'Ndryshe nga kampet naziste, në Tepelenë, kishte njerëz që nuk kishin shtrojë e mbulojë e, flinin mbi dërrasat…’/ Dëshmia tronditëse e ish-të internuarit

'Ndryshe nga kampet naziste, në Tepelenë, kishte njerëz që nuk kishin shtrojë e mbulojë e, flinin mbi dërrasat…’/ Dëshmia tronditëse e ish-të internuarit

Memorie.al / Atë mëngjes, sa kishte fillue me dalë drita, në të katër kazermat ciklopike ku ishin të mbyllun e stivosun mija t’internuem, kumbuen krejt përnjëherësh ropamat metalikë shurdhuese të çangave, gëzhoja bronzi gjylesh, që goditëshin me shufra hekuri. Krisma shurdhuese shpërndahej gjatë grykës së Vjosës, duke tmerrue malet përreth dhe kalanë e Ali Pashë Tepelenës, që lëshonte hijen e saj të zezë mbi kampin e internimit i krijuem aty pranë nga regjimi komunist i Tiranës. Të dënuemit zgjoheshin të trullosun nga ai gjumë, që së pakut u binte pak qetësi nga mundimet e përditshme. Rropama e çangës shoqërohej nga thirrjet histerike të përgjegjësit të çdo kazerme: – Zgjohuni! Apeli! Çohuni shpejt! N’apel, n’apel!

Kunata e të vdekmit, Mrika, kishte ndezë një copёz qiriu prej dylli në shenjë besimi. Gratë mёrmёrisnin disa lutje, dhe banin shërbimet efetare në mungesë të priftit, që nuk ekzsitonte asnji i tillë në kamp. Në atë qetësi veç kur krisi ropama e çangës:

-Doktori…! Doktori…! Të sëmurët të paraqiten te ndërtesa para zyrave. Mos të mungojë asnjë! …Shpejt me shkue e me zanë radhën.

Ishte përgjegjësi i kazermës, Pretashi, që e bante këtë njoftim. Ai kaloi andej nga vendi im e me tha që, të kisha kujdes sepse, isha në shënjestrën e policisë, që mezi prisnin një shkak për me më qerdhisë. Si të sillësha? Ç’kujdes të kisha? Shkurt me thanë, isha vetëm në dorë të fatit…të Zotit…e të doktorit!

Shkova e zuna radhën e gjatë, e shumta me gra, që më liruan vend dhe radhë duke me shikue me pikëllim e mëshirë, ne vend që të qanin hallin e tyre. Radha ishte rrëzë një muri që na mbronte nga era e ftoftë e, ku binin rrezet e ngrohta të diellit, si nё shulla. T’internuemit e shkretë, aty të rreshtuem rrinin në heshtje, secili i zhytun në mednimet e veta të trishta. Si do t’u vente halli?

S’vonoi u duk doktori me një polic dhe infermierin e kampit, Andrea Shundi nga Korça, që t’internuemit e thrrisnin Patro. Ata shkuen fill e në dy kazermat ku kishin ndodhun dy vdekjet. Doktor Konomi që shërbente në Tepelenë ishte caktue edhe për kampîn, ku e binin kohë pas kohë me vizitue të sëmunët. Por kishte tre muej që nuk ishte dukun andej (s’e kishin sjellë), megjithëse ndërkohë kishin ndodhë vdekje të tjera.

Ec e merre vesh! Ishte një burrë trupgjatë e i hollë, pak i thijun. Mbante një palë syze të mëdha me skelet të zi. Nuk kaloi shumë dhe ai u kthye dhe hyni në godinën karshi komandës me gjith infermierin. Polici, u ul në një karrikë te dera dhe i bani me shenj të parit në radhë e, kështu filloj vizita mjekësore. Nuk vonoi e m’erdhi radha.

