Italia ka një atashe të ri ushtarak në Tiranë. Kolonel Davide Valente zëvendëson në këtë detyrë kolonel Agostino Piccirillon, i cili ka përfunduar mandatin e tij në Shqipëri.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka mirëpritur atasheun e ri në prani të ambasadorit italian në Tiranë, Marco Alberti, ndërsa ka falënderuar Piccirillon për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Nufi ka theksuar se Shqipëria dhe Italia synojnë të vijojnë bashkëpunimin afatgjatë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Shqipëria dhe Italia synojnë të vijojnë konsolidimin e një partneriteti afatgjatë në fushën e mbrojtjes, të mbështetur në rezultate konkrete dhe në përballimin e përbashkët të sfidave që burojnë nga një mjedis evropian i sigurisë në zhvillim të vazhdueshëm”, shkruan ministri.

Nufi ka uruar kolonel Valenten për detyrën e re, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë do të thellohet në modernizimin e mbrojtjes, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, industrinë e mbrojtjes, arsimimin dhe stërvitjen ushtarake, si dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.