Anija Open Arms ka mbërritur në Gaza me 200 ton ndihma për civilët palestinezë. Në një video të publikuar nga forcat izraelite, një oficer i marinës dëgjohet teksa thotë ju keni leje të hyni, por nënvizon se ka kërcënime dhe ju jeni përgjegjës për sigurinë tuaj.
Kjo është ndihma e parë që mbërrin nga deti për civilët e Gazës, si një korridor i ri pas vështirësive për të dërguar ushqime nga ajri dhe nga toka. “Kjo dërgesë përfshin paleta me mallra të konservuara dhe produkte me shumicë, duke përfshirë fasulet, karotat, tonin e konservuar, qiqrat, misrin e konservuar, orizin e parfumuar, miellin, vajin dhe kripën,” thotë World Central Kitchen që po ashtu po përgatit një varkë të dytë prej 240 ton ushqim për të nisur nga Qiproja. Ndërkohë Egjipti njofton se nesër pasdite rifillojnë negociatat indirekte për një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve mund të rifillojnë në Doha të Katarit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cilësoi kërkesat e fundit të Hamasit si "të pabaza", megjithatë vendosi të dërgojë një delegacion izraelit në Doha. Objektivi i ndërmjetësuesve - SHBA, Egjipti dhe Katari, është të arrijnë një armëpushim 6-javor. Hamasi ka propozuar një marrëveshje me tre faza, secila zgjat 42 ditë. Për çdo ushtare femër të liruar të gjallë, Hamasi kërkon lirimin e 50 të burgosurve palestinezë, duke përfshirë 30 të dënuar me burgim të përjetshëm.
Për më tepër, Hamasi po kërkon një tërheqje të forcave izraelite nga dy arterie të rëndësishme që përshkojnë gjatësinë e Rripit të Gazës: al-Rashid (rruga bregdetare) dhe Sallah a-Din, e cila kalon në brendësi. Kjo tërheqje duhet të lehtësojë transitin e ndihmave humanitare për popullatën.
Për më tepër, në fillim të fazës së dytë, duhet të hyjë në fuqi një armëpushim i përhershëm, i cili do të pasohet nga lirimi i pengjeve izraelitë të konsideruar nga Hamasi si të moshës ushtarake.
Ndërkohë pavarësisht thirrjeve nga aleati i saj SHBA, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka miratuar "planet" e ushtrisë për një ofensivë në Rafah, në jug të largët të Rripit të Gazës. Zyra e tij e raportoi atë. Ka rreth një milion e gjysmë palestinezë të zhvendosur në qytet.