PS-PD arrijnë paktin, ‘Ligjet’ miratojnë Reformën Zgjedhore! Mbyllet 1/3 e listës, i hapet rrugë votës së diasporës! Alibeaj kundër: Pazar, i dhuroni Ramës mandatin e 4

TIRANË- Nuk ka më dilema! Lista e kandidatëve për deputetë nuk do të jetë tërësisht e hapur ndërsa kandidatëve nuk do u duhet më të thyejnë një herës për të siguruar mandatin në Kuvendin e Shqipërisë. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën me urgjencë një pakt, i cili reflekton ndryshimet në listat e kandidatëve për deputetë.

Sipas paktit, lista do të jetë e ndarë në 2 pjesë: një e treta e saj do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë dhe nuk i nënshtrohet votës preferenciale. Kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët, çka do t’i japë automatikisht të drejtën për tu ngjitur në renditje e për të shpresuar në fitoren e mandatit.

"Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes”, thuhet në draft.

Pra, nëse në qarku i Tiranës ka 36 mandate, 12 të parët e listës janë në zonë të sigurt për një karrige deputeti dhe 24 të tjerët votohen. Tashmë fakt është edhe adresimi i votës së diasporës. Siç më herët palët kishin konfirmuar, do të votojnë të gjithë emigrantët, rezidentë ose jo, ndërsa do të jetë KQZ që do të bëjë administrimin e votës së tyre.

Në projekt-ligj PD e PS kanë hequr edhe pragun 1% në rang kombëtar për kandidatët e pavarur, ndërsa është hequr edhe favori që në zgjedhjet e 2021 kishin kryetarët e partive, që lejoheshin të garonin deri në 4 zona zgjedhore: tashmë njëjtë si të tjerët ata kandidojnë vetëm në një qark.

Miratimi në komisionin e Ligjeve i projektligjit të dakordësuar mes PD e PS kaloi jo me pak debate. Sula dhe Alibeaj kritikuan draftin, ndërsa thanë se u dorëzua nxitimthi vetëm 30 minuta para nisjes së mbledhjes. 

“S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, skam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu. Nisma të tjera që do diskutohen sot janë totalisht kot”, tha Sula.

Enkelejd Alibeaj, i vetmi që votoi kundër, foli me tone të ashpra duke thënë se ky projekt-ligj i jep në tavolinë mandatin e katërt Edi Ramës. E ndërsa për PD, thotë se po sigurojnë që të kapin ndonjë karrige në zgjedhjet e 2025.

“Ajo se çfarë po bëhet sot, nuk është se po bëhet një Reformë Zgjedhore e minutës së fundit, me një Pazar të bërë natën fshehtas, sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës në tavolinë. S’ka nevojë sot më për zgjedhje, e ka marrë, e ka blerë pushtetin dhe mandatin e katërt. Dhe bashkë me të mbetet e vetmja gjë, si të ruajmë ndonjë karrige për vete”, tha Alibeaj.

Jo pak rezerva edhe nga deputeti demokrat Dashnor Sula. Gjithsesi Sula bashkoi votën me të tjerët, dhe projektligji do të kalojë të premten në seancë plenare, ku duhen të paktën 84 vota, që pakti mes palëve duket se I ka siguruar. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:04
Votohet në parim vota e diasporës te ‘Ligjet’, vetëm Alibeaj kundër: Pazar

1721843653_bardhi.jpg

Në Komisionin e Ligjeve është miratuar në parim vota e diasporës. Të gjithë deputetët votuan pro, përveç Enkelejd Alibeajt, i cili tha se ishte një votë kundër pazarit PD-PS.

“Nuk ishte votë kundër diasporës, por kundër pazarit tuaj, se doni ta konsideroni kavie eksperimentale diasporën, është fyerja më e madhe që mund ti bëhet”, tha Alibeaj.

Ora 19:58
‘Zgjedhorja’, Bardhi: Të gjithë jemi produkt i listave të mbyllura, bie ‘teoria e lëpirjes’! Vota e diasporës arritje

 

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi në Komisionin e Ligjeve tha se nëse palët do arrijnë të realizojnë votën e diasporës do jetë një arritje. Ndërkohë, sa u takon kritikave për 1/3 e listës së mbyllur, Bardhi tha se deputetët që janë zgjedhur në zgjedhjet e 2021 janë produkt i listave të mbyllura dhe me ironi tha ndaj deklaratave të Alibeajt se bie ‘teoria e lëpirjes’ te kryetari.

