Protestuesit janë mbledhur para uzinës së shoqërisë “Kurum”, duke bllokuar hyrjen e mauneve në uzinë.
Niveli i lartë i ndotjes në këtë qytet, shkaktohet sidomos nga tymrat e emetuara në ambient nga fabrikat që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e ish-metalurgjikut.
Sipas protestuesve në fabrikat e “Kurum” dhe “Ferrokrom”, nuk janë vendosur filtrat e nevojshëm për mos emetimin e gazrave të dëmshëm në mjedis.
Aktivistët e shoqatës “Reago” i bëjnë apel organeve shtetërore të ndërhyjnë duke mbrojtur të drejtat e qytetarëve, shëndetin e tyre, si dhe të respektohet mjedisi si përparësi kombëtare.
Ata kanë bërë thirrje: “Respektoni ligjet ose përgjigjuni para tyre”.
“Statistikat që jepen nga organet shtetërore në lidhje me nivelin e ndotjes në Elbasan janë të dyshimta e të pavërteta. Realiteti është krejt i kundërt duke shënuar një ndotje të lartë në qytet dhe rrethinat e tij"- tha kryetari i organizatë Leonard Dedej, për korrespondentin tonë në Elbasan, Andi Qosja.
Dedej theksoi faktin se organizata që ai drejton do të ndjekë në rrugë ligjore këtë çështje për të ulur sado pak fenomenin e ndotjes industriale në Elbasan.
Sipas Dedej, "ndotja është kaq e lartë sepse nuk funksionon auditi nga Ministria e Mjedisit dhe duhet të ketë një vëmëndje më të madhe ndaj lëndëve kancerogjene që përhap në atmosferë Firma "Kurum" Dhe "Ferrokromi ACR".
Problemi i ndotjes vazhdon ndër vite të jetë, shqetësimi kryesor i qytetarëve elbasanas dhe shkaku kryesor i kësaj situate është ndotja industriale. Ndotja mbi normat e lejuara nga BE ka rritur numrin e personave të prekur nga sëmundjet kancerogjene.
Organizata "Reago", ka theksuar se, “krahas rrugëve ligjore që do të ndiqen nga juristët pranë kësaj organizate, do të vijojnë edhe protestat të cilat do të përshkallëzohen edhe më tej.
Një ditë më parë, I ftuar në Tv “A1 Report”, kreu i grupit “Ekolëvizja”, Xhemal Mato, tha se kompanitë zgjedhin të mos vendosin filtrat pasi kanë kosto të mëdha, në dëm të shëndetit të qytetarëve.
Në qytetin e Elbasanit niveli i ndotjes është në shifra të larta, edhe pse së fundmi nuk janë bërë monitorime nga institucionet përgjegjëse për evidentimin e situates.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)