Polici më tha me kalue dhe unë u gjeta para derës së hapun ku, bëhej vizita. U ndala aty, pse mjeku e infermieri po bisedonin mes tyre. Zemra me rrihte. Fati im varej nga ky kontroll. Isha pak nervoz. Po pritsha, kokën fut midis jakës së ngritun të palltos së vjetër. Sytë të çakërrisun t’uj shikue dy personazhet që do të vendosnin për mue. Duart të shtrime të hapuna me ato plagë, që gjakonin. I parruar e i pa krehun. Kur ja që doktori kthen kokën nga unë, duke më shikue nga sipër syzeve dhe i mbetun gojë hapun nga çudia:

– O Zot Patro…! Ç’është ky Krisht i kryqëzuar që më keni sjellë?  Bërtiti i tmerruem duke përplasë duart mbi tryezën gati për t’u ngrit në këmbë. Infermieri nga ana tij, i mësuem me pamjen time, ngriti shpatullat sepse nuk dallonte asgjë të veçantë tek unë.

– Mos më sillni më të tilla kufoma të gjalla! Vazhdoi të bërtasë mjeku. Une, instiktivisht ktheva kokën mbrapa, me pa mos kishte ardhë dikush tjetër pas meje. Askush! Me zuni ankthi, pse aq keq isha katandisë? Polici roje kishte vrapue, i alarmuem nga britmat e doktorit. Infermieri i bani me shej se, çdo gja shkonte mirë. Polici u kthye në karrikën e tij. Patro që e kishte marrë veten, diç i foli greqisht doktorit, i cili ndryshoi menjëherë sjellje.

– Afrohu biri i im, afrohu…! Po ç’të kanë bërë more djalë?…Nga vijnë këto plagë…këto stigmata…?! Më thuaj Patro, mos vallë ka vuajtur Krishi më shumë? Unë isha afrue dhe ai mi zuni duart duke i shikue me kujdes e duke tundun kokën.

– Nuk kam parë kurrë plagë të tilla…! Çdo jenë vallë?! …Infeksion…? Mungesë vitaminash… dobësi…? Mos u shqetëso bir’i im. Do të kujdesemi për ty e do të shërohesh patjetër…! Pra ti na qenke djali i vogël i Prenk Pervizit? E kam njohur babanë tënd, kur ishte me detyrë në Korçë e unë mjek aty. Edhe mamën ta njoh, bile ajo është e internuar këtu, apo jo?

Infermieri ishte çue me mbyll derën. Unë i tregova doktorit për gjendjen tonë. Mamën e kishin çue me punue ne një fermë bujqësore në Lushnje. Vëllai madh, Valentini, ishte me mue.Kurse vëllai dytë, Genci, në burg. Doktori donte të dinte edhe për babën. Në Greqi, i thashë, tash katër vjet. Si u informue për gjendjen tonë, ai i tha Patros që, të shkruente raportin mjeksor për paaftësi pune fizike.

Tre muaj pushim absolut. Radioskopi e analiza në Gjirokastër. Pastaj diktoi recetën, vitamina, vaj peshku e shurup rikostituent, që kishin mbetun nga ushtria italiane ne farmacinë e kampit, në disa voza. Infermieri nuk po shkruante, duke mendue se të gjitha ato që diktonte mjeku, ishin punë kote, të pamundshme. Por doktori i lëshoi një shikim dhe i bani shenj me kokë. Patro i plotësoi shënimet, duke me hedh nga një vështrim, si me thane: punë boshe, ku pînin ujë… ! Ndërsa doktori rrinte duke me shikue me një shprehje keqardhje.

– Mund të shkosh djalë i mbarë. Mos u shqetëso fare. Unë do të bëj çmos. Ti merr ato ilaçe dhe rri i qetë e pusho. Me raportin që të kam lëshuar, e me ato duar nuk të rinxjerrin në punë. Pastaj të shohim rezultatet e radioskopisë e t’analizave. Do të flas vetë me komandantin e kampit. Më përqafoi i emocionuem. Patro, shikonte i befasuem nga ajo sjellje e doktorit. Ma vonë, më tregonte se si doktori nё komandën me kishte paraqitë me termat ma dramatike. Ai me kishte përshkrue si një kufomë tё gjallë!