Unë mendoj që diskutimi në këtë fazë të punës duhet ta bëjmë me qetësi pa populizma dhe me këmbë në tokë, e gjithë retorika e kolegëve bie, se të gjithë këtu jemi produkt listash, produkt listash të mbyllura, kështu që bie ajo teoria që ky i lëpihet këtij apo atij, do ishte shumë mirë të bënim një diskutim më të gjatë, por fakti është që ashtu siç është kodi zgjedhor sot, listat janë të mbyllura, sipas dispozitave që ka ngel në këmbë. Në zgjedhjet e kaluara, vetëm 3 deputetë e thyen herësin, me këto ndryshime, qartësisht do hyjnë 10 fish më shumë deputetë me lista të hapura. Unë mendoj që edhe zgjidhjet ekstreme, ky është një test, fazë bast i atyre që kanë propozuar këtë sistemin, por qartësisht është progres në raport me sistemin që kishim. Për mua më shumë rëndësi nuk ka kjo historia e sistemit zgjedhor, për mua është arritje shumë e madhe që të bëjmë efektive votën nga jashtë. Kjo është një arritje nëse do miratohet.

Ora 19:49
‘Zgjedhorja’, Sula: Dita e dytë e zezë pas 2008-ës, 102 deputetë s’do votohen! Vota ime kundër, s’jam lëpirës

 

Deputeti i PD, Dash Sula ka shprehur votën kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa ka kundërshtuar 1/3 e listës që pritet të jetë e mbyllur. Kjo sipas Sulës, do të sjellë që 102 deputetët s’do kenë mundësinë që të votohen nga qytetarët.

Sula e cilësoi këtë draft, si dita e dytë e zezë pas asaj të prillit 2008 kur u votua për ndryshimet ligjore. Sula tha se do votojë kundër dhe të paktën s’do mbahet mend si lëpirës. Ndërsa, shprehu mbështetje vetëm për votën e emigrantëve.

“Kjo do mbahet mend si dita e dytë e zezë pas prillit 2008, ku shumica e kolegëve vajtën e votuan me kokën në thes dhe e panë se ca u ndodhi në zgjedhjet e vitit 2009 që u fshinë nga listat. Ajo që thoni ju larg asaj times, ishalla po shpëtoj unë, do ju djegë, por do ju djegë kur të shkojë lista në 12 të natës nga Damian Gjiknuri në KQZ. Për çfarë jemi në këtu deputetë, një të nënës dhe të babës, fisit tonë, apo jemi deputetë që përfaqësojmë qytetarët. Pse ia hiqni mundësinë që të votojnë për çdo deputet. PS nëse ka merakun e jakës t’i zgjedhë ministra e zv.ministra. Qytetarët kanë mundësi të zgjedhin deputetin e tyre dhe ju ja hiqni, i thoni do i zgjedhim ne. Vazhdoni në marrinë tuaj se s’do ketë mundësinë që të votohen 102 deputetë. Pse keni frikë nga vota e qytetarëve. Në momentin q ë kryetari i partisë ka zgjedhur që 14 figura në qarkun e Elbasanit, pse ia hiqni mundësinë, që më i bukuri të ketë mundësinë të hyjë deputet, ndërkohë unë i shëmtuari që marr më shumë vota mos ta kem mundësinë të futem deputet. Kjo është tallja me qytetarët shqiptarë. Ky vend po ngelet peng i politikës së vjetër, që unë e refuzoj dhe e përbuz dhe deri ditën që do jem këtu do mbajt qëndrimet e mia dhe se kam fare merak do jep deputet apo jo. Ashtu sikundër kam votuar kundër në 2008 do të votoj kundër edhe tani. Nuk e kam merak fare nëse do të jem ose jo në 2025 deputet, por të paktën nuk do të mbahem mend si lëpirës.

