Kuvendi u përball sot me një tjetër gjyq kushtetues, pasi opozita ishte ankuar për ndryshimet e një anshme të strukturës dhe rregullores së Kuvendit në muajin shtator, kur u krijuan 11 komisionet të përhershme parlamentare nga 8 që ishin më parë. Për ndryshimet që u bënë vetëm 3 ditë pas konstituimit të Kuvendit, PD tha se procesi zgjati vetëm 1 orë dhe deputetët nuk patën mundësi të paraqesin propozime, ndërsa Parlamenti pretendoi se e kishte zbatuar rregullin aq sa kishte mundur në kushtet e urgjencës.

***

6 muaj pasi socialistët ndryshuan me shpejtësi dhe pa dakordësinë e opozitës rregulloren e Kuvendit dhe numrin e komisioneve parlamentare, Gjykata Kushtetuese mori në dorë rastin dhe thirri në përballje demokratët që u ankuan për shkelje procedurash nga Parlamenti.

"I gjithë procesi ka ndodhur për një orë dhe asnjë prej deputetëve të pakicës nuk ka patur mundësi të ushtrojë të drejtën e vet për të paraqitur amendamente”, tha Gazment Bardhi.

Demokratët ju përgjigjën gjyqtarëve që përmendën faktin se deputetët e opozitës e kanë pranuar tashmë strukturën e re të Kuvendit dhe janë anëtarësuar në komisionet e reja parlamentare.

“Dhe sa kohë kjo rregullore dhe ky ndryshim nuk është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, ky për ne është ligj dhe ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin dhe të marrim pjesë në komisione. Po kjo nuk kupton që ne pranojmë antikushtetueshmërinë me të cilën kjo rregullore është miratuar”, vijoi Bardhi.

Gjyqtari Gent Ibrahimi pyeti PD-në, se çfarë dëmesh politike kishte pasur kjo parti nga ndryshimet, dhe Gazment Bardhi veçoi largimin e opozitës nga drejtimi i komisionit për integrimin.

“Edhe për ta parë procesin e integrimit si proces kombëtar, jo partiak apo një partiak. Dhe kjo është arsyeja pse nga viti 2004 e deri në vitin 2025 drejtimi i procesit të integrimit, pra i komisionit që merrej me çështjet e integrimit në Kuvend i ishte lënë opozitës”, theksoi Bardhi.

Drejtoria Juridike e Kuvendit pranoi se ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duhet të ndjekin të njëjtën rrugë si ligjet e tjera, por shtoi se në këtë rast, kjo nuk kishte qenë e mundur.

"Neve respektojmë aq sa është e mundur, aq sa është e mundur dispozitat që lidhen, që parashikojnë pikërisht procedurën për miratimin e ligjit. Por kjo nuk e bën vendimin e Kuvendit apo këtë procedurë të cenueshme në kontekstin kushtetues”, tha Mimoza Arbi Drejtore Juridike, Kuvend.

“Neni 117 i rregullores vë një rregull opsional? Pra mund të ndiqet procedura e projektligjeve ose jo, varësisht vullnetit të Kuvendit?”, pyeti Asim Vokshi Gjyqtar.

“Unë nuk thashë që është...”, vijoi Mimoza Arbi Drejtore Juridike, Kuvend.

“Cilat janë rastet ku nuk mund të zbatohet...?”, pyeti Asim Vokshi Gjyqtar

“Rasti në rastin kur për nevoja urgjente dhe nevoja urgjente ishte pikërisht ngritja e sa më parë dhe funksionimi i Kuvendit dhe funksionimi i Kuvendit nuk mund të jetë pa patur dhe pa ngritur komisionet e përhershme parlamentare”, iu përgjigj Mimoza Arbi Drejtore Juridike, Kuvend.

Pas 4 orësh debat gjyqësor, anëtarët e Kushtetueses mbyllën seancën dhe do të shpallin vendimin në një datë tjetër.