TIRANË- Tre ditë pas konstituimit të Kuvendit dhe nisjes së legjislaturës së re, socialistët miratuan vetëm me votat e tyre, ndryshimin e rregullores së Kuvendit, që pasqyron strukturën e re me 11 komisione të përhershme parlamentare.  Pas debateve, opozita braktisi sallën në momentin e votimit dhe ndryshimet kaluan vetëm me 79 votat pro të deputetëve të Partisë Socialiste.

Në bllok, opozita kundërshtoi ndryshimet dhe nuk nguroi ta cilësojë puç kushtetues.

“E dimë shumë mirë se këto ndryshime do votohen, por kërkohet për të gjithë ata miliona shqiptarë që duhet të kenë Kushtetutën, librin, mburojën e tyre, por që për ju kjo është një prostitutë dhe nuk ka asnjë vlerë”, tha Berisha.

“Janë 9 nene të rregullores që shkelen me këtë që ju thoni. Keni ndërmend që Gjykata Kushtetuese t’ju rrëzojë përsëri. Nuk e keni me seriozitet as procesin e integrimit se A-ja e integrimit është zbatimi i Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit”, tha Ina Zhupa.

“Po bëni grusht kushtetues, po shkatërroni kushtetutën. Po vini Shqipërinë mbi baza antikushtetuese”, tha Tritan Shehu.

“Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh”, tha Bardhi.

Nën akuza të vazhdueshme se po ngushtojnë hapësirën e opozitës në parlament, mazhoranca dukej e qetë duke i argumentuar këto ndryshime si jetike.

“Kjo mazhorancë do të propozojë në Kuvend, pas këtyre ndryshimeve në rregullore që janë jetike për punën e përditshme, dhe reformën zgjedhore që duhet ta fillojmë menjëherë”, tha Taulant Balla.

Akuzave të opozitës se po shkrijnë komisionin e Integrimit, Taulant Balla iu dha këtë përgjigje.

“Nuk e kemi shkrirë komisionin e integrimit. Ne po e ngremë në nivelin më të lartë që ky komision ka që nga 2005 kur u ngrit për herë të parë”, tha Balla.

Përplasjet mes palëve nisën që në seancën e paradites, kur me forcën e kartonëve, mazhoranca futi me procedurë të përshpejtuar në rendin e ditës, ndryshimin e rregullores së kuvendit, ndërsa më herët kryetari Peleshi njoftoi ngritjen strukturave të kuvendit, Këshillin për Mandatet dhe Rregulloren, Këshillin e Legjislacionit dhe Byronë e Kuvedit.

Punimet u ndërprenë 30 minuta pasi nisën, për të mbledhur me urgjencë Këshillin e Mandateve dhe Rregullores i cili sipas procedurës shqyrtoi dhe miratoi strukturën e re të Kuvendit.

Nga 11 komisionet e reja 7 prej tyre do t’i drejtojë Partia Socialiste, ndërsa 4 opozita, e cila u ankua se mazhoranca po e përjashton nga procesi i integrimit duke i marrë drejtimin e Komisionit për Evropën dhe Politikën e Jashtme.

KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PS DHE EMRAT E KRYETARËVE:
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat - Do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike - Do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes - Do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm - Do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural - Do të drejtohet Blendi Klosi 
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme - Do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale - Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj
KOMISIONET NËN DREJTIMIN E PD:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet - Do të drejtohet nga Luçiano Boci, Evis Kushi (PS) Nënkryetare
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Ina Zhupa, Eduard Shalsi (PS) Nënkryetar
Komisioni për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik - Do të drejtohet nga Jorida Tabaku, Iris Luarasi  (PS)  Nënkryetare
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën - Do të drejtohet nga Bardh Spahia, Erjon Malaj (PS)  Nënkryetar

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:09
FOTOT/ Jozefina Topalli kthehet në Kuvend, Mesila Doda ‘debat’ me Ulsi Manjën

Jozefina Topalli është kthyer për herë të parë në Kuvend pas shumë vitesh mungese.

Ajo u shfaq e qeshur në Parlament, pavarësisht polemikave të ditëve të fundit për dasmën luksoze të të birit në Romë.

Fotot tregojnë deputetët jashtë Kryesisë së Kuvendit, ku mes socialistëve u shfaq edhe Mesila Doda, e cila duket sikur debaton me Ulsi Manjën.