Ora 19:40
‘Zgjedhorja’, ironizon Dash Sula: Ajkë më të mirë se unë nuk ka, por t’i Gjiknur do futesh në listën e sigurt se je më i bukur

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula ka ironizuar në Komisionin e Ligjeve draftin për Zgjedhoren, ku 1/3 e listës sipas propozimit të PD e PS do jetë e mbyllur. Ndërsa po fliste për pjesën e listës së mbyllur te deputetëve, Sula me ironi tha se do e mbështeste vetëm nëse ky sistem mbronte ajkën e dy partive, Ramën e Berishën, ndërsa po me ironi shtoi se ajkë më të mirë se ai nuk ka.

Deputetët shpërthyen në të qeshura, ndërsa Sula tha se Gjiknuri do futet në listë të sigurt se është më i bukur se ai.

“Argumenti i sotëm që vjen këtu për ajkën politike, nuk qëndron. Flitet që është 30% e listave e mbyllura. Po kthehem në rang të Republikës, do kishte logjikë që mbyllja e listës 1/3 vlente dhe do e përqafoja që të mbronin ajkën e partisë, nëse sipas llogarisë 7 herë 7 bëjnë 42. Unë di që ka vetëm një ajkë, super ajka Edi Rama, dhe një ajkë shumë më e mirë që ka 34 vite Berisha. S’do e pranoja kurrë që mund të ketë ajkë më të mirë se sa mua. Unë me të vërtetë jam i shëmtuar por di të prodhoj politikë, por se ti je më i bukur Gjiknuri do jesh i garantuar.  Mos u tallni me qytetarët, sepse po përdor fjalinë urte, po i rreni dhe i keni mbushur me lugë bosh. Siç e tha Myslim Peza kur u tha fshatarëve, baba na the gjatë luftës që kur të fitojë komunizmi do hamë më lugë floriri, por të keqen baba tha i thash, por do ha për vete jo për ju. Është e turpshme për PS dhe opozitën e cila është e pafuqishme dhe për shkak të çmendurisë dhe eksitimit kolektiv që pati në 2019 dhe la fushën bosh. Do kemi më keq nëse kjo mazhorancë fiton një shumicë të cilësuar votash, mjerë ku do bie e ky vend. S’do kemi më këtu shtet demokratik dhe flasim kot”, tha Dash Sula.

Ora 18:56
Alibeaj ia thotë në sy Gjiknurit: Ma kërkove primin, por s’ta dhashë! S’bëj Pazar me votën e shqiptarëve

 

Enkelejd Alibeaj ia tha në sy deputetit socialist Damian Gjiknuri se i ka kërkuar që të bënin një marrëveshje për primin, por ai thotë se s’ka pranuar të bëjë Pazar me votën e shqiptarëve.

Kjo është asryeja përse ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk u bënë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, por u zhvendos në grupin e dialogut me deputet e Berishës.  

“Kërkove primin, por nuk ta dhashë! Ky është qartësisht një Pazar, produkt në errësirë, merr kuptim fakti përse nuk e bëtë reformën zgjedhore në komisionin e reformës zgjedhore, për primin, ja ku e more këtu e more primin, se nuk e more dot kur bashkëjetonim bashkë, e kërkove apo jo, por nuk e more dot primin, unë Pazar me votën e shqiptarëve nuk bëj! po i jepni mandatin e 4 Damian Gjiknurit e Ramës, ky është tërmet! Tërmet në tavolinë, me letra.

Ora 18:50
Alibeaj për Reformën Zgjedhore: Do hyjnë në Kuvend ata që do i lëpijnë menderen e Kryetarit

 

Deputeti opozitar Enkelejd Alibeaj ka vijuar me kritikat në Komisionin e Ligjeve ku po diskutohet drafti për reformën Zgjedhore i dakordësuar mes PS dhe PD. Sa i takon propozimit për 1/3 e listës së mbyllur, Alibeaj thotë se ky është sistemi i lëpirjes së menderes së kryetarit, ku një grup deputetësh do futen në listë dhe do zgjidhen deputetë me zero vota.

Pazari sipas Alibeajt është që PS të mbajë pushtetin dhe PD të mbetet në opozitë. 

