Ndryshimet në taksim, Rama:Ulje
taksash për 95% të shqiptarëve

Ndryshimet në taksim, Rama:Ulje<br />taksash për 95% të shqiptarëve
TIRANE- Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri Edi Rama është ndalur tek situata ekonomike e financiare në vend.

Kryeministri ka theksuar se qeveria që ai drejton është duke diskutuar intesivisht lidhur me hapin e parë të qeverisë në funksion të mëkëmbjes së financave të vendit.

Edhe pse trashëgojmë një ekuilibër tërësisht shqetësues, Rama u shpreh se qeveria ka marrë përsipër përgjegjësinë për rimëkëmbjen e situatës ekonomike.

"Qeveria nuk do t’u ikë përgjegjësive, duke lënë këtë katrahurë e duke u shfajësuar se autorët e katrahurës janë të tjerët", deklaroi Rama.

Ai ka premtuar ulje graduale të të deficitit, përfundim të projekteve të lëna në mes, financim projektesh të reja,sistem të ri taksimi dhe mbështejte nga FMN dhe BB dhe zhvillim të ri të vendit.

rama
(Foto: Mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar për buxhetin dhe paketën e re fiskale)

RAMA: TRASHËGOJMË NJË EKUILIBËR TËRËSISHT SHQETËSUES
"Jemi duke diskutuar intesivisht lidhur me hapin e parë të qeverisë në funksion të mëkëmbjes së financave të vendit. Para më pak se 100 ditësh ne morëm këtë përgjegjësi të lartë për të rimëkëmbur qeverinë dhe financat. E dinim që rruga do ishte e përpjetë, por fakti është se ajo është edhe më e përpjetë nga çfarë e parashihnim. Të dhënat dhe shifrat nga brenda murit, që dje në opozitë na pengonin të shihnim, janë edhe më të këqija se të dhënat që dispononim para të futeshim në qeveri. Trashëgojmë një ekulibër tërësisht shqetësues. Kurs i papërgjegjshëm, shpenzime të papërgjegjshme ngritur mbi shpenzime butaforike, investime mbi borxhe, minimum historik", tha Rama në fillim të fjalës së tij.

mbledhja e keshillit ekonomik

RAMA: QEVERIA E RE U GJEND PARA DEFICITIT SHUMË TË LARTË
"Qeveria e re u gjend përballë një defiçiti shumë të lartë dhe faturave të papaguara dhe këto fatura përbëjnë një shtetëzim me forcë të parave të shumë bizneseve, ku dhjetëra mijëra shqiptarë punojnë për të mira për shqiptarë të tjerë. Në formën e e refuzimit për të paguar punën e papaguar të kompanive, refuzimit për të paguar shpenzime për ilaçe etj. Gjithë kjo makineri ngeci, u bllokua dhe këto kompani hynë në telashe për të paguar punëtorët, bankat, që kishin marrë më parë hua. Edhe qeveria u gjend para telashit të pasigurisë financiare dhe u detyrua të marrë borxh në tregun e brendshëm. E gjithë kjo nuk është rruga jonë", u shpreh kryeministri Rama.  

mbledhja e keshillit ekonomik

RAMA: KJO QEVERI JO PËR T'I IKUR KATRAHURËS, POR PËR TË HAPUR RRUGË TË REJA
"Kjo është rruga që dëmton njerëzit, punët, dëmton mundësitë e një vendi për t’u rritur e begatuar. Kjo nuk është rruga jonë, rruga jonë është e përgjegjësisë, kursi ynë i përgjegjshmërisë për ekulibrat, financat dhe lirinë dhe rendin ligjor ekonomik, pasi qeveria nuk sundon mbi njerëzit, por punon për njerëzit dhe me njerëzit që ta forcojë ekonminë e gjithësecilit. Ne jemi qeveri e përgjegjshme, nuk do t’u ikim përgjegjësive, duke lënë këtë katrahurë e duke u shfajësuar se autorët e katrahurës janë të tjerët. Kjo qeveri është këtu për të zgjidhur problemet e trashëguara dhe duke ndërtuar hap pas hapi rrugë të reja për shqiptarët".