Ora 17:09
5 minuta seancë/ Parlamenti miraton kryesitë e komisioneve parlamentare, opozita nuk dorëzon emrat

 

Vetëm 5 minuta ka zgjatur seanca e dytë parlamentare e kësaj të marte. Parlamenti, me prezencë vetëm të socialistëve, ka miratuar kryesitë me deputetët socialistë të komisioneve të përhershme parlamentare.

Me 77 vota pro dhe 1 kundër u votua përbërja e këtyre komisioneve vetëm me deputetët e mazhorancës.

Që do të thotë se u votuan vetëm kryetarët e PS që drejtojnë komisionet parlamentare, dhe nënkryetarët e PS në ato komisione që drejtohen nga opozita.

Kjo për shkak se Partia Demokratike nuk i ka dorëzuar emrat e deputetëve të saj që do të jenë kryetarë dhe nënkryetarë komisionesh të përhershme parlamentare.

E pranishme në sallën e seancave plenare, nga Partia Demokratike ishte vetëm deputetja Jozefina Topalli, e cila dhe votoi kundër.

 

/Lajmi ne perditesim..

Ora 14:09
PD mbledhje urgjente në seli, Bardhi: Propozimi i qeverisë është i njëanshëm!

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi th se opozita e braktisi sallën si dhe procesin e votimit pasi propozimi i PS-së ishte i njëanshëm dhe në shkelje totale me Kushtetutën.

Ndër të tjera ai bëri me dije se grupi i Partisë Demokratike do të zhvillojë një mbledhje urgjence në seli për të diskutuar dhe për të vendosur se çfarëdo të ndodhë në seancën që pritet të nisë në orën 17:00.

“Kuvendi institucion kushtetues që ushtrojnë funksionin e tyre deputetët përfaqësojnë të gjitha forcat e politike. Propozimi i njëanshëm dhe pa gjithëpërfshirje, kanë vendosur ta kalojnë brenda 24 orëve në shkelje të procedurës së parashikuar nga rregullorja dhe Kushtetuta.

 Për këtë arse, grupi jonë parlamentar, pasi dha të gjitha argumentat, vendosëm të mos përfshiheshim në këtë procedurë antikushtetuese. Ne nuk do të lejmë asnjë hapësirë bosh që i përket opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Tani do të largohemi në një mbledhje urgjente me grupin parlamentare dhe do të marrim vendime sesi do të sillemi në seancën e orës 17:00”, tha Bardhi.

Ora 13:46
Opozita braktis sallën, miratohen me 79 vota pro ndryshimet e rregullores së Kuvendit (VIDEO)

 

Deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur sallën menjëherë pas nisjes së procesit të përshpejtuar për votimin e ndryshimeve të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Miratimi i projektligjeve në Kuvend ku përfshihet ngritja e 11 komisioneve parlamentare të përhershme, nënkryetarët e këtyre komisioneve, ngritja e Byrosë së Kuvendit, kaluan në votim me 79 vota pro dhe 0 abstenim.

Ora 13:43
Berisha lëshon gojën në Parlament, akuza mazhorancës: Kushtetuta për ju është prostitutë, e përdhunuat publikisht

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza ndaj mazhorancës socialiste, duke shkelur edhe etikën me fjalorin e përdorur.

Në debatin për të zbatuar rregulloren në lidhje me riformatimin e parlamentit, Sali Berisha deklaroi se për mazhorancën nuk ka asnjë vlerë Kushtetuta.

Sipas tij, libri i Kushtetutës është një prostitutë që është përdhunuar publikisht nga socialistët.

“Produkt i farsës më të shëmtuar elektorale në historinë e Shqipërisë, pjellë e karteleve të drogës, nuk mund të kishit kurrë fillim tjetër përveç se këtij duke i shpallur armiqësi dhe luftë të plotë mbi të gjitha Kushtetutës së vendit, librit themelor. Por që për ju ka kohë që është një letër e vdekur e zëvendësuar nga neni i parë tek i fundit nga kodi i mafias, drogës, vjedhjes dhe bixhozit.

Nuk ka fillim më armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë që presin që kanë këtë libër si mburojën e tyre. Ju sot, në një garë të turpshme, e shkelmoni atë publikisht, e përdhunoni atë publikisht në parlament, në një sadizëm tipik të narkokriminelëve. Asgjë nuk ju pengon juve të kryeni këtë krim të shëmtuar, të shkelmoni Kushtetutën, e  cila ka përcaktuar qartë në nenin 83, pika 2: Kuvendi me kërkesë të Këshillimit të Ministrave ose 1/5 së deputetëve mund të shqyrtojë e miratojë një pr/ligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se 1 javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Kurse ata që kanë qenë këtu para jush, në rregulloren e funksionimit të parlamentit, kanë votuar se për shqyrtimin e propozimeve për ndryshimin e rregulloreve ndiqet procedura e parashikuar për shqyrtimin e pr/ligjeve. Por ju s’keni as ligj, as kushtetutë, as moral. Ju silleni para kamerave si një bandë me rregullat e mafias.

Ju dëgjova të përmendni precedentin, po mashtron publikun. Precedenti ishte konsensus. Po ishte, por ishte konsensus. Sot nuk ka konsensus. Sot ka një qëndrim, kërkohet të zbatohet Kushtetuta. E dimë shumë mirë se këto ndryshime do votohen, por kërkohet për të gjithë ata miliona shqiptarë që duhet të kenë Kushtetutën, librin, mburojën e tyre, por që për ju kjo është një prostitutë dhe nuk ka asnjë vlerë. Mandatet tuaja buruan nga blerja masive e votave, buruan nga policia politike, buruan nga censura dhe kontrolli i plotë i 90% të mediave”, u shpreh Sali Berisha.

 

Ora 13:37
Balla i përgjigjes PD-së: Nuk po e shkrijmë komisionin e Integrimit! Fushata tregoi që BE-në e kishim në qendër të vëmendjes, ju do humbni edhe në 2029-ën

 

Akuzave të PD-së se me rregulloren e re të Kuvendit, po shkrihet komisioni i Integrimit, iu përgjigj deputeti i PS, Taulant Balla. Ky i fundit tha se këtij Komisioni po i japin peshën më të madhe që ka pasur ndonjëherë që prej krijimit të tij. Balla tha se PS ka Europën në qendër të vëmendjes dhe kjo e tregoi edhe fushata e 11 majit, ndërsa PD-së i tha se edhe në zgjedhjet e 2029-ës do të thonë sërish të njëjtën gjë për humbjen.  

“Nuk e kemi shkrirë komisionin e integrimit. Sot e 20 vite më parë në këtë sallë kemi pasur një nen që e konsideronte si komision të dorës së dytë, ne do ta shkrijmë atë nen. Ne po e ngremë në nivelin më të lartë që ky komision ka që nga 2005 kur u ngrit për herë të parë. PS, Europën dhe punët e jashtme i sheh bashkë, ju veç e veç. Edhe fushat tregoi se në e kishim Europën në qendër të vëmendjes, ju Europën nuk e përmendet. Ne kemi pritshmëri ti mbyllim negociatat brenda 2029m, edhe Kos, edhe Kosta, edhe Von der Leyen mendon si ne, ju mendoni ndryshe. Në mars të 2025, në  thamë çdo thoni ju, ju kështu do thoni edhe në shtator të 2029-ës”, tha Balla.

Ora 13:33
Rregullorja e Kuvendit/ Balla ironi me opozitën: Kur jeni ju dakord, Kushtetuta mund të shkelet! S’kemi kohë për teatër

 

Deputeti i PS, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës se po miratojnë rregulloren e Kuvendit në shkelje të Kushtetutës. Me ironi, Balla i tha opozitës se kur ata janë dakord për një çështje, janë dakord edhe në rast se shkelet Kushtetuta. Nuk është koha për teatër, tha Balla, ndërsa theksoi se Shqipëria në BE ka nevojë për një kuvend që e përqas axhendën e punës me kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE

“E vërteta është ndryshe, ne jemi shumë dakord që ju nuk jeni dakord për të rënë dakord me ne. Ne  e dimë, sikur gjithçka të kishim sjellë ne këtu, që të them të drejtën ka pas marrë mirëkuptimin tuaj 4 vite më parë, kur e kemi iniciuar për herë të parë këtë çështje. Ishte Rrushaj kryetar i grupit dhe folëm për domosdoshmërinë e ndryshimit të Kuvendit. E paimagjinueshme, Komisioni i Ligjeve me 26 anëtarë, ka vende që me 40 kanë Kuvendin. E di si thoni ju, kur ne jemi dakord, Kushtetuta mund të shkelet, ose shkelja nuk është antikushtetuese. Dëgjova dhe një deputet që ka firmos proces verbalin më 14 shtator 2017, me kërkesë të PD brenda së njëjtës ditë u depozitua propozimi për ndryshimin e nenit 20, brenda së njëjtës ditë ngritëm Këshillin e Rregullores dhe e votuam ndryshimin. Tani kjo është antikushtetuese, në shkelje të rregullores, as unë si kryetar grupi, as kjo mazhorancë s’do bëjë asnjë hap pas, ku s’ka asnjë shkelje. Këtu nuk ka shkelje, jemi në një fazë që parashikohet faza e konstituimit. Ende nuk e kemi mbyllur, duhet të mbyllim kryesinë e komisioneve që nesër të shkojmë tek konferenca e kryetarëve. Ne nuk mund të bëjmë teatër, dhe as juve këtë teatrin që e dini që s’jeni dakord. Juve kështu u është thënë, të mos jeni dakord. Ne kemi përgjegjësi, jemi votuar për këtë axhendë, kemi marrë një mandat që të mbyllim në 2029 anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Shqipëria në BE ka nevojë për një kuvend që e përqas axhendën e punës me kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në BE. Na duhet të votojmë të gjithë ato komisione, Kuvendi ta organizojë punën në 11 komisione”, tha Balla.