"Pazar, ju mbani qeverinë, pjesa tjetër mban opozitën. Çështja e herësit meqë është edhe më e prekshme, sipas llogarive, 30% e listës është e mbyllur që do të thotë nga 46-47 deputetë të parlamentit tjetër do jenë deputetë edhe sikur 0 vota të marrin. Tirana ka 36 mandate, 1/3 janë 12. Do të thotë nga i pari tek i 12, sikur 0 vota të marrin, këta janë deputetë. Nga i 13 e me radhë do ketë një garë. Po një parti që nuk merr dot 12? Miminalisht 46-47 janë prurje e kryetarit. Më falni cila është ajo parti e madhe që merr kaq? Vetëm PS. Çdo parti tjetër që ka qenë e madhe, por nuk është më e tillë, me pak gjasa e kap këtë listë. Është rikthim tek listat e bllokuara të 2008. Ishte mirë herësi 10 mijë vota, se ndonjë si Majko e kalonte. Sot s’ka më herës. Ndahet në dy shtresa, deputetët e privilegjuar, janë aty për një arsye se lëpijnë mendrën e kryetarit. Ka ca deputetë të tjerë që përpiqen, që do të lëpijnë menderen e qytetarit. Ky sistem që është sot është sistemi i lëpirjes së menderes të kryetarit, është mirë që kemi një sistem të lëpirjes së menderit të qytetarit. Lërë te hapur, kush e merr hallall. Do i dalë kundër kryetarit. Ky është demokratizim i partive politike", tha Alibeaj. 

Ora 18:25
Reforma Zgjedhore, Mediu: Proces i dështuar, nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme

 

Fatmir Mediu në Komisionin e Ligjeve tha se Reforma Zgjedhore me ndryshimet që po bëhen është e dështuar, pasi nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Meqë kam qenë herë pas here anëtar I këtij grupi (të dialogut) u ngrit për të adresuar rekomandimet e OSBE, nuk ka asnjë lloj vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme. Proces i dështuar dhe nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjitha elementët e tjera janë të pavlerë. Në këndvështrimin tonë, dy elementë ishin të rëndësishëm, koalicionet zgjedhore dhe me ndëshkimin e atyre  që grabisin zgjedhjet. Nëse partitë politike janë tribale, vënë kandidatë tribalë, dhe nëse partitë demokratike janë demokratike, kandidati më i ri ka të njëjtat të drejta siç ka politikani i vjetër. Nëse nuk ndodh ky rotacion për shkak të votës së qytetarëve, ky është proces i emëruar”, tha Mediu.

Ora 17:52
Lista 100% të hapura? Gjiknuri: Dakordësi vetëm për 2/3, ligji do jetë uniform për të gjitha partitë

 

Deputeti i PS, Damian Gjiknuri ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve draftin e dakordësuar mes opozitës dhe mazhorancës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjiknuri shpjegoi ndryshimet që janë propozuar, nga vota e diasporës te 1/3 e listës së mbyllur.

Sa i takon propozimeve që partitive t’u lihet mundësia që nëse kanë dëshirë listën e deputetëve ta lënë 100% të hapur, Gjiknuri tha se ligji duhet të jetë uniform për të gjithë.

“Nuk dua të konfuzohet kjo copëz legjislacioni që kemi sjellë për miratim, me atë që quhet Reformë Zgjedhore. Mund të kishim mundësi të bënim shumë gjëra të mira për të adresuar rekomandimet e ODHIR, por për shkak të mungesës së konsensusit dhe ca për shkak të pamundësisë së opozitës për të ardhur me një mendim të përbashkët, por edhe për periudhën e mbetur. S’kemi të bëjmë me Reformë Zgjedhore, nuk e arritëm dot atë pikë për shkak të mungesës së konsensusit.