Kur dola prej andej, të gjithë më shikonin sikur kisha zbritë nga Hana ose Marsi. E kishin dëgjue britmën e doktorit. Krisht i kryqëzuar…! Kufomë e gjallë! Sa që edhe polici më lëshoj një shikim të dyshimtë. Gratë ishin gati me qa e u ndrisnin sytë nga lotët. I shkreti djalë! Fjalët e mjekut ishin përhapë gjithë kampit. Halla ime, nanë Mrika, me atë veshjen e saj mirditore, më priste krejt e merakosun te dera e kazermës, e mbështjellun në një shall të zi leshi prej të ftohtit. Aty me të rrinin edhe disa gra të kushërive të mi, të shqetësuem për mue.

– Eja bir’i im, eja! A e bane vizitën mjekësore? Ç’të tha doktori? Eja, se e kam ruajt një kafe për ty. Edhe gratë e kushërinjve Mrika e Ndue Gjergjit, Dila e Ndue Palit, Mrika e Llesh Gjergjit, Dila e Ndue Bajraktarit, etj., ishin merakos,  por unë i qetësova dhe ju thashë me dy fjalë, që doktori kishte lëshue raport paaftësie pune.

Ato u larguan ne kazermat e tyne e, unë hyna në kazermën t’ime dhe shkova pas hallës dhe hipa te vendi ku rrinin, e ku priste Marta e sëmunë, edhe ajo e shqetësueme. Unë ndenjta pakёz aty dhe ua shpjegova si shkoi puna dhe si doktori me dha raport pushimi dhe kontroll në Gjirokastër dhe disa ilaçe. E kalova do kohë me to dhe kafja sikur me forcoi nga trupi dhe nga mendja.

Kafja në ato kondita ishte diçka e jashtëzakonshme, apoteoza e luksit. Por halla ime gëzonte respektin ma të madh nga mirditorët, si e shoqja e Kapidan Gjonit, Princ i Mirditës. Kishte t’internuem, burra, që ndihmoheshin nga fëmijet e tyne, të cilat i kujtonin edhe me pak kafe, pse akoma ajo ekzistonte e shitej në tregun privat, endé i pa ndaluem.

Kështu që ata e kujtonin nanë Mrikën. U tregova atyre se si shkoi puna dhe si doktori me kishte prit mirë dhe se si mora vesh pastaj, se ai i njihte babën edhe mamën dhe ishte tregue miqësor e i dashtun me mue. Nga sa ndodhi, unë mbeta fare i shastisur. E kuptova pse gratë kishin aq respekt e mëshirë për mua. Sipas tyre, unë isha tashmë n’at dynja. Nuk më kishin mbetun veçse pak ditë me jetue. I vdekur për së gjalli!

Sapo u largova nga halla, vrapova drejt e te vendi im ku kisha ruajt një copë pasqyrë, për me pa se në ç’gjëndje isha katandisë. Mjeku kishte pasë të drejtë: fytyra ime kishte marrë pamjen e një asketi, të ikonave bizantine. Flokët e gjatë, të zi e të pakrehun. I parruem me dy gisht mjekër të zezë sterrë, si të një murgu. Fytyra e zbetë dhe e vyshkun. Qafa e hollë sa mezi e mbante kokën.

Trupgjatë dhe i thatë, si karavazh arash, për të tremb zogjtë. Veç lëkura kishte mbetë mbi kockat. Duert me ato plagë të gjakosuna, stigmate të vërteta. Vetë Krishti nuk do ta kishte kundërshtue krahasimin që bani doktori, te trupit tim me atë të tijin, të kryqëzuem. Pastaj: kufomë e gjallë! Kjo ma nuk durohej! Unë po fundosësha edhe ma tepër në dëshpërimin tim. Isha në buzë të greminës të depresionit. Si do të më vente halli? Po, sikur vetëm unë isha në atë gjëndje. Sa të tjerë, në këto rrathë të ferrit, i kishin fytyrat e zbeta e të vyshkuna. Sa të tjerë t’internuem të sëmunë ngjasonin me mue, kufoma të gjalla!

