Ndryshimet në ligjin për 'Urdhrin e Mjekëve', Koçiu: Shmanget konflikti i interesit! Rritje e transparencës dhe përmirësim i shërbimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu prezantoi sot në Kuvend ndryshimet në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve”, të cilat sipas saj kanë për qëllim forcimin e mekanizmave të kontrollit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve mjekësore në sektorin publik për qytetarët.

“Propozimi i këtyre ndryshimeve është pa dyshim një nga nismat më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë sa i përket marrëdhënies së punësimit dhe angazhimit të mjekëve në sektorin shëndetësor publik. Konkretisht këto ndryshime konsistojnë në vendosjen e rregullave të qarta për të shmangur konfliktin e interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri të ditur se “u ndalohet drejtuesve të spitaleve publike të çdo niveli që të jenë drejtues të klinikave shëndetësore private në çfarëdo niveli qofshin Këto ndryshime do të sigurojnë shërbim edhe më cilësor ndaj qytetarëve, por dhe një imazh më të pacënuar për mjekët tanë”.

Gjithashtu, vijoi Koçiu, këto amendime synojnë vendosjen e rregullave për dypunësimin e mjekëve duke përcaktuar një balancë të domosdoshme dhe të drejtë, mes punës në sistemin publik dhe atë jo publik, sigurisht pa cënuar asnjë të drejtë që kanë mjekët për dypunësimin.

“Kjo është bërë për të siguruar që prioriteti i tyre të mbetet tek shërbimet publike dhe për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve, pa i dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike. Gjithashtu, do të miratohet edhe Kodi i ri I Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore me qëllim monitorimin e plotë të rasteve abuzive dhe shkeljeve të disiplinës dhe etikës profesionale. Duke forcuar masat disiplinore deri edhe duke parashikuar masa si pezullimi dhe heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut”, nënvizoi Koçiu.

Nga ana tjetër, vijoi ministrja, kemi garantuar respektimin e procedurave të ankimimit administrativ dhe gjyqësor, duke siguruar drejtësi dhe transparencë në shqyrtimin e ankesave.

“Gjithashtu fokus i jepet autonomisë spitalore, nëpërmjet këtyre amendimeve, mjekët që punojnë në një spital me autonomi financiare, nuk do të punojnë në struktura private, pasi do të jetë vet spitali autonom që do u jap mundësinë të punojnë e shfrytëzojnë ambientet e spitalit publik, jashtë orarit zyrtar për të punuar privatisht. Nëpërmjet këtyre amendimeve synojmë rritjen e Transparencës dhe llogaridhënies duke krijuar edhe një regjistër publik elektronik për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucione jopublike”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “amendimet e propozuara, janë në përshtatje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara. Në ligjet e vendeve fqinje të rajonit si Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, apo të Europës, si Franca e Italia, të Anglisë, Kanadasë dhe SHBA-së, ka kufizime e rregullime të qarta lidhur me dypunësimin e mjekëve”.

“Këto propozime i japin fund një situatë të trashëguar të konfliktit të interesit që gjerësisht mbizotëron në sektorin shëndetësor. Shmangin ecejaket e qytetarëve, rrisin cilësinë dhe standardet, si dhe krijojnë një mekanizëm të qartë dhe transparent për të gjithë”, shtoi ajo.

Ministrja Koçiu tha se “në asnjë vend të botës nuk ka debat mbi faktin që duhet të ketë transparencë dhe qytetari të njohë cili është mjeku që e trajton. Si dhe në asnjë vend, nuk ka një debat politik mbi nevojën e pasjes së rregullave  dhe procedurave të qarta disiplinore që vendosin drejtësi në rastin e shkeljeve apo neglizhencës. Siç nga ana tjetër, në asnjë vend të botës nuk diskutohet se përse janë kaq urgjente dhe të nevojshme këto ndryshime për t’u ndërmarrë kaq shpejt me Akt Normativ. Në këtë sallë, për fat të keq, ngritja e retorikave të zjarrta, sa herë që ne propozojmë reforma të rëndësishme me ndryshime thelbësore për të përmirësuar dhe zhvilluar akoma më tek sistemin tonë shëndetësor, është bërë një refren i zakonshëm dhe nganjëherë monotone”.

Sipas saj, është në interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve, qofshin ata të majtë apo djathtë, të gjithë pa përjashtim kanë nevojë për shërbime shëndetësore në sektorin publik, kanë nevojë të shmanget konflikti i interesit, të garantohet një shërbim sa më cilësor, të vendosen rregulla të qarta për dypunësimin, si dhe një balancë e rregullt mes  angazhimit publik dhe atij privat për mjekët

“Kemi ndjekur dhe i kemi përshtatur propozimet tona  me ligjet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara. Çdo masë e propozuar është e ngjashme ose në përputhje me kode të avancuara që këto vende aplikojnë. Që ta kuptoni më mirë rëndësinë e vendosjes së qartë të rregullave po ju rendis disa fakte të dala nga të dhënat e marra direkt nga “Urdhri i Mjekëve”, në lidhje me procedimet disiplinore të zhvilluara pranë tyre. Sipas këtyre të dhënave, qartësisht rezulton se për periudhën 2005 – 2023, janë administruar 632 ankesa, të cilat kryesisht janë mbyllur me mirëkuptim ose ballafaqim dhe në shumicën e rasteve nuk kanë kaluar në një vlerësim të thelluar nën optikën e parashikimeve  të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ka të parashikuar”, bëri të ditur Koçiu.

