Ndotja e lumit Fan nga fabrika e pasurimit të Bakrit në Fushë Arrëz, një problem i kahershëm i kësaj zonë, i cili nuk po gjen zgjidhje  duket se ka sjell dhe reagimin e Kishës Katolike në zonë.

Kreu i kësaj të fundit, Frat Andreas Walterman i njohur për kontributin e tij në ndihmë të banorëve, i është drejtuar përmes një letre, kryeministrit Edi Rama, ku kërkon evitimin e këtij fenomeni, tashmë shqetësim për banorët.

“Unë mendoj se është koha për të bërë diçka kundra ndotjes së lumit Fan që është një lum i vdekur i pajetë. Edhe turistët që vijnë thonë se çfarë është bërë me këtë lumë. Përse nuk bën shteti diçka kundër ndotjes së lumit Fan”, tha Famullitari i Fushë Arrëzit Frat Andreas Walterman.

Veç faktit që tashmë Fani është një lum I vdekur, kreu I Kishës katolike thotë se ndotja e vazhdueshme po ndikon dhe në bujqësi tek fshatrat që  vazhdimisht kanë përdorur këtë ujë për vaditje.

“Unë jam përfaqësues i kishës katolike dhe në zonën tonë jetojnë shumë besimtarë. Ata kanë probleme me vaditjen se kanë fshatrat poshtë Fushë Arrëzit dhe unë mendoj se është koha për të bërë diçka se nuk mund të punojnë ata që të prodhojnë bakrin mbi kurriz të njerëzve. Nuk vlerëson natyrën dhe natyrën e bukur të Shqipërisë”, tha Frat Andreas Walterman.

Ai falënderon kryeministrin Edi Rama për përgjigjen e menjëhershme duke dërguar inspektorët në zonë, por shton se zgjidhja nuk është gjoba ndaj subjektit privat por evitimi i këtij problemi.

“Lumi Fan prej vitesh është i ndotur nga mbetjet e sterileve te bakrit të cilët derdhen  përmes vendgrumbullimit të vjetër të fabrikës së bakrit”, tha Frat Andreas Walterman.

Edhe pse disa herë qytetar të Fushë Arrëzit dhe ambjentalist kanë ngritur shqetësimin  inspektorët e mjedisit kanë përsëritur gjoba formale, por pa ndikuar në evitimin e ndotjes.

Vetë kompania “Ber-Alb” punëdhënsi më i madh në zonë, disa herë është angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi, por pa mundur të evitoj ndotjen përfundimisht.