Ora 13:20
Debati për strukturën e re të Kuvendit, Ina Zhupa: Po shkelni 9 nene të rregullores, duhet zbatuar procedura

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, i ka bërë thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi që të zbatojë rregulloren dhe Kushtetutën me debatin që duhet ezauruar për të shqyrtuar strukturën e re të Kuvendit.

Në fjalën e saj në seancë plenare, Zhupa i përmendi Peleshit që me kalimin me procedurë të përshpejtuar të strukturës së re të Kuvendit, po shkelen 9 nene të rregullores.

“Ato 10 ditë janë pjesë e rregullores së Kuvendit. Është për t’u bërë procedura. Nëse keni ardhur me bindjen që 83 kartona i keni dhe mund t’i shfrytëzoni të bëni çfarë të doni, atëherë siç i prezantuat në Asamblenë e PS, mund edhe t’i kishit votuar në Asamblenë e PS meqënëse 83 kartona i kishit atje. Kur vini në kuvend kemi disa rregulla të përbashkëta. Ju i pari si kryetar dhe ne duhet të zbatojmë atë që u betua vetëm 48 orë përpara. Janë 9 nene të rregullores që shkelen me këtë që ju thoni. Keni ndërmend që Gjykata Kushtetuese t’ju rrëzojë përsëri. Nuk e keni me seriozitet as procesin e integrimit se A-ja e integrimit është zbatimi i Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit”, u shpreh deputetja e PD, Ina Zhupa.

Ora 13:06
Blendi Klosi u përgjigjet opozitarëve: PS nuk ka kohë për të humbur me debate! Ejani punoni në komisione

 

Sekretari i Përgjithshëm i Socialiste Blendi Klosi i është kundërpërgjigjur kolegëve demokratë, të cilët kundërshtojnë miratimin e ndryshimit të rregullores së Kuvendit.

Klosi është shprehur se qeveria nuk ka asnjë ditë për të humbur me debate që u dihet përfundimi, pasi fokusi i tyre është përmbushja e kritereve europiane dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

“Kolegët që folën janë me eksperiencë e ditë sesi funskionon parlamenti. Ashtu siç e ditë që kjo mazhorancë ka ardhur me votën legjitime të shqiptarëve më 11 maj. Do të bëjë reformat e saj, të gjitha aksiomat e saj për t’i shërbyer më mirë Shqipërisë.

Është bërë një diskutim për mënyrën sesi do të funksionojë jeta jonë parlamentare, për të përmbyllur objektivin tonë madhor. Brenda 2027 do të mbyllim negociatat Sot ndodhi një nga këto hapat, brenda 2030 do ta çojmë Shqipërinë në BE. Në shërbim të këtij betimi ne do të ecim shpejt.

Gjëja që këta nuk e kuptojnë, ajo që kërkojnë sot nuk është të fillojë shpejt jeta parlamentare, por kërkojnë hajde ta shtyjmë dhe 10 ditë s duam dhe 10 ditë diskutime e pushime. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Nuk i kemi a 7 ditë për të humbur për një diskutim që ia dimë rezultatin. Le të vijnë në komisione dhe të punojnë në komisione”, tha Klosi.

Ora 13:04
Ndryshimet në komisionet parlamentare, Tabaku akuza mazhorancës: Po e shkelni me dy këmbët Kushtetutën

 

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj mazhorancës dhe kryerparlamentarit Niko Peleshi se po shkelin Kushtetutën me ndryshimet me Komisionet parlamentare.