Ndërkohë, shtoi ajo, gjatë së  njëjtës periudhë kohore 18 vjeçare, janë trajtuar 110 ankesa, të cilat kanë kaluar në një gjykim disiplinor që lidhen  me shkelje të Kodit të Etikës, duke filluar nga mungesa e etikës së mjekut  deri dhe në gabimin mjekësor nga ana e tij.

“Në përfundim të shqyrtimit të këtyre 110 procedimeve disiplinore janë dhënë nga organi kompetent vetëm 60 masa disiplinore, edhe ato simbolike. Pra kuptohet qartë se për një periudhë 18 vjeçare numri i procedimeve ka pasur një mesatarë shumë të ulët, dhe akoma më e ulët ka qenë dhënia e masave disiplinore. Padyshim dua të sqaroj këtu se që nuk është qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe mbrojtjes Sociale të rrisë numrin e ndëshkimeve. Ne nuk kemi asnjë interes që të rrisim artificialisht numrin e rasteve të hetuara apo të kaluara në Komisione Disiplinore. As të “trembim” mjekët, siç u tha përpara disa ditësh në Komisionin e Shëndetësisë”, nënvizoi Koçiu duke shtuar se ne nuk mund të lejojmë që përpara rasteve flagrante, sidomos kur neglizhenca cënon jetën apo sjell dëme të pakthyeshme tek qytetari, të mbyllim sytë.

Ministrja Koçiu u shpreh se “vota për të mbështetur këto mendime që ky Kuvend do të marrë, do të rrisë akoma më shumë  profesionalizmin, llogaridhënien dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët. Do të votoni në mbështetje të vijimit të transformimit radikal që ka ndodhur dhe po ndodh në sistemin tonë shëndetësor. Do të votoni pro pasjes së rregullave të qarta, që balancojnë interesin e të gjithë palëve të përfshira dhe që kërkojnë shërbim shëndetësor nga strukturat publike. Si dhe do të votojë pro thellimit të meritokracisë në sistemin tonë shëndetësor. Do të votoni pro qytetarëve që duhet të jenë prioriteti i çdo kahu politik”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:43
Skandali te Onkologjiku, Gogu: Tani duhet një pikë kthese, nevoja është urgjente! Të rregullojmë dypunësimin e mjekëve

 

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, duke folur sot në Kuvend për aktin normativ të qeverisë për Urdhrin e Mjekut, tha se pas asaj që ndodhi te Spitali Onkologjik, nuk ka më asnjë arsye për të vonuar ndryshimet ligjore.

“Ndryshimet që ne propozojmë nuk janë rregullore abstrakte; ato janë përgjigje ndaj dhimbjes dhe tradhtisë së përjetuar nga këta qytetarë. Kur pacientët që tashmë po luftojnë për jetën e tyre përballen me sisteme korruptive dhe praktika shfrytëzuese, bëhet e qartë se ne i kemi dështuar në mënyrën më themelore. Dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që dështime të tilla të mos ndodhin më kurrë”, tha Gogu.

Gogu theksoi se është e papranueshme që të mund të ketë një nënë tjetër, një baba tjetër, një fëmijë tjetër që hyn në spital, i pasigurt nëse do të marrin kujdesin që meritojnë.

“Duke zbatuar rregulla të qarta për punësimin e dyfishtë dhe transparencën në ndërveprimet mjek-pacient, jo vetëm do të parandalojmë konfliktet e interesit që kanë pllakosur sistemin tonë shëndetësor, por do të rindërtojmë edhe besimin e humbur. Ne duhet të krijojmë një regjistër publik ku çdo mjek të jetë përgjegjës, ku çdo qytetar të shohë se kush është përgjegjës për kujdesin e tij dhe ku nuk ka vend për monopole apo shfrytëzim”, u shpreh Gogu.

Në vijim të fjalës së tij deputeti i PS tha se skandali te Onkologjiku duhet të jetë “një pikë kthese, një thirrje zgjimi që na detyron të veprojmë - jo më vonë, jo pasi të jetë bërë më shumë dëm - por tani”

“Urgjenca është e qartë. Nevoja është e pamohueshme. Le t'i kalojmë këto ndryshime jo thjesht si një detyrim ligjor, por si një imperativ moral. Qytetarët e Shqipërisë po shikojnë dhe kanë besim tek ne për të ofruar sistemin e kujdesit shëndetësor që meritojnë – transparent, të përgjegjshëm dhe gjithmonë në shërbim të mirëqenies së tyre”, u shpreh Gogu.

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Viti ri: 12/09/2024 17:50

    Per mendimin tim Ky ligj eshte shume i mire ama duhet rritje pagash dhe te futet ne fuqi ne 2025 si ligj per arsye qe te shikohet sa mjek Jane qe te mos kete mungesa ne shtet pra publik , madje spitalet publike duhet te kene 5 % mjek me shume sesa nevojiten duke ul keshtu probabilitetin nese nje mjek largohet ne austri a gjermani , pra nese nje spital ka nevoje per 100 mjek mire do ishte 5% me shume te punesoheshin pra 105 mjek qe te jete nje rezerve e Vogel sigurie! Ligji mir do ishte te hynte nga viti 2025 ne fuqi ne fillim meqe u be censusi te shikohet sa mjek iken sa perqind sa mjek Jane dhe sa mund te ikin qe te mos mbetemi pastaj ne 2025 duke kerkuar mjek nga Bangladeshi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)