'Moment historik' e ka konsideruar agjencia amerikane e hapësirës (NASA) fluturimin e një anije kozmike nëpër atmosferën e jashtme të Diellit. Kjo është hera e parë që një gjë e tillë ndodh dhe u arrit nga Sonda Diellore Parker , e cila u 'zhyt', për një kohë të shkurtër, në atmosferën rreth yllit tonë që shkencëtarët e quajnë korona.
Parker i rezistoi nxehtësisë dhe rrezatimit intensiv dhe mblodhi njohuri të reja se si funksionon Dielli.
“Ashtu si ulja në Hënë i lejoi shkencëtarët të kuptonin se si u formua, prekja e Diellit është një hap gjigant për njerëzimin për të na ndihmuar të zbulojmë informacione kritike për yllin tonë më të afërt dhe ndikimin e tij në Sistemin Diellor”, tha Nicola Fox, drejtoresha e divizionit të shkencës së heliofizikës së NASA-s.
Sonda diellore Parker është një nga misionet më të guximshme ndonjëherë nga agjencia. I nisur tre vjet më parë, qëllimi i tij është të bëjë kalime të përsëritura dhe gjithnjë e më afër Diellit.
Anija kozmike lëviz me shpejtësi kolosale, me mbi 500,000 km/h. Strategjia është të hyjë shpejt dhe të dalë shpejt, duke bërë matje të mjedisit diellor me një grup instrumentesh të vendosura nga pas një mburoje të trashë nxehtësie.
Komente