Tabaku tha se hapësirat e opozitës në Kuvend po ngushtohen, ndërsa po ashtu deklaroi se sesioni i ri parlamentar po fillon me shkeljen e Kushtetutës.

“Javën e shkuar ne të gjithë u betuam mbi Kushtetutën. U betuam që do e zbatojmë këtë kushtetutë dhe në seancën e parë ne e nisim me shkelje.

Sesionin e kaluar u mbyll po me shkelje të Kushtetutës. U mbyll me shkelje të vendimeve të gjykatës Kushtetuese, u mbyll me cenim e nismave të opozitës. U mbyll me një sjellje e ngushta edhe më shumë hapësirën e debatit parlamentar.

Rregullorja e Kuvendit kishte nevojë të ndryshohet, por të ndryshohet me një debat të gjerë. Se si mund të bëhen deputetët më të përgjegjshëm, sesi të shmangim konfliktin e interesit. Se si t’i afrojmë deputetët afër qytetarëve.

Ndërkohë që ju në aktin e parë të parlamentit, nismë një procedurë, e cila sipas Kushtetutës duhet të zgjasë jo më pak se një javë. Kolegët Bardhi, Bylykbashi cituan nenin 83, pika 2 e Kushtetutës. Ne sot duhet të kishim pas një debat parlamentar se si të rrisim hapësirën e opozitës në një moment ku të gjitha hapësirat janë zënë dhe uzurpuar nga mazhonranca dhe jo të bëjmë hapa pas.

Struktura e re e Komisioneve nuk reflekton as Komisionet e Integrimit dhe nuk reflekton prioritetet që ka sot Shqipëria. Është e panevojshme sot kjo që po bëni. Po e nisni duke e shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën.

Mburreni me procesin e Integrimit, por procesi i integrimit është dakordësi dhe zbatim i rregullave. Çfarë vlere ka sesa kapituj hapen kur t’i shkel kushtetutën?

Parlamenti sot nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve, kjo është e qartë, por të paktën ju  takon që të jeni simbol i unitetit dhe debatit në këtë parlament”, tha Tabaku.

Ora 13:03
Ndryshimet në rregullore, Shehu: Po bëni grusht kushtetues, nuk është parlamenti i autokratit

 

Deputeti i PD, Tritan Shehu akuzoi mazhorancën se po bën grusht kushtetues me ndryshimet që kërkon të miratojë në rregulloren e Kuvendit. Shehu tha në fjalën e tij se Kuvendi nuk është i autokratit, por i Shqipërisë.

“Po bëni grusht kushtetues, po shkatërroni kushtetutën,. Po vini Shqipërinë mbi baza antikushtetuese, ndodhi kjo gjë me dekretin e Begajt, një dekret antikushtetues dhe po vazhdoni duke shkelur kushtetutën, nuk vrapohet duke shkelur kushtetutën, nëse doni të shkojmë në Europë duhet të respektojmë si të shenjtë kushtetutën. Nuk është parlamenti i autokratit, por i Shqipërisë”, tha Shehu.

Ora 12:58
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, Mediu thirrje mazhorancës: Tërhiquni, po shkelni Kushtetutën

 

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ka bërë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga ndryshimet e njëanshme të rregullores së Kuvendit. Mediu tha se po shkelet Kushtetuta.

“Ky Kuvend duhet ta nisë punën duke menduar për autoritetin që duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë. Jemi kthyer në një republikë kryeministrore, autokraci e dukshme Pushteti absolut, pjell korrupsion absolut. Historia e rregullores së Kuvendit, ka qenë histori mirëkuptimi politik. Dua të kujtoj që kjo nuk është salla e vetme e këtij Kuvendi. Kur është bërë rregullorja, kanë qenë bashkëkryetarë Ylli Bufi dhe Fatmir beja me përfshirjen e partnerëve dhe gjithë deputetëve. Ndryshimi njëanshëm krijon precedent negativ. Mendoj që kjo shkelje e kushtetutës për ta futur me procedurë të përshpejtuar dhe kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme është e gabuar dhe duhet të kthehemi tek diskutimi i përbashkët”, tha Mediu.

Ora 12:49
Struktura e re e komisioneve, Berisha i kthehet Peleshit në Kuvend: Akt i turpshëm! Sekretar mjeran i Ramës, shkelmove Kushtetutën

PD po kundërshton ndryshimet në rregulloren e re, duke thënë se PS po i bën në shkelje të kushtetutës. Sali Berisha e quajti akt të turpshëm, ndërsa kryeparlamentarit Niko Peleshi i tha se është një sekretar mjeran i Edi Ramës që shkelmoi Kushtetutën.