Befasisht shpërtheu ropama e padurueshme e çangës. T’internuemit, dolën me vrap, përveç fëmijëve, pleqve e të sëmunëve e meje. U ngrit një potere e madhe, të gavetave, kusive, dhe enëve të tjera të çdo lloji, prej alumini, teneqeje, bronzi, bakri, etj., që ndesheshin mes tyre. Të gjithë vraponin për me zanë radhën para kazanëve të gjellës (të ashtuquajtur), që ishte një lloj çorbe e hollë, taralang. Kazanët përbëheshin nga gjashtë gjysmë fuçia nafte.

Ndahej edhe racioni i bukës. Përgjegjës i kuzhinës ishte caktue Rrok Kanti, nip i Llesh Marashit, i paaftë për punë fizike, sepse mbante disa plagë të rënda të marruna në luftim me Forcat e Ndjekjes, kur u kap major Lleshi, të cilin pastaj e varën mes Shkodrës. I kishte shpëtue vdekjes. Ai kishte tentue me vra vetën, për mos me u dorëzue i gjallë, por plumbat kishin kalue rrëzë zemrës pa ia prekun. E kishin mbajt pesë vjet në burgun e Burrelit, prej ku e kishin sjellë në Tepelenë.memorie.al

Një malësor nja dy metra i gjatë e trup atletik me u pa, por çyryk nga plagët që kishte ne trup. Në kuzhinë punonin gjashtë gra që kishin fëmijë të vegjël. Ato përgatisnin të ashtuquajturën gjellë, nga ushqime të skadueme të mbetura në depot: oriz; bollgur, fasule e makarona që u kishte hy krimbi. Atë ditë kishte çorbë bollguri (grunë i shtypun), e mavijosur nga metali i kazanëve. Ndahej nga një lugicë për njeri.

T’internuemit ishin te detyruem ta hanin sepse, nuk kishte tjetër zgjidhje për t’u ushqye. Një filozofi ekzistenciale ishte në rendin e ditës. Krimbat, mizat e insekte të tjera, ishin edhe ato prodhime të natyrës dhe shërbenin për të pasunue dhe përmirësue atë çorbë me shije të veçantë, që nuk mund të gjendej as në restorantet kinezë. Lufta për ekzistencë, çfar nuk e detyronte të bënte njeriun në të tilla rrethana, ku njerëzit trajtoheshin si kafshё.

Ishte një nga gratë e kushërinjve të mi, Mrika e Ndue Gjergjit,  që më sillte racionin e bukë e tasin e gjellës. Unë, si gjithë të tjerët, e gëlltisja atë ushqim të neveritshëm, duke i mbyllur sytë, për të mos ia njohën për bamjen. Një lugë pas tjetrës, shpejt e shpejt. Bukën, e ndaja në tri pjesë. Copa me e madhe që mbaja për drekë, më dukej ma e vogël se, secila nga dy copat e tjera. Kisha porosinë e vëllait, Valentinit, që ta ndaja racionin ne tri pjesë, sado që ishin të vogla. Stomaku kështu kishte mundësi të punonte, dhe trupi ta thithe ushqimin, deri në miligramin e fundit.

Gjatë gjithë mbas ditës edhe çanga pushonte, dhe njerëzit kishin mundësinë me u takue e me shkëmbye dy pare llafe mes tyre. Kushërini im, Gjoni i vogël, siç e thirrnin, për ta dallue nga gjyshi i madh, kapidan Gjoni, erdhi me ndenjtë me mua. I tregova për vizitën mjekësore dhe na vinte për të qeshun, për shprehjet e doktorit ndaj meje: “Krisht i kryqëzuar, e kufomë e gjallë“

Gjoni nuk dallonte ndonjë ndryshim tek unë sepse, me shihte çdo ditë. Unë i tregoja për shkollën time në Romë, dhe ai kënaqëj.

