TIRANE- Edhe pse Nard Ndoka, deputeti dhe kreu i Partisë Demokristiane kishte paktin për të mbështetur kandidaturën e Partisë Socialiste Sotiraq Filo në zgjedhjet e pjesshme të Korçës, ai është i pari që do të dalë në protestën që do ta organizojë Partia Demokratike kundër blerjes së votës ditën e hënë përpara Kryeministrisë. I pyetur nga gazeta “Shqiptarja.com” mbi vendimin që ka marrë nëse do të jetë pjesëmarrës në këtë protestë apo jo Ndoka tha se: “Absolutisht që do të jem një ndër të parët që do të marrë pjesë në këtë protestë. Edhe pse partia ime e ka mbështetur kandidaturën e Sotiraq Filos, kjo nuk do të thotë që unë të hesht përpara gjithë asaj vidio që tha me zë edhe me figurë se si u blenë votat në Korçë.

Unë për mbrojtjen e votës kam mbështetur edhe Partinë Socialiste, e cila ngrihej në protestë. Po ndodh e njëjta gjë, edhe këtu po flitet për blerje të votës, duke nxitur qytetarët me mjete jo demokratike për të votuar për një forcë politike të caktuar, apo në këtë rast për një kandidat për kryetar bashkie”, është shprehur kreu i PDK-së, Nard Ndoka. Kreu i PDK-së mbështeti kandidatin e PS në Korçë pasi ishte pakti që ai kishte ndërtuar me PS në zgjedhjet vendore të 2011. Për ti qëndruar këtij pakti, edhe pse ai është një tjetër kamp politik, Ndoka ishte si pjesë e koalicionit me PS-në.
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)