TIRANE - Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu akuzoi dje ish-deputetët e Partisë Demokratike që janë bërë pjesë e PS-së se socialistët nuk i kanë atyre asnjë borxh. Në një postim në faqen e tij në rrjetin social “facebook”, Ndreu shkruan se shumë persona që u kthyen në PS e përdorin këtë gjë si shkasë për të kërkuar favore. Në komentin e tij, Ndreu shton gjithashtu se personat që janë larguar nga PD për tek PS e kanë bërë këtë gjë për shkak të zgjedhjeve të tyre dhe për këtë, nuk ka se për të kërkojnë favore.

“Kam një konstatim të kohëve të fundit si deputet (meqë e kam për herë të parë) por që nuk dua të fyej askënd. Shumë nga ata që ikën nga PD për te PS vitet e fundit, ta tundin këtë si kartë para syve duke të thënë: “Unë këtë e bëra për ty” dhe bërtasin e rrahin këmbët për privilegje familjaresh. Ndërsa socialistët e viteve të hershme, duhet të presin radhën pas këtyre. Jo zotërinj, keni ikur nga PD për problemet tuaja jo për të na mbështetur ne”,- shkruan Ndreu në faqen e tij në “facebook”.
 
Në vijim të deklaratës së tij, deputeti socialiste theksoi se faji për këtë e kanë drejtuesit e partisë që i përkëdhelin ata.

“Por ne kemi faj se ju përkedhelim më shumë se ata që prej 23 vitesh veç kontribuojnë pa kërkuar asnjë privilegj”,- theksoi Ndreu në komentin e tij në “facebook”.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)