Gjoni i vogël ishte internue me familjen në moshën shtatë vjeç, e tani sa i kishte mbushë të dymbëdhjetat e, nuk dinte asgjë nga bota e jashtme. Pavarësisht nga ndryshimi i moshës, ishin miqësue dhe rrinim gjithë kohën bashkë. Jo që ishim dhe kushërinj. I kisha dhanë fjalën se, do t’ia mësoja italishten sa të merrte fund kjo çështja ime shëndetësore.

Shkuam pastaj me i bë një vizitë xhenazes së të ndierit Gjok Kadeli, ku na pritën me nderime mirditorët që ruanin Gjokën. Ne ishim dajë e nip nga dy familjet katolike ma të rëndësishme të veriut, ku edhe ne ato kondita mjerimi, nuk mungonte respekti ndaj nesh. Me të ndjerin Gjok Kadeli, isha njohun qysh në kalanë – burg të Porto Palermos.

Gjokën e kishin arrestue e burgosë dy vjet ma parë, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretarit të parë të Mirditës, me 16 gusht 1949. Me atë shkak komunistët, me anë të Mehmet Shehut, që bani atë operacion, kishin pushkatue 14 vetë krejt të pafajshëm dhe arrestue 700 te tjerë, duke i rrasë nëpër burgje, ku, përveç disave që u pushkatuan, një pjesë e mire vdiqën nën torturat.

Familjet ua internuan, afro 2.500 vetë njëherësh, në kampin e Tepelenës, plot dyzet kamionë, që pata rastin t’i shoh vetë kur kaluan përmes Tiranës (para se t’arrestohesha), për t’i shti frikë e tmerr popullit. Tepelena ishte tashmë si një Siberi e vogël, ose Auschvitz nazist. Mbasi e kishin torturue dhe mbajt për do kohë në burg, Gjokën e kishin sjellë vetë të njëzetin në Porto Palermo, me disa mirditorë e pukjanë. Gjoka e kishte edhe një vëlla t’arratisun, Pjetër Kadeli, ish arsimtar e ushtarak.

Gjoka ishte një njeri serioz, trim e besnik, e respektohej për urtësinë e burrninë e tij. Por këto cilësi nuk e shpëtonin dot nga keqtrajtimi. Pa ushqime, pa veshmbathje, pa duhan e pa asnjë ndihmë, me trupin e torturuem dhe të raskapitun nga puna e randë, nga uria e të ftoftit, nuk mundi me durue ma gjatë trajtimin shtazarak të kriminelëve komunistë. Ra i semunë randë dhe e mbylli jetën aty në atë kamp mizor.

Xhelatët ishin po ashtu shqiptarë që vrisnin, torturonin, burgosnin e internonin vllaznit e motrat e tyre shqiptarë, duke ua flijue në holokaust ideologjisë së tyre bolshevike, e duke u sjellë me ta ma egërsisht se një pushtues i huaj. Kjo e vërtetë kobzeze asht tepër e zorshme me u konceptue në botën e lirë. Mbasi u ndava prej Gjonit, shkova dhe u ula mbi teshat e mia, dhe mora një libër nga ato që më kishte dërgue shoku e miku im, Balto Bali. A don ti që ndër to kishte ndodhë një antologji e letërsisë që unë, kisha pasë në shkollë në Romë, “Florilegio della Letteratura Italiana“!

Më zinte mallëngjimi i kohës së lumtun që kisha kalue në Kolezhin tim. A thua do t’i binte ndërmend ndokujt prej shokëve dhe profesorëve për mua? A mund ta konceptonin ata se ku e si ishte katandisë ai nxënës shqiptar, që quhej Leka? Më tingëllonin ne mendje vargjet e Dantes: “Nessun maggiore dolore, che ricordarsi del tempo felice nella miseria»! Eh, i shkreti Dante, të kish hequn ato që po hiqnim shqiptarët, kushedi ç’poemë tjetër do të kishte shkrue, jo me fantazi por real, të një ferri të vërtetë tokësor dhe jo aq bukur të shpikun e të shkruem para 600 vjet.

