TIRANE - Ndjekje si në filma, mjaft e rrezikshme, është ajo që policia ka bërë ditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, ku mundi të ndalojë në përfundim shoferin nga Tropoja dhe vëllain e tij.  Franga, karta banke zvicerane dhe një thikë u gjet në makinën e tyre.

33-vjeçari nga Tropoja Mirsad Kuçana, me një makina me targa të huaja BMW, nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar në dalje të kryeqytetit. Por shoferi ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e policisë rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje.

Një ndjekje që ka vazhduar me këto manovra të rrezikshme nga Tirana, e derisa kur ka kaluar Vorën, 33-vjeçari Mirsad Kuçana ka braktisur makinën në anë të një rruge rurale dhe ka vrapuar. Aty është zbuluar që në automjet me të ishte edhe vëllai i tij, E.Kuçana. Pas ndjekjes nga afër policia arrestoi shoferin ndërsa vëllai i tij do të hetohet në gjendje të lirë.  

Të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale. Gjatë kontrollit në automjet dhe në trup, Policia gjeti 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të 33-vjeçarit tropojan.

Mirsad Kuçana u arrestua për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrim prone”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale". Ndërsa vëllai i tij për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik".

Paratë e bllokuara tropojanit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:44
Kush është tropojani që rrezikoi policinë?! Nga punonjës policie në 'ushtar' të Vis Martinajt (VIDEO)

Mirsad Kuçana nga Tropoja njihet si anëtar i grupit të Ervis Martinajt. Ai është akuzuar si një ndër personat ekzekutor të Enton Nikes në vitin 2015 në restorant "Muraga" në Linzë. Ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit prej vitit 2009, kur ai mbaroi Akademinë e Policisë e deri në fillim të vitit 2015. Menjëherë, pas kursit 6-mujor të policisë, Kuçana u emërua në patrullën e përgjithshme të Komisariatit nr. 2, detyrë të cilën e mbajti deri në nëntor të 2013. Më vonë ai u transferua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit, ku edhe atje ka qenë me të njëjtën detyrë, në patrullën e përgjithshme. Kuçana kishte hequr dorë nga shërbimi policor dhe punonte si badigard në klubet e natës dhe si roje sigurie në lojërat e fatit në kryeqytet.

Nga pamjet filmike te siguruara ne restorantin ku ndodhi ekzekutimi, Mirsadi ka qenë prezent në momentin e vrasjes së Enton Nikës dhe plagosjes së pronarit të bar-restorant “Muraga”, Ismet Gaxherri. Ndaj Kuçanajt, rëndonte akuza për “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.