“Të fillosh detyrën duke shkelmuar Kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde, tregon se nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama. Shkelmimi i Kushtetutës, është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të të gjithë spektrit, shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.

Si ka mundësi, a keni ju, çfarë të thuash, njerëz që lexojnë Kushtetutën? A ke ti këshilltarë që paguan që të të lexojnë ty Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, e cila për parlamentin është Kushtetuta e parlamentit, është ligji më i rëndësishëm i vendit, pas Kushtetutës. Pra, aq peshë sa ka parlamenti në jetën e një shteti dhe të vendit.

Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit. Ky është një provokacion i ulët, që ju i bëni qytetarëve të këtij, që i bëni opozitës së këtij vendi. Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë? Prandaj, dhe mer vendimin, mblidhi këshillat dhe të zbatohet Kushtetuta”, tha Berisha.

Ora 12:47
Erisa Xhixho: Në asnjë vend të BE ndryshimi rregullave të Kuvendit nuk miratohen pa debat!

 

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho është shprehur se në asnjë vend të BE-së nuk kalon pa debat miratimi i ndryshimeve të rregullores së Kuvendit.

“Vendimet e juaja janë në kundërshtim me Kushtetuën. Të vijmë në këtë seancë për duke shkelur Kushtetutën, është pak të thuash sesa fallco ka qenë ai betim i deputetëve. Çfarë kuptimi ka të diskutohet rregullorja e Parlamentit në një ndryshim strukture që synon shkrirjen e komisionit të Integrimit, dhe më jepni një rast që opozita ka penguar procesin e integrimit.

Mesazhi i këtij parlamenti duhet të ishte gjithëpërfshirja, shoqërisë civile e mediave. Gjithë ky diskutim për strukturën më të rëdnësishme të Kuvendit të kalojë në mënyrë të përshpejtuar dhe pa asnjë debat në parlament. Na thuaj një vend në BE që në synojnë të anëtarësohemi që nuk ka debat për rregullat e një parlamenti.

Kryetar zbatoni Kushtetuën zbatoni rregulloren dhe tërhiquni nga ky vendim i padrejtë”, tha Xhixho.

Ora 12:45
Bardhi: Nuk mund të ndryshohet rregullorja se disa prej jush kanë ngelur pa post! S’keni ku çoni Fatmir Xhafën dhe miratoni ‘superkomisionin’

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe njëherë është ngritur kundër propozimit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.

Bardhi është shprehur se nuk mund të ndryshohet rregullorja se disa prej anëtarëve të PS-së nuk kanë arritur të marrin një post në Këshillin e Ministrave.

“E keni nisur me shkelje të rregullores. Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh. S’kemi ku të çojmë Fatmir Xhafën dhe hajde miratojmë një komision të posaçëm që do të bëhet superkomisioni që do të mbikqyri gjithë legjislacionin në fuqi”, tha Bardhi.

Ora 10:57
Largimi nga komisioni i Integrimit, Tabaku: Cënim i hapësirës së opozitës në parlament! Qeveria ka bërë hapa pas

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar heqjen e Komisionit të Integrimit nga drejtimi i opozitës dhe kalimit të mazhoranca, si një hap pas nga qeveria dhe një përjashtim total i opozitës nga jeta parlamentare.

E pyetur nëse do të pranonte postin e nënkryetares në komision apo nëse do të garonte për kryetare e Bashkisë së Tiranës, Tabaku ka refuzuar të japë përgjigje.

“Kjo nuk ka lidhje vetëm me komisionin e Integrimit, por kjo e bën këtë çështje akoma dhe më shqetësuese. Kjo ka lidhje me të gjithë procedurën për ndryshimin e rregullores, me arrogancën me shkeljen e rregullores, por ka lidhje dhe me hapësirën e opozitës në parlament.

Komisioni i Integrimit ishte një gjithëpërfshirje në këtë proces, ishte në domosdoshmëri që i kërkohej qeverisë shqiptare që ta trajtonte procesin e integrimit jo si një monopol të qeverisë, por si një gjithëpërfshirje të formave politike së pari dhe qeverisë së dyti.

Përjashtimi i opozitës në këtë moment që duhej të ishte, e shoh si një hap pas. E pashë si një veprim shumë të vogël, mazhoranca do të kapi dhe këtë komision, le ta marrë”, tha Tabaku.