Adresimet që kemi para në tavolinë, kanë të bëjmë me tre vendime të Gjykata Kushtetuese, e para me votën e diasporës. Vendim që ka krijuar më shumë paqartësi për sa i përket zbatimit. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar më shumë qartësi për mënyrën si është krijuar ligji. Vendimi i dytë që ka të bëjë me shfuqizimin e formulës së herësit, por jo heqjen e herësit. Kjo ishte një nga objektivat se përse iniciativa ligjore e PS ka të bëjë me korrigjimin e formulës së herësit, duke rritur pro sa i përket peshës apo pragut,  krahasuar kjo edhe më peshën që ka mandati që fiton partia. Shifra 7 mijë ka qenë tavan. Propozimi jonë nuk gjeti dakordësi, megjithëse unë mendoj se është propozimi më i mirë. Vendimi i tretë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi i pragut që kishte kandidati i pavarur. Për shkak të këtij vakumi u detyruam dhe paraqitën tre iniciativa.

Për votën e diasporës, listat do jenë publike në KQZ. Çdo votues që ka një adresë, përmes një liste dokumentesh që e përcakton KQZ dhe regjistrohet në listë zgjedhore. Në KQZ do të numërohen votat, partitë politike kanë vëzhgues.  Zarfi duhet të mbërrijë në Shqipëri deri ditën e votimit, e ka gjithë mundësinë, zarfet nuk vonojnë shumë sot, gjërat teknike ja kemi deleguar KQZ, s’ka pse merret kuvendi.

Sa i përket listave, siç ka prag për partitë ka edhe për kandidatët. Megjithatë nisur edhe nga propozimet e ekspertëve të partive që janë këtu, menduam ti qëndrojmë parimit kushtetues. 1/3 e listës e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur për konkurrim. Qoftë edhe me një votë më shumë del ai tjetri, por tani në një zonë shumëemërore. Po të vesh re, 80 mandate mund të jenë në lojë të hapur, pjesa tjetër është e fiksuar. Pse nuk e lëmë totalisht të hapur? Ka një parim, ligji zgjedhor duhet të jetë uniform. Ligji duhet të jetë uniformë, ODHIR tha që uniformiteti është I detyrueshëm sepse konfuzon votuesin dhe nuk zbatohet ligji në mënyrë të njëjtë, pra i njëjti ligj që vlen për një parti duhet të vlejë edhe për një parti tjetër”, tha Gjiknuri.

Ora 17:21
Reforma Zgjedhore, Alibeaj: Po i japin Ramës mandatin e katërt në tavolinë! Të tjerët duan të ruajnë ndonjë karrige

 

Deputeti i opozitës Enekelejd Alibeaj në Komisionin e Ligjeve thotë se me ndryshimet për Kodin Zgjedhor është bërë pazari për t’i dhënë Edi Ramës mandatin e katërt në tavolinë. Alibeaj tha se pala tjetër, (PD e Berishës) nga ana tjetër tani po qajnë hallin se si të kapin ndonjë karrige në zgjedhjet e 2025.

“30% të fiksuar të listës, mbrojtja më e madhe që i jepet Ramës. Do të fshehë në atë pjesë figurat më të larta politike, e drejta e atij ta bëjë atë punë, por jo në kuirriz të shqiptarëve. I jep mundësinë Ramës të përdorë administratën, patronazhistët për të vjedhur votat. I jep 12 mandate dhuratë dhe i jep mundësinë të fshehë figurat më të larta të pushtetit që janë ata që janë në traget të votës së qytetarëve shqiptarë. Jepini shqiptarëve të drejtën që ta zgjedhin ata deputetin që duan. Nëse e do një parti politike, ta zgjedhë si opsion. 100% të listës ta mbajnë të mbyllur ata, mbase pushteti e do të mbyllur, por jo duke detyruar shqiptarët. Ta bëjnë si zgjedhje të tyre. Vendimi i GJK Kushtetuese është për listë të hapur.

