TIRANË- SHBA është e qartë, do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për reformën në drejtësi. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u theksua edhe njëherë nga vizita në Tiranë e Ndihmës Sekretarit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson.
Zyrtari i lartë amerikan zhvilloi një takim në SPAK me Altin Dumanin, ku ambasada e SHBA zbardhi edhe diskutimet dhe mesazhet e Robinson, i cili ka nënvizuar rëndësinë e një drejtësie të pavarur dhe fundin e pandëshkueshmërisë.
“Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit, transparencën dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë pasi ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, shkruan ambasada.
Veç takimit me Dumanin, një pritje është zhvilluar për Robinson, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga politika, si ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e Klotilda Bushka, apo deputetet e opozitës, Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi. Në pritjen e ambasadës ishin krerë të sistemit të drejtësisë në vend si drejtues të KLP e KLGJ, SPAK dhe GJKKO, Gjykatës së Lartë, Shkollës së Magjistraturës e institucioneve të tjera.
Në fjalën e tij, Robinson tha se SHBA do jetë krah Shqipërisë në këtë rrugëtim që ka nisur për reformën në drejtësi, ndërsa inkurajoi përfaqësuesit e drejtësisë të mos dorëzohen përballë këtij rrugëtimi të vështirë.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Unë që të gjithë të dini, se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e vështirë dhe e gjatë. Dhe unë do t’iu nxisja, e para të dini se po sillni ndryshim, e dyta të mos dorëzoheni, të vazhdoni.
Ne do të mbështetmi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju. Dhe unë mund t’iu premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj qeveria e SHBA do jetë partneri juaj dhe do ecë krah jush, në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë”, tha Robinson.
Robinson pritet që të zhvillojë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama. Ai do të vizitojë më pas Kosovën në datat 20-22 mars, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani.
Pas takimit me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, në vizitën dy ditore në Tiranë, Ndihmës Sekretari i SHBA Todd Robinson u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.
Ambasada amerikane në Tiranë njofton se në këtë takim u nënvizua bashkëpunimi i fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Sipas ambasadës u diskutua rëndësia kritike e forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimin e reformës në drejtësi.
"Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe avancimin e reformës në drejtësi", shkruan ambasada.
Për takimin ka reaguar edhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cila ka qenë e pranishme.
“Takim i shkëlqyer me ndihmëssekretarin e Shtetit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), Todd D. Robinson. Mirënjohje për partneritetin, bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe suksesin e reformës në drejtësi”, u shpreh Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
“Thellimi i bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve mbetet një nga prioritetet tona”, theksoi Spiropali.
Gjatë vizitës së tij Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson u takua dhe me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Në një postim në facebook Manja shkruan se shprehu falenderimin për mbështetjen që SHBA ka thënë për reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit.
“Mes miqve diskutohen hapur problemet, por dhe mbështetja për t’i zgjidhur ato në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë” shkruan Manja.
Foto: Taulant Balla priti sot Todd D. Robinson
Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti sot Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Gjatë takimit, Balla informoi se prioritet mbetet goditja e grupeve kriminale dhe se në bashkëpunim me SPAK e prokuroritë u çmontuan grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash.
Gjithashtu falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, INL, ICITAP dhe DEA.
“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Balla konfirmoi se do të vijohen përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, me kontributin e institucioneve të drejtësisë, organeve ligjzbatuese dhe shoqërisë civile.
TIRANË- Çfarë ndodh brenda ambienteve të SPAK është vështirë të shihet nga syri i publikut, veçse lajmeve të bujshme për goditjen e krimit të organizuar e zyrtarëve të lartë.
Nëse nuk je nën hetim, i thirrur për të dëshmuar, apo pjesë e drejtësisë është e vështirë të dish se çfarë ndodh brenda kësaj godine dhe të rralla janë pamjet që ‘rrjedhin’ nga brenda zyrave ndonëse para saj qëndrojnë me dhjetëra kamera gazetarësh.
SPAK është institucioni i drejtësisë me vëmendjen më të madhe, por fotot brenda zyrave tregojnë edhe punën e madhe që kanë mbi supe ‘prokurorët e momentit’.
Ka qenë ambasada e SHBA-së që ka ndarë disa foto gjatë vizitës së ndihmës sekretarit amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson. Në foto shihen edhe dosjet stivë në zyrat e SPAK, teksa kryeprokurori Altin Dumani ia tregon zyrtarit të lartë amerikan.
Ambasada shkruan se Robinson riafirmoi mbështetjen e SHBA për reformën në drejtësi.
“Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, u takua sot me shefin e SPAK-ut, Altin Dumani, për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për të mbështetur udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE përmes sundimit më të fortë të ligjit dhe rritjes së transparencës gjyqësore”, shkruan ambasada.
Ndihmës Sekretari amerikan Todd Robinson në vizitën dyditore në Tiranë zhvilloi një takim krerët e institucioneve ligjzbatuese në vend ku garantoi mbështetjen për reformën në drejtësi, që e cilësoi të guximshme.
Ambasada amerikane ka zbardhur fokusin e bisedimeve Ndihmës Sekretarit amerikan Todd Robinson gjatë takimit me kreun e SPAK, Altin Dumanin, prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Ambasada shkruan se zyrtari i lartë amerikan ka shprehur mbështetjen për drejtësinë dhe vendosi fokusin tek fundi i pandëshkueshmërisë.
“Në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe drejtues shqiptarë nga agjencitë shqiptare të drejtësisë, Ndihmës Sekretari Todd Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit, transparencën dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë pasi ajo lufton krimin dhe korrupsionin”, shkruan ambasada.
In a reception with Albanian judges, prosecutors, investigators, and leaders from Albanian justice agencies, Assistant Secretary Todd Robinson thanked our Albanian partners for their courage and commitment to rule of law, transparency, and ending impunity. He underscored the… pic.twitter.com/G8DvvVsKmw
— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) March 19, 2024