RAMA: DO T'I MBAROJMË PROJEKTET E PAPËRFUNDUARA DHE DO FINANCOJMË TË REJA
"Nuk jemi të lëmë pas projektet e papërfunduara që kemi trashëguar në një gjendje të mjerueshme. As për të hedhur poshtë të gjitha shpenzimet dhe paratë që janë harxhuar për t’i nisur ato projekte. Ne do t’i mbarojmë projektet që kemi trashëguar dhe do jemi të gatshëm të vazhdojmë me financimin e projekteve të reja, që do bëjnë të mundur mishërimin e aspiratave të njerëzve për një Shqipëri me edukim më të mirë, me shërbime më cilësore jetike: energji, ujë, ilaçe, turizëm, ekonomi prodhuese dhe punësim", u shpreh Rama.

RAMA: TË PASTROJMË LLOGARITË, MOS ABUZOJMË ME FUQINË PËR TË MARRË BORXH
"Ne jemi të vetëdijshëm se për të bërë të gjitha këto duhet të pastrojmë llogaritë dhe të vendosim rregull në librin e llogarive të qeverisë. Ashtu si një familje nuk mund të marrë borxh në rrugën e  mirëqenies dhe një qeveri nuk mund të abuzojë me fuqinë për të marrë borxh. Ne po përgatitemi të hartojmë një program që do vendosë me forcë që vendi mund të rritet ekonomikisht dhe të zhvillohet në të gjitha aspektet e aspiruara me të drejtë nga njerëzit e këtij vendi".

RAMA: MBËSHTETJE NGA FMN E BB, ULJE GRADUALE E DEFICITIT, ULJE E ABUZIMEVE
"Ne po diskutojmë intensivisht me FMN dhe BB dhe më gjerë me ndërkombëtarët për të marrë atë mbështetje që na duhet, që kapërcimi i këtij moment shumë të vështirë të bëhet më i lehtë. Kemi rënë dakord për një ulje graduale të deficitit në mënyrë që të na lejojë edhe rritje të ekonomisë sonë. Kjo është dakordësi themelore, për të cilën jemi mëse optimist, sepse mbi këtë dakordësi bazohet edhe kurajoja për të shkuar më tutje me një projekt që do të shumëfishojë përpjekjet tona për mbledhjen e taksave. Për goditjen kundër korrupsionit, uljen e abuzimeve, shpërdorimeve që gjatë gjithë kësaj kohe i ka ndeshur ballë për ballë qoftë qytetari, qoftë sipërmarrja private".

mbledhja e keshillit ekonomik

RAMA: TREGUAM SE MUND T'I RRISIM TË ARDHURAT, DO RISHOHIM SISTEMIN E TAKSIMIT
"Edhe në këto pak kohë e kemi treguar se ne mund t’i rrisim të ardhurat në mënyrë domethënëse, por dhe më domethënëse do të jetë rritja e tyre e bazuar në sa thashë. Ta themi hapur për t’i sjellë në rregull, pastruar llogaritë e trashëguara na duhet të rishikojmë sistemin tonë të taksimit. E kemi thënë më parë, hapur dhe jemi zotuar publiksiht se duam sistem taksimi të ndershëm dhe jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe do jemi të përgjegjshëm, që sistemi ynë i taksimit nga një anë të bazohet në parimin e solidaritetit, por nga ana tjetër të mos pengojë sipërmarrjen për t’u rritur dhe vetë ekonominë për t’u zhvilluar me prodhim dhe punësim si rrjedhojë e një sipërmarrjeje që rritet", deklaroi Rama.

