TIRANË-Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri përmes një video mesazhi 8 minuta në rrjetin social Facebook.
 
Rama e nis video mesazhin duke kërkuar ndjesë për të gjithë kategoritë e shoqërisë.
 
Fillimisht, ai u kërkon ndjesë të gjithë viktimave të drejtësisë së korruptuar, duke shprehur bindjen se viti që vjen do te përmbyllë Reformën në Drejtësi.
 
''Ndjesë kujtdo që është përballur me padrejtësi shtetërore gjatë këtij viti që po ikën. Do luftojmë edhe më shumë që në vitin e ri shteti të jetë më i drejtë për të gjithë. Ndjesë çdo shqiptari që këtë vit ka rënë viktimë e pushtetit të korruptuar gjyqësor. Jam i bindur që Viti i Ri do të jetë viti më i mirë për drejtësinë në këto 25 vjet dhe i pari në një sistem drejtësie që do të garantojë barazinë e gjithë shqiptarëve para ligjit'', u shpreh Rama. 
 
Kryeministri Rama ju kërkoi gjithashtu ndjesë të gjithë viktimave të dhunës në familje dhe pensionistëve të cilët e festojnë këtë ndërrim vitesh të vetmuar.

''Ndjesë çdo viktime të dhunës në familje që këtë vit e tronditi vendin me rastet më ekstreme. Duhet të bëjmë më shumë karshi këtij fenomeni që godet gratë e vajzat në veçanti, por edhe njerëz të komuniteteve të ndryshme. Ndjesë çdo pensionisti të vetmuar që nuk ka kush i thotë Gëzuar! dhe viti i ri ngjan për të një përsëritje e të vjetrit. Nuk do ta reshtim përpjekjen të bëjmë më shumë vitin e ardhshëm'', vazhdoi më tej Rama.

Në këtë vidio mesazh të veçantë kryeministri ju ka kërkuar gjithashtu ndjesë edhe familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike, të cilët sipas kryeministrit ju rëndon ende barra e së shkuarës dhe nuk marrin dot frymë lirisht as sonte.
 
''Ndjesë familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike, atyre që barra e të shkuarës i rëndon ende aq shumë sa të mos i lejojë të marrin frymë as sonte, pavarësisht se kemi 3-fishuar ndihmat ekonomike'', u shpreh Rama.

Kryeministri e vazhdoi video mesazhin e tij me ndjesën për shtresat e tjera në nevojë si veteranët e luftës, të përndjekurit politik si dhe personat me aftësi të kufizuar për të cilët Rama u shpreh se nuk është bërë pak për ta gjatë këtyre 3 viteve në pushtet, por që në vitin tjetër përpjekja për të bërë më shumë do të vazhdojë.  
 
‘’Ndjesë për personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët e luftës dhe të përndjekurit politik për faktin se nuk kemi bërë më shumë edhe pse nuk është bërë pak në këto 3 vite për t’u vënë në vend dinjitetin e cënuar në 20 e kusur viteve indiferenca shtetërore. Përpjekja për ta do të vazhdojë edhe më shumë’’,
vijoi më tej Rama.
 
Rama nuk la pa ju kërkuar gjithashtu ndjesë edhe policëve dhe mjekëve të cilët sipas Ramës, janë ndjerë keq gjatë këtij viti që po lëmë pas pasi janë futur në thesin e baltës për shkak të sjelljeve të padrejta.
 
‘’Ndjesë çdo punonjësi të ndershëm të policisë që mund të jenë ndjerë keq nga balta e përditshme të shpifjes që synojnë kriminalizimin e policisë së shtetit.Ne do të jemi pranë tyre për t’i përmirsuar më tej kushtet e punës. Ndjesë çdo mjeku që e bën detyrën me përkushtim dhe është ndjerë keq që është futur në një thesin e baltës ndaj një profesioni kaq jetik për shkak të sjelljeve të padenja korruptive dhe abuzive të individëve që ju bien në qafë pacientëve apo familjarëve në këmbim të shërbimit të detyruar shëndetësor për të cilin paguhen me taksat e shqiptarëve’’, u shpreh kryeministri.  

Urimi i plotë i Ramës:

Mirëmbrëma të gjithëve
 
Ndjesë kujtdo që është përballur me padrejtësi shtetërore gjatë këtij viti që po ikën. Do luftojmë edhe më shumë që në vitin e ri shteti të jetë më i drejtë për të gjithë. Ndjesë çdo shqiptari që këtë vit ka rënë viktimë e pushtetit të korruptuar gjyqësor. Jam i bindur që Viti i Ri do të jetë viti më i mirë për drejtësinë në këto 25 vjet dhe i pari në një sistem drejtësie që do të garantojë barazinë e gjithë shqiptarëve para ligjit.
 
Ndjesë çdo viktime të dhunës në familje që këtë vit e tronditi vendin me rastet më ekstreme. Duhet të bëjmë më shumë karshi këtij fenomeni që godet gratë e vajzat në veçanti, por edhe njerëz të komuniteteve të ndryshme.
 
Ndjesë çdo pensionisti të vetmuar që nuk ka kush i thotë Gëzuar! dhe viti i ri ngjan për të një përsëritje e të vjetrit. Nuk do ta reshtim përpjekjen të bëjmë më shumë vitin e ardhshëm.
 
Ndjesë familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike, atyre që barra e të shkuarës i rëndon ende aq shumë sa të mos i lejojë të marrin frymë as sonte, pavarësisht se kemi 3-fishuar ndihmat ekonomike.
 
Ndjesë personave me aftësi të kufizuar e po ashtu veteranëve të luftës se nuk kemi bërë dot më shumë për ta. Jemi përpjekur të vendosim dinjitetin e tyre në vend.
 
Ndjesë familjeve që jetojnë në qindra fshatra ku era e rilindjes urbane nuk i ka prekur akoma. Për ne nuk ka qytetarë të dorës së parë apo të dorës së dytë, të gjithë janë të barabartë.
 
Ndjesë çdo  punonjësi të forcave të rendit të sigurisë që mund të jenë ndjerë keq nga shpifjet që synojnë kriminalizimin e policisë së shtetit.
 
Ndjesë çdo mjeku që e bën me përkushtim puën që është ndjerë keq nga futja e bluzave të bardha në të gjithë thesin e baltës për shkak të sjelljeve të padrejta.
 
Ndjesë çdo familjari  apo pacienti që ka rënë pre e sjelljeve të padrejta të mjekëve të korruptuar.
 
Ndjesë çdo mësuesi që jep dijen e tij në klasa që nuk kanë kushtet e duhura.
 
Ndjesë çdo vajze a djali të ri, që rruga e punësimit mund të jetë bllokuar nga mekanizmat e vjetër në vite që pengojnë vlerësimin e meritës.
 
Ndjesë çdo të riu që ka marrë rrugën e emigrimit këtë vit pasi është ndjerë i lënduar për ta vijuar këtu rrugën e jetës së vit.
 
Ndjesë çdo shqiptari që është ndjerë i fyer nga fjalori i parlamentit, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com