Nuk jam për votën me postë. Vota më postë me këto kushte të regjistrohesh brenda 60 ditëve, për 3 muaj, të regjistrohesh duke pasur një vendbanim atje ku je, kjo është pengesa e parë. Duhet të kesh regjistrim zyrtar në vendin e huaj që të kualifikohesh si zgjedhës. U dashka që të paguajë postën ai shqiptari atje me lekët e tij. Ai ka ikur jashtë se s’ka para. Në funksion të plotësimit të atij bishti të fundit, mandatin e fundit. Këta e kanë në dorë ta marrin dhe ta rrëmbejnë atë mandatin e fundit ndaj çdo partie tjetër, i kanë patronazhistët jashtë Shqipërisë shkuan në mes të Athinës dhe Milanos dhe çuan gjithë shtetin. Kanë mundësinë për ta keqpërdorur votën e emigrantëve në favor të tyre. Kjo do jetë një mënyrë se si mund të keqpërdoret një e drejtë kushtetuese. Të votojnë në mënyrë të monitoruar në vendet ku janë, të regjistrohen pa pasur në nevojë të deklarojnë vendbanim zyrtar atje. Ajo se çfarë po bëhet sot, nuk është se po bëhet një Reformë Zgjedhore e minutës së fundit, me një Pazar të bërë natën fshehtas, sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës në tavolinë. S’ka nevojë sot më për zgjedhje, e ka marrë, e ka blerë pushtetin dhe mandatin e katërt. Dhe bashkë me të mbetet e vetmja gjë, si të ruajmë ndonjë karrige për vete”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, deputeti i PS, Damian Gjiknuri ironizoi qëndrimin e Alibeajt.

“Le ti qëndrojmë procedurës, s’mund të komentojmë nismat e të tjerëve, ka dhe njerëz që dashurohen me zërin e vet, por këtu jemi do diskutojmë”, tha Gjikunri.

Ora 17:14
Reforma Zgjedhore, Lapaj dhe Mediu: Partive t’u lihet mundësia të zgjedhin nëse duan lista tërësisht të hapura

 

Adriatik Lapaj dhe Fatmir Mediu në diskutimet për Reformën Zgjedhore propozojnë që partive t’iu lihet opsionale nëse do duan që ta mbyllin 1/3 e listës për deputetë.

“Ju mund ta lini opsionale, pra meqë kushtetuta e parashikon 2/3 e hapur. Ta lini në dorë të partisë, pra të jetë partia që zgjedh nëse do ta mbyllë një të tretën, pra që të fusni në lista të sigurta njerëz teknikë por nuk marrin shumë vota, dhe të lini opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë”, tha Adriatik Lapaj.

“Nëse do ta lërë listën tërësisht të hapur ta lërë të hapur. Në kushtetutë thuhet jo më pak se 1/3, është çështje e vullnetit të partisë. Mendoj që alternativa e lënies së hapur të kësaj mundësie, duke marrë parasysh edhe ato faktorë që u thanë për gjeneralët dhe ushtarët. Partitë që duan ta mbyllin listën për ata, dhe pastaj të lënë mundësi për të rinjtë që vijnë e konkurrojnë. Se kanë besimin e qytetarëve që u japin votën. Nëse flasim për demokraci përfaqësuese ne përfaqësojmë jo thjesht partitë, por vullnetin e qytetarëve. Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur”, tha Mediu.

Ora 16:59
Drafti për Zgjedhoren, Alibeaj: Pazari i radhës, mbyllën listat me 30%! Kandidatët s’kanë më mundësi për të thyer herësin

 

Deputeti opozitar Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar një Pazar draftin për Reformën Zgjedhore të dakordësuar mes PS dhe PD. Alibeaj tha se pazari është arritur në dy pika, mbylljen e listës me 30%, duke theksuar se kanë hequr edhe herësin 10 mijë vota. Po ashtu, pazari sipas Alibeajt është vota e emigrantëve.

"Ky komision ka për detyrë të bëjë transparencë për iniciativë për secilat parti politike, por do duhej të bëjë transparencë edhe për diçka më tepër. Atë që se bërë ju, po  bëj unë. Gjysmë orë me parë, në emailit zyrtare tona ka ardhur një dokument, pr.ligj pa numër, pa datë, s’ka të firmosur asgjë nga askush. Ky është propozim i rënë dakord nga dikush me dikë? Ka ardhur në email dhe çdo vëmendje e arsyeshme fillon e mendon që është iniciativë ligjore, duhet të dalë zot dikush. Nuk qenka Gjiknuri. Serioziteti duhet të jetë i tillë, me të vërtetë duhet të bëjmë detyrën tonë për të sqaruar inicitaivat individuale, por s’duhet të jemi hipokritë. Ky është drafti final i arritur nga pazari. Po jap dy pasazhe për të kuptuar njerëzit, pazari është i thjeshte, në nenin 4 të këtij pr.ligji është parashikuar lidhur me çështjen e herësit të famshëm. Listat 30% janë të mbyllura, nuk është as rregulli i mëparshëm i 10 mijë votave. Nëse do kishte dikush të kalonte këtë mur, tashmë kjo nuk është e mundshme. Bie ndesh me kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me votën e diasporës s’ka çudi, është vendosur votë me postë, me pagesë, me pikatore. Diaspora për të cilën të gjithë përbetohen do ta ketë me paratë e tyre, me pikatore, aq sa do partia në pushtet", tha Alibeaj.

