Nuk ka të ndalur agresiviteti i kompanive të naftës të cilët shfrytëzojnë rastin për të derdhur mbetje hidrokarbure në lumin Gjanica, sa herë që ka reshje shiu.

Ditën e sotme pamja e lumit që përshkon qytetin është dëshpëruese ndërsa aroma e rëndë teje mbytëse. Kjo situatë shumëvjecare duhet të marrë fund thonë qytetarët tejet të indinjuar teksa u bëjnë apel institucioneve të zgjohen nga përgjumja.

Problemi është i zgjidhshëm thotë ambientalisti Qani Rredhi, teksa thekson se gjobat e papërfillshme nuk ndikojnë aspak në zgjidhjen e situatës, por duhet të shkohet deri në pezullim të aktivitetit.

"Zgjidhje ka, nëse vënë dorë institucionet. Gjithë ky investim në qytetin e Fierit, zhvlerësohet nga kjo ndotje", tha ai.

Pavarësisht denoncimeve të njëpasnjëshme për ndotjen alarmante të lumit, situata jo vetëm që nuk njeh përmirësim, por përkundrazi përkeqësohet.

"Qeveria duhet të marr masa për këtë gjendje", tha një qytetar për Report Tv.