TIRANË - Rrëzimi i njëpasnjëshëm nga Kuvendi i kandidaturave të propozuara nga Presidenti, është pasuar tashmë me hartimin e një pr/ligji, i iniciuar nga katër deputetë të shumicës, të cilët sugjerojnë ngritjen e një trupe këshillimore pranë Presidentit të Republikës, që do të quhet Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë.
 
Ky Këshill rekomandohet të ketë në përbërjen e tij kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm, nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një anëtar të Gjykatës së Lartë.
 
Ndryshimet ligjore propozojnë që kjo strukturë do të bëjë vlerësimin e kandidaturave dhe në bazë të raportit të saj, presidenti do të jetë ai që do të bëjë përzgjedhjen. Sipas nismëtarëve, qëllimi i ngritjes së kësaj trupe këshillimore pranë Presidentit, me përfaqësues të gjyqësorit, është ulja e ndikimit politik në procesin e dekretimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
 
Deri tani, mazhoranca e majtë i ka rrëzuar presidentit çdo dekret për emërimet në Gjykatën e Lartë, duke e cilësuar procesin jo transparent dhe shumë subjektiv, gjë që ka çuar në mbajtjen vakante të tre vendeve në këtë institucion.
 
Ligji “Për Gjykatën e Lartë” është ndryshuar për herë të fundit më 30 maj 2013 kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Miratimi i tij në atë kohë ishte një nga tre kushtet e vendosura nga Brukseli që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat në BE.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)