RAMA: DO VENDOSIM NJË SISTEM TË NDERSHËM TAKSIMI, ULJE TAKSASH PER 95% TE NJEREZVE
Dua vetëm të nënvizoj se qysh në krye të herës ne kemi qenë shumë të qartë me partnerët tanë se do i qëndrojmë deri në fund parimit tonë themelor kush fiton më pak do paguaj më pak dhe për 95% të njerëzve do të ketë ulje taksash. Do të kërkojmë më shumë nga kompanitë. Taksa e sheshtë 10 % për ne nuk përmbsush as qëllim për të cilin është vendosur, e aq më pak qëllimin tonë për një taksim të ndershëm. Në kushtet kur duhet të përballemi me një mal me borxhe që e kemi përpara rrugës tonë, dhe duhet ta heqim. Kemi qenë gjithmonë të bindur se taksa 10 % ka qenë një fasadë pas së cilës 95% e kompanive janë ndeshur me një forcë abuzive, që i ka detyruar të paguajnë shumë më tepër, por jo për llogari të qeverisë, por të korrupsionit, apo paaftësisë për të përballuar nevojat e buxhetit, duke u shkaktuar dëme biznesit. Ne jemi të bindur se ajo që e zhvillon sipërmarrjen në kushtet tona, nuk ështe një taksë e ulët në një mjedis aspak të sigurt. Ne besojmë në hapësirën ku kjo taksë mund të rritet dhe në mjedisin që duam të garantojmë bashkarisht për të siguruar se paguhet vetëm ajo që shkruhet dhe nuk paguhen një sërë gjërash të pashkruara për të mbushur arkën bosh.

Ne nuk do t’u kërkojmë kompanive të paguajnë më shumë pa marrë përgjegjësinë që t’u kthejmë atyre borxhin që u ka shteti. Pagesa e këtyre borxheve për kontratat e nënshkruara nga qeveria apo për vlerën e parimbursuar ende të TVSh përbën jo vetëm një detyrim ndaj kompanive, por edhe një instrument për të nxitur ekonominë. Kështu do t’u japim mundësinë krijuesve kryesorë të vendeve të punës, të marrin frymë, të ecin përpara dhe të hapin vende të reja pune.

Ne besojmë se duke iu dhënë mundësinë kompanive të shlyejnë detyrimet e tyre ndaj bankave jo vetëm që do të ulin në mënyrë të konsiderueshme nivelin, (sot alarmant), të kredive të këqija, por edhe do të rritet interesi i bankave për të dhënë kredi.

RAMA: SFIDA JONE, RRITJA EKONOMIKE E QENDRUESHME
E gjithë kjo do të jetë një bazë dhe vetëm një fillim i ri dhe i mbarë për të krijuar kushtet që të shkojmë më tutje me strategjinë tonë të rritjes ekonomike, duke dhënë në radhë të parë më mbështetjen e komunitetit europian, sinjalin e qartë se ky vend ka një pozicion financiar stabël, të besueshëm dhe të përgjegjshëm.

Sfida është e gjitha përpara, dhe është rritja ekonomike. Rritja e një ekonomie prodhuese që krijon vende të reja pune. Ne nuk mund të vazhdojmë të bazohemi tek një model ekonomik që bazohet tek remitancat, dërgesat e emigrantave, të cilët kanë ardhur duke u ulur.

Ne na duhet një strategji rritje, që ata emigrantë që kthejnë sytë nga Shqipëria të shohin këtu perspektivë dhe klimë të mirë për çdo nismë të tyre private.

RAMA: DO HEQIM TAKSEN PËR BIZNESIN E VOGËL
Kreu i qeverisë ka theksuar gjithashtu se qeveria që ai drejton do të mbajë edhe një tjetër premtim të bërë gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit, për heqjen e taskës për biznesin e vogël.

“Ne do t’i qëndrojmë edhe një zotimi tjetër të rëndësishëm, për t’u hequr ankthin të gjithë atyre që jetojnë më një biznes të vogël, ne do të heqim taksën për biznesin e vogël, dhe do ulim tatimin e fitimit për këtë kategori. Duam të stimulojmë sa më shumë vetëpunësimin, dhe këtë praktikë që ndihmon në jetesën e ndershme të dhjetëra familjeve shqiptare”, tha Rama.

Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit