Më në fund ka shpresë për Partizanin. Kryeqytetasit janë kthyer te fitoret, duke lënë pas ecurinë jashtëzakonisht negative prej 6 humbjesh radhazi. Në javën e 10 të Superligës të kuqtë mposhtën 0-1 Teutën që është pretendente këtë sezon për titullin kampion.
Në ‘Niko Dovana’ pjesa e parë prodhoi disa raste për të dyja skuadrat, por u mbyll me porta të paprekura. Në të dytën, ekzaktësisht në minutën e 58, kapiteni Atanaskovski lëshoi një të majtë potente nga jashtë zone që mposhti edhe portierin e durrsakëve. Ky rezultat mbeti në fuqi deri në fund paçka se situata për Teutën u komplikua më shumë në minutën e 82 kur Përgjoni la skuadrën me 10 lojtarë në fushë.
Fitorja e fundit e Partizanit datonte më 5 shtator kundër Vllaznisë në transfertë, ndërsa pavarësisht se mori 3 pikët sërish mbetet në vendin e fundit. Të kuqtë pas 10 javësh kampionat renditen në vendin e 10 me 7 pikë, 2 më pak se Vllaznia e vendit të nëntë dhe 4 më pak se Laçi i vendit të tetë. Për t’u theksuar se kjo ishte fitorja e patë e trajnerit Karoglan me të kuqtë, teksa më herët kishte koleksionuar 3 humbje.
Fitorja e Partizanit ishte gjithashtu e hidhur për Teutën, pasi durrsakët e vendit të dytë tani mbeten 4 pikë pas Egnatias kryesuese. Teuta-Partizani mbylli edhe javën e 10 të Superligës, teksa më herët gjatë së hënës u luajt Vora-Dinamo që përfundoi me shifrat 2-2.
-
U zgjuan viçat se dema nuk ka....
Përgjigju












Komente
Komento