Ora 10:33
Bardhi: Ndryshimi i strukturës së re të Kuvendit duhet t’ju turpërojë, u diktua nga kreu i ekzekutivit! Flisni për hapje kapitujsh e përralla integrimi

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PD -së, Gazment Bardhi hodhi sërish akuza për strukturën e re të Komisioneve Parlamentare. Nga Foltorja e Kuvendit, Bardhi tha se nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës ku strukturat e Kuvendit të diktohen nga kreu i ekzekutivit. Duke u ndalur te Komisioni i Integrimit, që tashmë do të drejtohet nga maxhoranca, Bardhi u shpreh se procesi i anëtarësimit është mision kombëtar dhe jo partiak. Sipas tij, qeveria Rama e përdor procesin e integrimit vetëm për propagandë.

“Të nisësh detyrën më të lartë shtetërore si kryetar i kuvendit në shkelje të rregullores së kuvendit, do t’ju duhet t’ju turpërojë. Për të kaluar për rregulloren me procedurë të përshpejtuar. Ju kërkoj t’ju kërkoni ndjesë deputetëve pr shkeljken e rregullores dhe kërkoj t’i qndroni strikt detyrës tuaj dhe të mos bëheni vartës i njërit apo tjetrit dhe t’i qëndroni detyrimeve që përcakton rregullorja. Nuk mund të ecim me strukturën e vjetër tha parafolësi a thua se shqetësimi më i madh që ka ky kuvend, është struktura e komisioneve. Në fakt, shqetësimi më i madh që ka ky kuvend është fakti që ky krah i sallës plenare janë kthyer në noterë të qeverisë. Shqetësimi më i madh që ka kuvendi është se me votat e maxhorancës votohet ligje që grabisin paratë publike, ligje të sponsorizuara nga oligarkët. A keni propozuar ndryshim për të frenuar këtë metodë. Ky është shqetësimi që ka kuvendi, vjedhja. Keni kaluar këtu ligje të shkruara dhe nuk e thotë opozita por dosjes e SPAK, të shkruara në PC e Klodian Zotos. Ky është shqetësimi që ka Kuvendi, nuk ka shqetësim në oragizohet në 10 apo 8 komisione. Sa i takon ndryshimeve të rregullores do t’ju duhet t’ju turpërojë. Ndodh për herë të parë që ndryshimet në rregullore, për strukturën, diktohen nga kreu  i ekzekutivit.

Gjithë verës i diktoi strukturat pushtetit lokal, i tha bashkive me këtë strukturë do qeverisni, pasi i diktoi vendimarrjet gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nëse nuk i pëlqen i sulmon në facebook. Flisni për hapje kapitujsh e përralla integrimi. Gjeni një vend tjetër si kryeministri që sulmon gjyqtarët për cështje që humb si palë në procese. Nuk ndodh. Kishte ngelur vetëm Kuvendi. Ne po na diktohet ekzekutivi dhe na thotë se strukturën e parlamentit do ta përshtasim me atë të Këshillit të Ministrave. Si mund që rregullat e një parlamenti, do të donit që të ishte një partiak, të diktohen nga një parti. Integrimin e keni vetëm për propagandë dite, sa herë vidhni dhe bëni një koncesion, dilni e thoni hapëm kapitujt. Hapja e kapitujve është proces normal, mbyllja e tyre është sfidë. Sa të jeni ju në qeveri e keni të pamundur të mbyllni një të vetëm duke nisur nga themeloret”, tha Bardhi.

Ora 10:14
Kuvend/ Zgjidhen anëtarët e Këshillit të Mandateve, të Legjislacionit dhe Byrosë së Kuvendit

1758009935_kuvendi.jpg

Në seancën plenare Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi lexoi emrat e propozuar për Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet dhe Këshillin për Legjislacionin. Opozita ka dorëzuar emrat e saj edhe përse është kundër strukturës së re të Kuvendit.

Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren
PS
Niko Peleshi
Taulant Balla
Ulsi Manja
Bledi Çuçi
Bledi Çomo
Antoneta Dhima anëtar zëvëndësues
Arkend Balla anëtar zv/anëtarë
PD
Gazment Bardhi
Oerd Bylybashi
Elda Hoti
Gent Strazimiri
Saimir Korreshi
Ivi Kaso zv/anëtarë
Gerta Bardeli  zv/anëtarë
Këshilli i Legjilacionit
PS
Fatmir Xhafaj
Damian Gjiknuri
Olsi Komici
Erion Malaj
Aulona Bylykbashi
Ani Dyrmishi zv/anëtarë
Erjona Ismaili zv/anëtarë
PD
Ivi Kaso
Arjan Ndoji
Gjin Gjoni
Greta Bardeli
Bledi Himçi
Oerd Bylykbashi zv/anëtarë
Gazment Bardhi zv/anëtarë
Byroja e Kuvendit
PS
Niko Peleshi
Klodiana Spahiu
Agron Gjekmarkaj
Milva Ekonomi
Fatmir Xhafaj
Taulant Balla
Blendi Klosi
PD
Belind Kellici
Ulsi Manja
Flamur Hoxha
Ora 10:09
Ndryshimet në Kuvend, Taulant Balla: Parlamenti sot si ai i vitit 1988! Opozitës i kemi besuar komisione jetike

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është drejtuar opozitës për të votuar ndryshimet e propozuara nga mazhoranca. Balla është shprehur se këto ndryshime, referuar të ndërtimit të komisioneve, janë jetike si dhe i duhen Kuvendit të ri të Shqipërisë.

Sakaq, ai i është përgjigjur dhe akuzave të opozitës lidhur me heqjen e komisioneve, duke thënë se opozitës i janë besuar komisione jetike lidhur me drejtimin e Shqipërisë.

“Shpresoj që ti mbyllim kapitujt brenda Krishtlindjeve të vitit 2027 dhe të gjithë së bashku me të majtë dhe të djathtë të shkojmë në parlamentet e vendeve anëtarë për të mbyllur procesin ne ratifikimit.

Kjo mazhorancë do të propozojë në Kuvend, pas këtyre ndryshimeve në rregullore që janë jetike për punën e përditshme, dhe reformën zgjedhore që duhet ta fillojmë menjëherë.

Ky nuk është një propozim i ri, për herë të parë është depozituar i plotë në formë e përmbajte dhe ka të bëjë me një transformim të domosdoshëm të transformimit të Kuvendit, sipas nevojës së Kuvendit. Nuk mundet  të vazhdonim këtë vit me një ndarje komisionesh që në një sektor të caktuar sillte një emërtesë që vinte që nga Kuvendi i 1988.

Kryeministri dhe mazhoranca është votuar me një shumicë si asnjëherë tjetër për të jetësuar vizionin tonë. Opozitës nuk i kemi marrë asnjë komisionin, por i kemi besuar fusha jetike. Është jetike për opozitën të vijë në kuvend dhe të drejtojë komisionin për Arsimin, Shëndetësinë, të të Drejtave të njeriut.

Është jetike për opozitës që pastaj asaj votës historitë të diasporës që t’iu besohet opozitë drejtimi i komisionit të diasporës që lidhet dhe me çështje që kanë të bëjnë me kulturën dhe çështje që lidhen me turizmin”, tha Balla.

Ora 10:08
Munguan në seancën e kaluar, betohen 4 deputetët e opozitës

 

Albana Vokshi, Fatmir Mediu, Jozefina Topalli dhe Oerd Bykylbashi janë katër deputetët të cilët janë betuar ditën e sotme, në seancën e dytë të Kuvendit të Shqipërisë. Vokshi, Mediu dhe Bylykbashi së bashku me Jozefina Topallin munguan në seancën hapëse të legjislaturës së XI-të të parlamentit.

Xh.D/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kasem gahinji: 17/09/2025 11:50

    C'domethene kjo:-"puc kushtetues"? Kushtetuta nuk percakton as sa komisione ka kuvendit, as cfare objekti do te kene, as regulloren e kuvendit. PD dogji kuvendit. A ka te beje kjo zjarrvenie e qellimeshme me "puc kushtetues"? Po, dhe ASNJE nuk hapi goje. Se percakton rregull at e punes, sa komisione dhe c'objekt do te kene, pse perben puc kushtetues. AQ me teper qe perberje e komisione e eshte 50%me 50%.pra nuk pasqyron as perqindjen e perberjes se kuvendit. Kjo eshte tolerance e tej kaluar E mazhorances.

    Përgjigju
  • Linda: 16/09/2025 12:49

    E vetmja perrall e pa turpshme eshte hyrja e kriminelit te Elbasanit Bardhit ne kuvend! Ky kriminel nuk ka asnje te drejt morale te ironizoj procesin e integrimit te popullit shqiptar ne Evrop .

    Përgjigju
  • Vlore: 16/09/2025 10:57

    Po normale me mire mungonin diten e pare aty ku i zgjedh populli se sa ne dasmen e djalit te Jozit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?