30 Qershori ishte një rikonfirmim i qartë për Partinë Socialiste edhe pse opozita nuk mori pjesë duke i bojkotuar. Shqiptarja.com sjell një analizë në shifra zyrtare të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Shqipëri nga viti 2013 kur në pushtet erdhi PS-ja duke rrëzuar Berishën pas tetë viteve në krye të qeverisë. Por le të shohim atë që ka ndodhur të dielën e 30 Qershorit. 

Me përfundimin e numërimit të të gjitha kutive për kandidatët, Shqiptarja.com ka bërë një përllogaritje, dhe totali i votave të vlefshme del 765826 votues.Nga këta, sërish nga përllogaritja e Shqiptarja.com, 727.180 vota kanë shkuar për Partinë Socialiste, ndërsa 38.646 vota i kanë marrë kandidatët e tjerë që erdhën nga Bindja Demokratike, të pavarur dhe parti të vogla. Ne zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, kur PS-ja ishte e vetme në garë kundër PD-së, LSI-së, PDIU-së dhe aleatëve të Bashës, socialistët morën 764.791vota, pra më shumë se në 2019 duke pësuar rënie me 37.611 vota.

Për t'u rikthyer në 2015, krahasimi me zgjedhjet lokale per kryetaret e bashkive të para katër viteve nuk mund të bëhet, pasi asokohe PS dhe LSI-ja garuan bashkë. Krahasimi  i vetëm mund të bëhet te votat për këshilltarët bashkiakë, ku PS-ja mori 402.000 vota, por nuk pasqyron qartë realitetin elektoral. Kjo pasi për këshillat bashkiakë ka devijime dhe partitë e mëdha favorizojnë aleatët për t'i 'shpërblyer', por edhe vota ndryshe nga ato për partinë që mbështet kandidatin për kryebashkiak, pasi vota në këshill shkon për individin që në shumicën e rasteve vjen nga fiset ose koalicioni.  Por krahasimi real për 6 vitet në qeverisje të Partisë Socialiste mund të bëhet me vitin 2013 kur erdhi në pushtet. Partia Socialiste me Edi Ramën në krye në 2013 mori 713.407 vota. Pra, krahasuar me 2013, në zgjedhjet e 30 Qershorit të 2019 Partia Socialiste mori 13.773 vota më shumë.

Votat në total në 2019 (Informacioni paraprak nga KQZ-ja)  - 771.863 votues
Votat në total të vlefshme në 2019 (llogaritur nga Shqiptarja.com)  - 765.826 vota
Votat e PS-se në zgjedhjet në 2019 (llogaritur nga Shqiptarja.com) - 727.180 vota
Partitë e tjera në 2019 - 38.646 vota

Krahasimi
Në 2017 PS-ja në parlamentare - 764.791 vota
Në 2015 vetëm në këshillin bashkiak - 402.000 vota
Në 2013 PS-ja në parlamentare - 713.407 vota
Në 2019 më shumë vota se kur rrëzoi Berishën, por më pak se 2017