Ora 16:28
Dash Sula kritika për draftin e Zgjedhores: E keni sjellë në Komision gjysmë ore para, e keni vulosur! Gjithçka tjetër kot

Deputeti demokrat Dash Sula në Komisionin e Ligjeve ka shprehur kritika për draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Sula tha se drafti ka mbërritur vetëm gjysmë ore para nisjes së mbledhjes së Komisionit të Ligjeve dhe as nuk kanë pasur kohë që ta diskutojnë. Sula tha se gjithçka është vulosur dhe pjesa tjetër e diskutimeve është kot, ndërsa theksoi se po përsëritet skenari i prillit 2008.

"S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, skam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu. Nisma të tjera që do diskutohen sot janë totalisht kot. Votimi i 21 prillit 2008, më kujtohet mirë kur ishte kryetari i komisionit Rusjmali dhe u diskutua me shpejtësi të madhe, thjesht anëtarët e komisioneve të ligjeve ngrinin dorën. E njëjta skene po përsëritet në 2024, të diskutojmë çfarë tha Mediu, na jepni kohën që t’i lexojmë dhe t’i diskutojmë nesër", tha Sula. 

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • 123450: 25/07/2024 10:09

    Rama nuk ka nevoje per pazar per te mbajtur pushtetin, pasi ka shumicen e votave te shqiptareve.

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 25/07/2024 06:45

    Tani i kuptove keto manovra te "non-grates" me qeverine?!

    Përgjigju
  • Iris: 25/07/2024 01:55

    Duke cituar filmin /The producers/i 1967 ku kendohet ne parodi /Springtime for Hitler and Germany/ edhe pas ketij pazari politik, shqipot mund te kendojne /Springtime for Rama and Berisha/! Nga pazari,ata qe do dalin me lista te mbyllura,do te jene me besniket,me militantet,me aktivet,por Zoti i mbrofte kryetaret nese keta do te bien ne rrjetin e drejtesise,sepse nese deputetet e listave te hapura do bien ne duart e SPAKUT,Rama me Berishen mund te lajne duart,por me keta te listave te mbyllura ndryshon puna,se jane zgjedhur /me qiri/nga kryetaret, si sejmenet me besnike.Eshte pak e veshtire t'ua lesh kryqin e mekateve mbi shpine kur vete i kane perzgjedhur.Se dyti,nga ky pazar Rama do te siguroje mandatin e 4 e ndoshta dhe te 5-in,por ama e ka vene Berishen si qen ne leash,sepse vertet Rithemelimi morri vulen,por Berisha eshte nje kufome politike qe e kane braktisur te gjithe,me perjashtim te fanatikeve te tij.Rama ka nevoje te qendroje ne pushtet pa fund dhe Berisha ka nevoje per /oksigjenin/ e Rames.Se treti,Alibeaj shqetesohet per voten e diaspores dhe e cileson nje fitore mandati per Ramen kete pazar.Me te gjithe kete pazar e me Berishen e Meten si kundershtare,Rama sigurisht qe do te fitoje perseri,por kesaj rradhe do te djersije pak me shume po u vendos vota e diaspores edhe ashtu sic do t'a katranosin ligjin per votimin e saj,se nuk i kontrollon dot aq kollaj.Me qe ra fjala,ku vajten takimet e Rames qe do te mbante me diasporat e Gjermanise,GB e U.S?!Zgjedhjet mbaruan,futbolli mbaroi,cfare e pengon liderin suprem te mbaje takimet qe i premtoi e i trumpetoi me aq pompozitet?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim