Në 20 vite lufte në Afganistan është katërfishuar sasia e opiumit dhe tani eksportohet heroinë! Gabimet e SHBA-së dhe strategjitë e talebanëve për të zvogëluar prodhimin që të ruajnë çmimin aktual

Në 20 vite lufte në Afganistan është katërfishuar sasia e opiumit dhe tani eksportohet heroinë! Gabimet e SHBA-së dhe strategjitë e talebanëve për të zvogëluar prodhimin që të ruajnë çmimin aktual

Vetëm vitin e kaluar, kultivimi i opiumit është rritur me 37%. Kultivimi i opiumit është burimi kryesor i jetesës për talebanët dhe në fund të fundit, jo vetëm për ata por për të gjithë vendin, pasi gati dy milion njerëz janë të përfshirë në këtë sektor. Veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të dukshëm, në të vërtetë, në disa raste kanë qenë anti-produktiv

Një ndër premtimet më të parealizueshme të talebanëve, me shumë mundësi është ai i heqjes dorë nga të ardhurat që sigurojnë nga kultivimi i lulëkuqeve të opiumit . Nga e cila rrjedhin edhe heroina dhe morfina . Ndoshta ata do të kishin mundësinë për të bërë një gjë të tillë në vitin 2000, kur furnizimi me heroinë në nivel global kishte rënë me 75 përqind . Por, tani për tani, marrja e një hapi të tillë kur 65% të të ardhurave të talebanëve vijnë nga opiumi,  është e paimagjinueshme. Në një kohë që talebanët nuk kanë qasje në rezervat dhe llogaritë jashtë vendit, me fonde ndërkombëtare po ashtu të mbyllura, për ta tani i vetmi burim i rëndësishëm i të ardhurave mbetet trafiku i opiumit dhe drogës , mbi të cilat militantët mund të mbështeten me të vërtetë. Sidomos tani që u duhet të qeverisin dhe ushqejnë 38 milionë afganë,  nëse duan të kenë ndonjë shans për të konsoliduar pozicionin e tyre.

“Në vitin 2000, talebanët në të vërtetë arritën të ndërprisnin prodhimin e opiumit. Ata e bënë këtë në një përpjekje për të fituar njohje në nivel ndërkombëtar ", shpjegon Fabrizio Foschini, anëtar i Rrjetit të Analizave në Afganistan, i cili më tutje specifikon:" Por ishte një veprim që zgjati shumë pak. Vitin tjetër prodhimi u rrit sërish. Njohja ndërkombëtare nuk kishte mbërritur dhe presioni i komuniteteve bujqësore ishte rritur ndjeshëm mbi talebanët ". Ndërkohë, vëren Foschini, teknologjia e prodhimit të opiumit ka evoluar dhe organizuar shumë. Mbi gjysma e të korrave tani janë të përpunuara brenda vendit i cili tanimë eksporton kryesisht produktin e përfunduar, pjesa më e madhe është heroine. Por tanimë nuk janë të përfshirë vetëm fermerët, por pjesë të popullsisë në të gjitha nivelet. "Megjithatë, unë pres që talebanët do të përpiqen të përdorin përsëri kultivimin e opiumit si levë për të fituar njohje ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë ato do të përpiqen të kufizojnë prodhimin. Midis 2019 dhe 2020, prodhimi I opiumit  është rritur shumë, duke shkaktuar një tepricë të furnizimit dhe për këtë arsye një kolaps në çmimet e opiumit të papërpunuar. Unë mendoj se ata do të përpiqen të kufizojnë këtë mbiprodhim, duke ruajtur kështu nivelet e çmimit dhe duke përmbushur kështu kërkesat  e prodhuesve, fshatarëve të disa krahinave jugore që përbëjnë bazën më të rëndësishme shoqërore për lëvizjen ”.

Afganistani dhe Azia Juglindore janë furnizuesit kryesorë të tregtisë së heroinës në botë. Kokaina ndërkohë ka qendrën e vet në Amerikën Qendrore dhe Jugore. 85 % e opiumit të konsumuar në botë vjen nga Afganistani dhe të ardhurat nga kultivimi i tij vlejnë sa gjysma e të gjithë Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, që është dhjetëra miliarda dollarë. Gati 600,000 afganë janë të punësuar në këtë sektor dhe rreth 2 milionë njerëz mbijetojnë falë të ardhurave të siguruara nga opiumi. Fushat e lulëkuqeve afgane janë rritur me 37% vitin e kaluar , duke arritur një sipërfaqe prej 224 mijë hektarësh, e ndarë në 21 nga 34 provincat e vendit.

Helmand dhe Kandahar, provincat në jugperëndim të vendit në kufi me Pakistanin, janë zonat kryesore të kultivimit të opiumit.  Përmes Iranit (rruga ballkanike) opiumi dhe heroina arrijnë në shtetet Evropiane. Nga Jugu, përmes Pakistanit, ato mbërrijnë në Kanada, SHBA dhe Australi. Në dekadën e fundit vendi  ka filluar edhe tregtimin e efedrinës, nga e cila merret metamfetamina, një tjetër stimulues i fuqishëm. Substanca nxirret nga ephedra sinica, një bimë që i përshtatet habitatit afgan. Ndryshe nga opiumi, ephedrine në një masë të madhe është e destinuar vetëm për tregun iranian, një vend në të cilin autoritetet po përballen me një epidemi të vërtetë, të abuzimit të të rinjve me këtë substance.

"Ekonomia e opiumit është një mjet shpëtimi për pjesë të mëdha të popullsisë. Kur gjërat shkojnë keq, ata kthehen tek lulëkuqet që garantojnë të ardhura ”, shpjegon Foschini. "Zonat ku prodhohet më së shumti janë bastionet e talebanëve, në veçanti Helmand" kryeqyteti i vogël " i lëvizjes talebane dhe një nga territoret e para që arriti të rimarrë përgjithmonë pas ndërhyrjes së NATO –s në Afganistan. Këtu të gjithë janë të përfshirë në një farë mënyre në tregtinë e opiumit, duke filluar me autoritetet politike ”, përfundon ai.

Çfarë ka ndodhur në këto 20 vite të pushtimit amerikan?

Pak në të vërtet shumë pak, nga viti 2001 e deri më sot, të korrat e opiumit janë rritur me 340%. Vetëm nga viti 2008 deri në 2011 ka pasur një rënie të kufizuar. Që nga viti 2013, të korrat dhe prodhimi kanë filluar të rriten përsëri, sidomos pas vitit 2015. Kohë në të cilën talebanët kishin kontrollin e 40% të territorit afgan. Një e dhënë tjetër është shumë elokuente: sasia e opiumit e kapur nga viti 2008 deri në vitin 2018 ishte e barabartë me vetëm 5% të prodhimit në vitin 2017. SHBA kanë shpenzuar pak më pak se 9 miliardë dollarë në përpjekje për të ndaluar kultivimin e lulëkuqes . Pjesa kryesore ishte menduar për ndalimin e kultivimit dhe çrrënjosjes së bimëve të opiumit dhe vetëm 1.4 miliardë dollarë janë dhënë për zhvillimin e kulturave zëvendësuese si gruri ose shafrani. Eliminimi i fushave me lulëkuqe ishte një nga objektivat e misionit, megjithëse jo ndër ato prioritare . Paratë që gjenerohen nga këto kampe financojnë talebanët, por gjithashtu një plejadë të organizatave të tjera terroriste, mes tyre edhe Al Kaeda. Sidomos në vitet e para të misionit, Britania e Madhe u përpoq të fillojë programe për të shkatërruar këtë burim financimi, përsëri me rezultate të pasuksesshme.

Pse ky dështim?

 Sipas analizave të trupit monitorues të misionit amerikan në Afganistan (Sigar), operacioni i çrrënjosjes u bazua në supozime të gabuara dhe të dhëna të pamjaftueshme , të cilat ngritën pritshmëri joreale. Shtetet e Bashkuara janë përqendruar në shkatërrimin e fushave me spërkatje ajrore të pesticideve, një zgjidhje e kundërshtuar fuqimisht nga qeveria afgane dhe partnerët e koalicionit. Sidoqoftë, spërkatja e kryer nuk prodhoi një ulje të konsiderueshme të prodhimit. Aty ku u bë përpjekje për të zëvendësuar lulëkuqen me kultura të tjera, fermerët u shpërngulën në zonat jashtë kontrollit të forcave aleate, pasi zëvendësimi ishte kryesisht i pamjaftueshëm për të kompensuar përfitimin ekonomik të lulëkuqes së opiumit. Në disa raste përmirësimi i infrastrukturës bujqësore, veçanërisht me ujitje më efektive, ka pasur efektin e vetëm , rritjen e prodhimit të lulëkuqeve./ ilfattoquotidiano.it

Nga Mauro Del Corno  *Gazetar në median italiane

Përshtati për Shqiptarja.com Suada Mehmetaj

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 22/08/2021 16:34

    Nga sa lexova më lart mendjet e ndritura shqiptare brenda dhe jashtë parlamentit diskutojnë kot për kanabisin në Shqipëri!!

    Përgjigju
  • Sami: 22/08/2021 15:27

    Talebanet e cuan prodhimin e heroines 0 se e ndaluan si harram kur ishin ne pushtet pastaj erdhen amerikanet dhe e bene vendin e pare eksportues ne bote . Mjafton ta google .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave