Problemet në dashuri do marrin zgjidhje, parashikimi javor i horoskopit nga astrologu Jorgo Pulla

Sipas astrologut Jorgo Pulla është një javë shumë e rëndësishme me ndikime të forta planetare në fushën e karrierës dhe punës. Gjithashtu problemet në fushën sentimentale marrin zgjidhje pikërisht në këtë javë. Është një javë e mbarë, më datë 11 shtator Hëna lëviz në shenjën e Luanit dhe takon Afërditën, duke na dhënë një ndikim planetar favorit në fushën e dashurisë dhe romancës. Gjithashtu shumë mundësi jepen në arritjet e qëllimeve në fushën e karrierës. Zgjidhen çështje të pazgjidhura më parë, është një moment shumë pozitiv. Ditën e martë duhet të bëni pak kujdes dhe vëmendje në situata që mund t'ju mërzisin. Mesi i javës do të jetë më i fokusuar në çështjet ekonomike financiare. Hëna e re më datë 15 shtator na jep mundësira e favorizime. Nga fundi i javës, më datë 17 shtator Afërdita në shenjën e Luanit na rikujton problemet e së shkuarës që të i mos bëjmë më.

Astrologu Jorgo Pulla më tej u ndal në parashikimin e detajuar për 12 shenjat e zodiakut për javën 11-17 shtator 2023.

Dashi

Shenja e stabilizimit ekonomik. Për ju të shenjës së Dashit është koha, momenti i duhur për të zgjidhur gjthçka ju doni, pasi gjithçka është në dorën tuaj. Është një javë e rëndësishme në stabilizimin ekonomiko - financiar. Gjëra të mëdha do të keni tani e tutje, është momenti i duhur për të zgjidhur disa çështje të lëna pezull si dhe për vendim marrje të reja. Në fushën ekonomike ndikim më favorit do të ketë 10-të ditëshi i dytë dhe i tretë. Është një periudhë mjaft e mirë dhe e qetë dhe në punën tuaj, ku duket se çdo gjë do të ecë mbarë. Një lajm shumë të mirë pritet ta merrni nga mesjava, një lajm që lidhet me punën tuaj aktuale. Është një javë me ndikim favorit në lidhje me disa çështje që kanë të bëjnë me dashurinë, ju jepet mundësia e mbylljeve të konflikteve dhe stabilizimit shpirtëror.

Demi

Shenja e rëndësisë së stabilizimit të dokumentacioneve dhe e rritjes së të ardhurave. Përpos këtyre dy pikave tepër të rëndësishme, ju të shenjës se Demit keni dhe një shanc tjetër, stabilizimi dhe harmonia familjare. Për ata që janë në kërkim të një shtatzanie, kjo është periudha më e mirë. Keni pasur disa pengesa apo probleme në anën ekonomike financiare, mirëpo tani ka ardhur momenti i duhur për të stabilizuar ekonominë tuaj. Çdo gjë bëjeni me plan, me laps dhe letër dhe vetëm në këtë mënyrë do arrini 'në finish' me sukses. Është një periudhë mjaft pozitive me një ndikim të mirë planetar për të tre 10-të ditëshat. Java është pozitive në përgjithësi, vetëm ditën e martë pak kujdes, anashkaloni debatet në punë, blerje apo marrje vendimesh të rëndësishme. Në fushën shpirtërore keni mundësinë e zgjidhjes së çdo situate të padëshiruar, kjo falë maturisë tuaj. Ju jepet mundësia e zgjidhjes së çdo problemi që mund të keni!

Binjakët

Kanë mundësinë Binjakët që të zgjidhin gjërat siç duan ata. Është një periudhë kjo shumë e mirë si në lidhje me punën ashtu dhe me anën ekonomike financiare. Duket se kjo periudhë do të jetë shumë fitim prurëse për ju si dhe të fitoni terren në karrierë. Një padrejtësi ligjore e bërë vite më parë, tani do dalë 'në dritë', do të rifitoni një çështje të humbur. Ka ardhur momenti për të parë me një tjetër sy gjëra të 'papara' më parë. Do të keni një mundësi ju të shenjës së Binjakëve, do t'ju duhet të merrni përsipër rolin drejtues. Por kujdes, mos merrni përsipër të rregulloni gabimet e të tjerëve. Kujdes në firmosje dokumentash apo kontratash! Binjakët kanë aftësi të mëdha organizative dhe janë të aftë për të qenë në role drejtuese. Mundësitë janë të mëdha për ju në fushën e karrierës dhe në stabilizimin ekonomik. Në çështjet shpirtërore ditë shumë e mirë dhe pozitive, duke qenë se Hëna kalon në Virgjëreshë, është dita e Mërkurë, ku do përqëndroheni më shumë në aspektin personal dhe familjar.

Gaforrja

Shenja e ndryshimeve të mëdha në punë dhe i një lajmi pozitiv familjar. Mund të jetë një llotari e fituar, një punësim i ri apo diçka që nuk e prisnit se mund të realizohej. Kjo periudhë do të jetë shumë pozitive, e mbarë dhe ndaj duhet të shfrytëzoni çdo mundësi që ju jepet pa humbur asnjë rast t'ju ikë nga duart. Edhe pse keni patur disa debate dhe pak probleme në lidhje me punën, përsëri keni gjetur entuziasmin për të ecur përpara pa u dorëzuar. Çdo ndryshim që mund të keni nuk është për t'u mërzitur, pasi është thjesht kalimtar, lërini gjërat të rrjedhin pa u stresuar. Kjo javë do të jetë pozitive pikërisht në reflektim duke bërë që çdo gjë ta kaloni me optimizëm dhe pozitivitet. Në çështjet shpirtërore mund të keni romanca në ambjentin e punës, ndërsa për të lidhurit familja do të mbetet prioriteti kryesor.

Luani

Shenja e mikpritjes, e mirësisë dhe ndryshimit. Për Luanët do të jepet mundësia për të ndryshuar pozicion pune, mund të kenë lëvizje dhe ngritje në detyrë, madje në poste organizative dhe drejtuese. Pikërisht kjo javë është java më e mirë për shenjën e Luanit, sepse vendosja planetare dhe Hëna që shkon në shenjën tuaj do t'ju ofrojë shumë mundësi, gjithashtu Afërdita do të ndikojë pozitivisht në aspektin emocional dhe në çështjet shpirtërore. Keni dhënë shumë nga vetja gjithë këto kohë dhe tani do të merrni të gjitha frytet e mundit tuaj. Ndikim shumë pozitiv kanë dhe ata që janë në diasporë në çështjet e dokumentacionit. E gjithë java do të jetë shumë e mirë, nis mbarë dhe ashtu përfundon... ekonomi e stabilizuar dhe fat në dashuri. Për të palidhurit një njohje e re mund të rezultojë tepër interesante.

Virgjëresha

Shenja e fitoreve të mëdha dhe stabilizimit ekonomik. Mundësi të mëdha ju jepen në punë dhe në karrierë, aty ku keni vendosur piketat dhe synimet tuaja, aty do të arrini. Duan apo nuk duan të tjerët, ju e keni këtë mundësi. Është momenti më i mirë për të stabilizuar gjithçka ashtu siç ju dëshironi. Jeni me shumë fat përgjatë gjithë kësaj periudhe, si dhe vendosja planetare ju favorizon shumë. Në fushën ekonomike financiare do të keni mundësi për të përfituar dhe për të rritur të ardhurat tuaja. Në fushën e punës dhe karrierës si gjithnjë do të shkëlqeni si dhe në dashuri vetëm lajme të mira prisni. Me kalimin e Hënës në shenjën tuaj në mesjavë, mundësitë do të jenë të mëdha në çdo fushë, në zhvillime të reja, në ndryshime, udhëtime, etj. Me Hënën e re në shenjën tuaj një njohje e re mund të kthehet në lidhje serioze.

Peshorja

Shenja e drejtësisë, e dashurisë, e mirësisë dhe e vendimeve të mëdha. Gjatë kohëve të fundit Peshorja ka patur shumë gjëra mbi supe dhe ka ditur t'i përballojë shumë mirë. Kjo javë do të jetë e qetë dhe mjaft pozitive përsa i përket punës, ndërsa disa çështje ekonomike financiare do të zgjidhen në favorin tuaj. Çdo gjë që dëshironi të arrini në fushën e punës realizohet, keni mundësinë për të bërë disa takime të rëndësishme. Fillim java është më e mirë në këtë drejtim duke parë dhe ndikimin planetar në shenjën tuaj. Vërtetë keni mundësinë që të arrini majat! Edhe pse mund të keni pasur disa debate të vogla në punë, ka ardhur momenti, është koha më e përshtatshme për të sqaruar gjithçka. Duket se gjërat janë favorite në stabilizimin e punës tuaj dhe në stabilizimin ekonomik. Disa çështje që më parë dukeshin të pamundura të merrnin zgjidhje, tashmë do të jenë më të lehta për t'u zgjidhur. Është një periudhë ku do të çliroheni nga energjitë negative. Gjithashtu në fushën shpirtërore keni mundësinë për të stabilizuar çdo keqkuptim apo pakënaqësi.

Akrepi

Shenja e mundësive dhe ndikimeve të mëdha. Puna, karriera, drejtësia, ekonomia janë në drejtimin e duhur. Ndërsa çështjet shpirtërore deri diku... pasi jeni marrë më shumë me punën dhe karrierën, me punët e të tjerëve dhe keni lënë veten tuaj si dhe partnerin pas dore. Ka ardhur momenti, pikërisht përgjatë kësaj jave t'i përkushtoheni më shumë marrëdhënieve ndërpersonale, stabilizimi i anës tuaj shpirtërore është shumë i rëndësishëm. Kujdes nga grindjet, mos dëgjoni të tretët dhe mos lejoni që ato të ndërhyjnë në jetën tuaj! Ndërsa sa i takon punës, karrierës dhe ekonomisë nuk ka vend për t'u shqetësuar, keni mundësinë për të arritur çdo synim që vendosni.

Shigjetari

Shenja e xhentilesës, e pafajësisë dhe aventurës. As s'ka, as s'mbrohet për Shigjetarët. Është një javë dhe një muaj ku përfitimi ekonomik do të jetë shumë i mirë. Shfytëzoni çdo rast e mundësi që ju jepet, pasi jeni në një periudhë tepër favorizuese dhe pozitive. Është një javë shumë e mirë për të stabilizuar disa çështje pune, me korrektësinë dhe përgjegjësinë tuaj keni mundësi për të marrë përsipër punë dhe angazhime më të mëdha. Përgatituni, pasi mund të ndryshoni dhe vend pune. Është momenti juaj, është koha juaj për të bërë gjëra të mëdha. Është koha e duhur për marrje vendimesh të rëndësishme! Për ata që janë në diasporë, janë në pritje të një udhëtimi, apo të një lajmi, përgjigje, me shumë mundësi do t'a marrin përgjatë kësaj periudhe. Në anën shpirtërore, jo për fajin tuaj kanë ndodhur disa keqkuptime të vogla, ka ardhur momenti për të sqaruar gjithçka, komunikimi i duhur do të jetë çelësi i suksesit.

Bricjapi

Priten vendime të mëdha dhe përfitime në pasuri të paluajtshme. Bricjapët do të fitojnë në drejtësi, në një çështje ligjore për të cilën kanë vite që mundohen. Ka ardhur momenti që ju më në fund të dilni të fituar. Vërtetë është mundësia për të arritur aty ku ju dëshironi. Maturia që ju keni dhe mënyra sesi ju lexoni me sy, do t'ju bëjë që të realizoni më shpejt planet tuaja, kjo falë dhe ndikimit favorit planetar. Karakteri juaj pozitiv dhe energjia e mirë ju bën që të dilni të fituar. Në fushën e punës dhe karrierës mund të merrni disa propozime, është momenti ku ju duhet të nxitoni dhe të përfitoni. Çdo vendim nëse do t'ju duhet ta merrni këtë javë, bëjeni mos e shtyni për më vonë. Gjithashtu në fushën e dashurisë keni mundësinë e zgjidhjeve dhe stabilizimit shpirtëror.

Ujori

Shenja e pozitivitetit, shenja e mundësive që do t'u jepen. Ujorët gjatë kësaj periudhe do të kenë një mundësi të mirë në fushën e punës dhe karrierës, në ndryshime që duan të bëjnë. Është pikërisht ky moment i duhur për stabilizim, është një kohë e përshtatshme në zhvillimin e anës ekonomike-financiare. Do të keni mundësi për të bërë disa bisedime me rëndësi, por kujdes, mos u nxitoni për të dalë shpejt në konkluzione. Çdo gjë duhet bërë në kohën dhe momentin e duhur, është shumë e rëndësishme pikërisht koha kur ndodhin fenomenet. Javë e mbarë në punë dhe në karrierë. Nga mesjava mund të merrni një vendim për të nisur diçka të re. Ndërsa sa i takon anës shpirtërore, këtu keni pak probleme. Kujdes, mos u nxitoni! Për të palidhurit nuk përjashtohet mundësia për një njohje të re.

Peshqit

Shenja e nismave të reja, e bizneseve të reja dhe e përfitimeve ekonomike, sidomos në një pasuri të paluajtshme. Është koha më ideale në nisjen e një biznesi, në investime të reja për të cilat nesër do të fitoni shumë më shumë. Për ata që janë në marrëdhënie punë në shtet mund të kenë disa ndryshime, ndërsa për ata që presin për një rritje rroge është një moment shumë i mirë për të bërë bisedime. Është një moment tepër pozitiv me zhvillime të rëndësishme në fushën e ekonomisë. Ju të shenjës së Peshqëve keni lindur për tregti. Për ata që merren me profesione zhvilluese siç është elektronika psh, do të kenë rritje. Ndryshime të mëdha do të jenë në favorin tuaj. Një burim i dytë të ardhurash është i mundur. Në çështjet shpirtërore pak kujdes! Mos u nxitoni në vendime dhe në çështje të rëndësishme. Një njohje ka shumë mundësi që ta ktheni në një lidhje serioze.

MC/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

U liruan zyrtarë të korruptuar? Manja: Përgjigjet për amnistinë i marrin të enjten, s’ka asgjë për të fshehur

U liruan zyrtarë të korruptuar? Manja: Përgjigjet për amnistinë i marrin të enjten, s’ka asgjë për të fshehur