Erdhi mbrëmja dhe me të u kthyen edhe punëtorët nga puna rraskapitëse, burra e gra të sfilitun nga lodhja e mundimet në atë ditë acar. Hapësira e kazermës u mbush me zhurmë e zana. Ato që ishin tepër të lodhun shkonin e shtriheshin si të vdekur mbi shtresat e tyre ose, drejt mbi dërrasat, kush nuk kishte as shtrojë as mbulojë. Por duke qenë se qarkullimi ndër kazerma lejohej, njerëzit kishin nevojë me shkëmbye dy pare llafe me njeni tjetrin.

 

Kësaj radhe vëmendja ishte tek i vdekmi. Shumë prej punëtorve vinin me ngushullue t’afërmit e Gjokës e me i dhanë lamtumirën shokut të tyre të vuajtjeve. Të nesërmen ai varrosej, dhe punëtorët nuk i lejonin që ta përcjellnin në banesën e fundit. Për komandën, puna ishte kryesorja e s’donin të ia dinin për të vdekun e varrime. A s’kishin vdekë të gjithë?

 

Rreth meje u grumbulluan shokët e mi moshatarë, për me marrë vesh si shkoi vizita mjekësore, sepse sa kishin ardhë e kishin marrë vesh, ç’kishte thanë doktori. Këta ishin disa të rij shkodranë, të internuem me familjet e tyre, ndër ta: Gjosho Vasija, Karlet Luka, Suzana Topalli, Bush Derguti, Gjoni i vogël me motrat, Kristinën e Çelestinën, Reshit Mulleti, Sabri Daci, Abdurrahman Kaloshi, Avni Agolli, Tomorr Dine, e të tjerë. Unë isha tashmë njeriu i ditës.

 

Banim shaka per me lehtësue gjendjën shpirtnore. Gjosho Vasija, sidomos, që ishte i prirun nga humori dhe bejtet shkodrane. Unë u tregova atë që u kisha tregue të tjerëve. Se si fjalët e doktorit, ishin përhapë në të katër kazermat. Britma e mjekut ishte perciellë në gjithë kampin: Krisht i kryqëzuem! Kufomë e gjallë! Gjoshos nuk iu ndejt pa ba shaka: Hej Lek o Lek, Zoti ka vu dorë mbi ty që t’i ka çue ato plagë, për mos me të qit në punë. Me qenë na i kishte dhanë edhe ne të tjerëve!

Apeli i mbramjës bëhej nga tre kapterra me marshall Syrjajn në krye, në rolin e Sigurimit, që kalonin nga skela në skele, për të shikue mos mungonte kush. Ato tashmë i njihnin t’internuemit një për nji. Kapter Selfo me Pretashin, u ndalën para vendit të të vdekmit, ku la porositë për varrimin e të nesërmes. Pretashi, do të caktonte njerëzit që do të merreshin me atë punë.

Për ta përcjellë, vetëm disa pleq e gra nga t’afërmit mirditorë të të ndjerit Gjok Kadeli. Asnjë nga radhët e punëtorve. U bë ora tetë, ishte e ndalueme me lëvizë e me bë zhurmë në kazermat. Kur u fikën llambat elektrike, të gjithë ranë me fjet. Siç tregova ma sipёr, më kishin caktue roje nate me turn katër orësh bashkë me një tjetër për kontrollin e qetësisë. Të gjithë flinin dhe qetësia mbretnonte e plotë.

Për rojet lejonin të ndizej një sobë e vogël sa me ngroh duart. Shokët me kishin furnizue me dru, që ta mbaja sobën ndezun, sepse nata ishte shumë e ftoftë. Atë natë ndejtën aty me mue, deri sa u fikën dritat. Njëni prej tyne, më tha se ishte Zoti që më mbronte sepse të tilla plagë, nuk mund t’ekzistonin, aq të çuditshme ishin. Duhej qeshun nganjëherë.

Zjarri ishte i ndalueme rreptësisht brenda kazermës. Vetëm jashtë në një kazermë të shkatërrueme nga lufta italo-greke, lejohej ndezja e zjarrit, ku mund të përgatitej diçka për të ngrënë. Gratë mund të vinin ndonjë kusi për me la teshat e fëmijëve. Burrat, ndiznin ndonjë zjarr për t’u ngrohun, ku mblidhëshin rreth tij me shkëmbye llafe mes tyre.

