Ndriçimi te mbikalimi i Kamzës
Veliaj: Shembull te puna jo te fjalët

Një nga hyrjet kryesore të Tiranës, që lidh veriun e Shqipërisë me kryeqytetin ka nisur të marrë një pamje të re.

Bashkia e Tiranës ka nisur një investim të munguar prej gati 15 vitesh, duke pajisur segmentin nga mbikalimi i “Casa Italia” deri në kufijtë administrativë të Bashkisë së Kamzës, me ndriçim të ri, si dhe barriera anësore metalike, duke mundësuar më shumë siguri si për makinat, ashtu edhe për këmbësorët.

Punimet që po kryhen në këtë arterie u inspektuan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi faktin se një tjetër hyrje e kryeqytetit do të merrte një pamje dinjitoze.
 
“Jam shumë entuziast sepse po fillojmë një projekt të ri, është hyrja veriore e Tiranës. Siç e keni parë, disa hyrje të Tiranës janë stabilizuar, hyrja nga rruga “Dritan Hoxha” dhe hyrja nga rruga e Elbasanit është sot në një situatë shumë më të mirë dhe ka shumë estetikë, ka shumë më pastërti, sinjalistikë dhe ndriçim në këto dy hyrje. Për këtë vit kemi planifikuar dy hyrje të tjera, hyrja nga Kamza dhe hyrja nga Kombinati. Sot fillojmë punën e hyrjes nga veriu, që është hyrja nga Kamza, besoj që jo vetëm është një hyrje dinjitoze për Tiranën, por është ndoshta kontrasti më i madh sesi menaxhohet Tirana dhe si menaxhohet Kamza”, tha Veliaj.

[gallery]20645[/gallery]

Ai bëri të ditur se projekti synon veç ndriçimit dhe barrierave mbrojtëse të rrugës, edhe urbanizimin e zonës.
 
“Zona do të ketë 115 shtylla, 210 ndriçues, 3 km urbanizim me sinjalistikë, me kanale të ujërave të zeza, me infrastrukturën e nevojshme për këmbësorët, do të kthejmë disa ishuj si ky ku jemi, në mini-parqe të vogla për komunitetin, për të moshuarit që duan të pushojnë apo fëmijët që duan të luajnë dhe unë besoj që deri në 18 qershor, por dhe përtej, do tregojmë siç kemi treguar këtë vit, që vetëm puna dhe jo fjalët janë ato që na çojnë përpara. Ndaj, i them të gjithë kolegëve forca, me shumë energji të reja për të bërë Tiranën e ëndrrave tona çdo ditë nga pak”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë theksoi se ky projekt tregon edhe një herë se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim në investimet që bën nëse një zonë apo njësi është e djathtë apo e majtë.
 
“Investimi do të kontribuojë që të kemi një zonë totalisht të urbanizuar, një zonë që është trajtuar si një zonë e dorës së dytë, edhe pse Lapraka është mbajtur si bastion i të djathtës ka pasur investimet më të ulta. Nuk është bastion i të majtës, por ka investimet më të mëdha. Do të thotë që kemi një frymë të re në Bashkinë e Tiranës, që nuk i ndajmë njerëzit në të nënës dhe të njerkës, por i përgjigjemi njerëzve për arsyen e vetme se janë kryeqytetas të Tiranës dhe duhen të trajtohen me dinjitetin e një kryeqyteti”, shtoi kryebashkiaku.

Veliaj bëri të ditur gjithashtu se pavarësisht sulmeve politike ndaj bashkisë, përgjigja më e mirë ndaj tyre do të jetë pikërisht puna.
 
“Unë e di që jemi në prag të fushatës dhe Bashkia e Tiranës është bërë sot epiqendra e gjithë goditjeve nën brez, goditjeve politike, shpifjeve dhe rrenave, por në fund të ditës, kur mbarojnë të gjithë llafet, ngelet vetëm puna. Unë besoj që për këdo, të krahasojë dy modelet, modelin e punës dhe modelin e gjumit nuk ka as nevojë të kujtohet sesi ishte Tirana një vit më përpara, kur flihej gjumë. Mjafton të krahasojë kur kalohet kufiri nga Kamza në Tiranë për të kuptuar se ku punohet dhe ku flihet. Ndaj dhe dua t’i bëj të ditur të gjithë kolegëve të bashkisë kudo ku janë, sulmi ndaj meje do të vazhdojë, por e rëndësishme është që puna të vazhdojë më fort se sulmet. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të qëndrojmë të fokusuar. Vetëm duke qenë të fokusuar nderohemi sepse puna në fund fare është argumenti përfundimtar i gjithë debateve tona politike”, deklaroi Veliaj.
 
Deputeti i PS, Rakip Suli, falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë investim të shtuar në Njësinë Administrative Nr.11, duke e cilësuar atë tepër të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve në këtë zonë.

Tek ura e Institutit Bujqësor ka pasur disa aksidente sepse nuk ka pasur fare ndriçim. Pas këtij investimi jam i sigurt që do të shmangen këto aksidente dhe nuk do të ketë më aksidente ku janë marrë dhe jetë njerëzish. Veç këtij investimi, njësia 11 është kthyer në një kantier ndërtimi prej 2 vitesh. Po të numërojmë investimet janë pa fund. Unë do të falënderoja kryetarin e Bashkisë së Tiranës që njësinë 11, jo thjesht e ka parë me syrin e Kryetarit, por që ka prekur çdo problematikë që është e prekshme për çdo qytetar të kësaj njësie”, tha Suli.
 
Segmenti Casa Italia-Institut Bujqësor është dalja veriore e Tiranës dhe një nga segmentet që ndanë Tiranën me Bashkinë Kamzës. Gjatësia e segmentit është rreth 2.2 km, me trafik ndarës dhe dy korsi për krah.

Hera e fundit që ky segment ka patur rrjet të ndriçimit rrugor ka qenë viti 2005, ku për një periudhë 6 mujore i tërë rrjeti u dëmtua nga (vjedhje e kabllos dhe shtyllave të ndriçimit) dhe që prej asaj periudhe nuk është ndezur më.

Investimi i ri i Bashkisë Tirane konsiston në vendosjen e rreth 115 shtyllave të ndriçimit rrugor, plotësimin e segmentit me sinjalistikë vertikale dhe vendosje e kangjellave mbrojtëse për këmbësorët në pjesën e rrethrrotullimit të Casa Italia dhe rehabilitimi i trotuareve të dëmtuar.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen