Qytetarët dhe bizneset do të kenë më shumë kohë për të kundërshtuar transaksionet bankare që nuk i kanë autorizuar ose që janë kryer gabim. Nga 1 janari 2027, afati për paraqitjen e këtyre pretendimeve do të zgjatet nga 6 në 13 muaj, sipas ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”, i botuar sot në Fletoren Zyrtare.

Ndryshimi u jep përdoruesve të shërbimeve bankare më shumë kohë për të identifikuar dhe raportuar pagesat e paautorizuara apo të ekzekutuara në mënyrë të pasaktë.

Ligji parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për transparencën e tarifave dhe kushteve të shërbimeve të pagesave, si dhe krijon bazën ligjore për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë. Synimi është nxitja e konkurrencës dhe ulja e kostove të shërbimeve financiare për qytetarët dhe bizneset.

Një tjetër ndryshim lidhet me institucionet që ofrojnë shërbime pagesash. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, institucionet shqiptare të licencuara do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre edhe në vendet e BE-së, ndërsa institucionet europiane do të mund të operojnë në Shqipëri, sipas rregullave përkatëse.

Ligji vendos edhe kërkesa më të qarta për institucionet e parasë elektronike, përfshirë licencimin, kapitalin dhe mbrojtjen e fondeve të klientëve.

Ndryshimet përfshijnë masa për forcimin e sigurisë ndaj rreziqeve teknologjike dhe sulmeve kibernetike, si dhe detyrime për raportimin e incidenteve madhore dhe rasteve të mashtrimit.

Ky ligj është pjesë e reformave që synojnë zgjerimin e pagesave elektronike dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike.

Ligji u miratua në Kuvend më 22 tetor 2026, me 76 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Presidenti Bajram Begaj dekretoi shpalljen e tij më 31 tetor, ndërsa hyrja në fuqi është caktuar më 1 janar 2027.