Kështu atë natë, kur të gjithë shkuan me fjet, unë u mora me sobën. Megjithëse ishte e ndalueme me mbajt edhe prush brenda kazermës, por duke qenë se policët nuk hynin aty natën, unë i furnizova me prush tre gratë që ruanin xhenazen, që mbanin një kusi si mangall. Të ftohtit ishte i thekshëm. Të gjithë flinin në gjumë të thellë, të shkëputun nga mundimet e ditës. Mbretëronte heshtja dhe errësira. Vetëm një bishtuk vajguri rrinte i ndezur, ku ruhej i vdekmi.

Kishte njerëz që nuk kishin as shtresë as mbulesë e flinin mbi dërrasat të mbledhun kruspull. Të tjerë mbështilleshin në teshat e tyre të vjetrueme e të pa lame prej vitesh. Qeveria nuk kishte vu dorë aspak, as për shtrojë e mbulojë, as rroba veshje, krejt ndryshe nga kampet naziste, ku ato plaçka ishin të sigurueme. Sepse kur kishin arrestue e stivosë në kamionët si thasë me patate, u kishin lanë vetëm rrobat e trupit, pa i lejue me marrë me vete plaçka të tjera.

Në mesnatë erdhi e më ndërroj Ded Pjetri, që si mua nuk e nxirrnin në punë, nga që ishte sakat nga një dorë. Ndërsa u nisa për me fjetë, iu urova natën e mirë grave që ruanin Gjokën. Në ato çaste sikur pata ndjesinë se gratë mëshironin ma tepër mue, si kufomë të gjallë, se sa Gjokën e shkretë të vdekun.

Ai doktori më kishte qitë namin e zi. Vrapova e u ngjita në vendin tim ku u strehova nën mbulesat e leckosuna e të pista. Duhet të flija mbi kurriz, duke i mbajtë duert mbi gjoks. Ndryshe nuk mund të rrija. Ajo ditë kishte qenë plot ngjarje, sa që m’ishte duke tepër e gjatë.

Njoftimi i vdekjes së Gjok Kadelit, i shkreti njeri…. ! Vizita mjekësore…. ! Doktori i tmerruem…. ! Krisht i kryqëzuar…. ! Kufomë e gjallë…! Kisha mbet krejt vetëm…! Mama atje larg n’atë fermë të Lushnjës…! Vëllai dytë, Genci, në burg, po ku…? ….që nuk kishim as një lajm prej tij…?! Valentini atje në repartin special, duke pre lisa…në atë kasolle dhensh…!

Po im atë…? Ai për bukuri… në ndonjë hotel t’Athinës (siç na thonin)…Po ne…ne…? Si do të na vente halli…?! Qepallat m’ishin randue e rashë në gjumë të thellë. Edhe një ditë kishte kalue nga ato që do të vinin të pandalshme e të panumërta, deri kushedi se kur!

Kjo ngjarje me frymëzoj me radhitë nji vjershë «Ballada e bukës», që përmbledh atë mjedis dhe atë atmosferë të kobshme ku të gjallë e të vdekun, e ndanin racionin e bukës së bashku, ushqim i bekuem, deri në çastin e fundit i shtrënguem në gjoks si relike e shenjtë…!

Poezinë e kisha shkrue në një letër kaushi duhani, që pasi e mësova përmendsh, e grisa. Po ta gjenin një shkrim të tillë, të priste burgu por edhe pushkatimi, siç kishte ndodhun me të tjerë. Ma vonë bana edhe një vizatim. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 25/02/2023 01:59

    Ndryshe nga kampet naziste nuk kishit shtroje,por ama nuk kishit as dhoma gazi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    7 Dhjetor, 15:58

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?



×

Lajmi i fundit

Rikthehet dëbora në Veri, zbardhet Vermosha

Rikthehet dëbora në Veri, zbardhet Vermosha