Pjesa dërrmuese e ujërave të lumenjve në vendin tonë rezultojnë me nivel të lartë ndotjeje, ndërkohë që më problematike gjendja paraqitet në Lumin e Ishmit.

Zbardhen analizat, Vjosa e Mati me cilësi të mirë
 
Report TV ka zbardhur rezultatet e matjeve të kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në 34 stacione. Agjencia ka etiketuar me ngjyrën blu stacionet me cilësi të lartë ujërash, me të gjelbër stacionet me cilësi të mirë, me të verdhë cilësinë e moderuar, me portokalli cilësinë e varfër dhe me të kuqe ujërat me cilësi të keqe.
 
Bie në sy se gjashtë nga tetë stacione që monitorojnë Lumin e Ishmit raportojnë cilësi të keqe ujërash, përgjatë gjithë rrjedhës së tij. Nivele të larta ndotjeje paraqet edhe Bazeni I Drinit, ku tre stacionet kanë raportuar cilësi të moderuar ujërash, ndërsa dega e Drinit Lezhë paraqitet me nivele të larta ndotjeje.
 
Me cilësi të keqe janë etiketuar edhe ujërat e Gjanicës. Rezultatet e monitorimit tregojnë se lumi Vjose dhe lumi Mat janë lumenjtë me cilësi më të mire. Shkarkimet e qendrave të banuara përreth lumenjve si dhe shfrytëzimi pa kriter nga industritë etiketohen nga autoritetet si shkaqet kryesore të ndotjes së ujërave.