Miratimi i disa ndryshimeve lidhur me funksionimin e Komisionit të Çmimit të Barnave, synon ta shmangë abuzimet me çmimet e ilaçeve si dhe garantimin e plotë të furnizimit me ilaçe. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala tha se me këto ndryshime, mundësohet edhe një treg farmaceutik më i sigurt.
“Garantimin e disponibilitetit të barnave në treg, duke shmangur çdo rrezik për mungesa, veçanërisht për barnat që janë alternativa të vetme në listën e rimbursimit apo në përdorimin spitalor. Në funksion të transparencës është parashikuar edhe një dispozitë e veçantë për vitin 2026, e cila i jep Komisionit të Çmimit të Barnave mundësinë për të rivlerësuar çmimet brenda një afati të shpejtë me qëllim shmangien e çdo rreziku për tërheqje të barnave nga tregu’, tha Sala pas mbledhjes së qeverisë.
E pyetur lidhur me rimbursimin e barnave për diabetikët, ministrja dha këtë premtim.
“Brenda vitit 2027 rimbursojmë të gjitha barnat për të sëmurët me diabetin e tipit 1”, theksoi ajo.
Lidhur me denoncimin e deputetit demokrat Tritan Shehu se në laboratorin e QSUT-së prej 20 marsit nuk kryhen analiza, Sala premtoi zgjidhje brenda vitit.
“Besoj keni vënë re se jemi munduar që të mos mungojnë barnat ka pasur mungesa, por gjithmonë e më pak. me hyrjen në fuqi të këtij vendimi synohet që të mos ketë mungesa. Kemi punuar që t’i adresojmë në kohë reale, për të zgjidhur probleme konkrete.
Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, tha Sala.
Ministria foli edhe për Sterilizimin, shërbim që prej 3 javësh i ka kaluar shtetit, duke garantuar se po funksionon më së miri. Në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe projektligji për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026–2030, një dokument strategjik i cili synon të garantojë që çdo fëmijë në Shqipëri të ketë akses real dhe të barabartë në shërbimet bazë.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala u pyet nga gazetarët për koncesionin e sterilizimit, i cili pas 10 vitesh i ka kaluar shtetit. Sala tha se po mbahet në monitorim dhe se deri më tani ka funksionuar shumë mirë.
“Koncesioni i ka kaluar shtetit, ka 3 javë që i ka kaluar shtetit. U ngrit kapaciteti dhe po funksionon shumë mirë. Është ngritur shoqëria dhe po bëhet punë shumë e mirë, po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme”, tha Sala.
Ndërkohë, ajo tha se brenda vitit 2027 synojnë të rimbursojnë trajtimin për personat e prekur nga diabeti tipi 1.
Komente









