Rreth 363 mijë transferta bankare me vlerë totale 4.3 miliardë euro janë realizuar gjatë gjashtë muajve të parë të funksionimit të SEPA-s në Shqipëri. Shifrat u bënë publike nga Banka e Shqipërisë gjatë Forumit Ballkanik të Pagesave 2026, ku u diskutua mbi zhvillimet në sistemet e pagesave dhe transformimin digjital financiar.
Zëvendësguvernatorja e Parë e Banka e Shqipërisë, Holta Zaçaj, tha se anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA ka sjellë ulje të ndjeshme të kostove për transfertat ndërkufitare dhe po ndikon në ndryshimin e mënyrës se si qytetarët kryejnë pagesat. Sipas saj, reformat në sistemin e pagesave dhe digjitalizimi financiar kanë sjellë rritje të përdorimit të pagesave elektronike në vend.
Të dhënat e prezantuara në forum tregojnë se gjatë vitit 2025, 67% e pagesave bankare janë kryer me karta, ndërsa 20% përmes telefonit ose internetit. Numri i pagesave elektronike për frymë ka arritur në 29, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2020.
Për herë të parë, pagesat me kartë kanë kaluar tërheqjet e parasë cash për nga frekuenca e përdorimit, një tregues që sipas Bankës së Shqipërisë reflekton rritjen e përfshirjes financiare dhe ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve. Gjatë forumit, Zaçaj theksoi edhe progresin në harmonizimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimi Evropian, si dhe zhvillimin e bankingut të hapur dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të bankave qendrore, institucioneve financiare ndërkombëtare, industrisë bankare dhe ekspertë të pagesave nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.
Komente









