'Në ’56-ën udhëheqja kishte vaksina për fëmijët e tyre, nga epidemia u mbush vendi me varreza”/ Dëshmia e ish-delegatit që vuajti 32 vite burg

'Në ’56-ën udhëheqja kishte vaksina për fëmijët e tyre, nga epidemia u mbush vendi me varreza”/ Dëshmia e ish-delegatit që vuajti 32 vite burg

Publikohet historia e panjohur të Konferencës së Partisë për Tiranën e cila u mbajt në Kinema “Punëtori” nga data 14 deri më 19 prill të vitit 1956, ku disa organizata partie si ajo e Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Zëri i Popullit”, Radio-Tirana, etj., ngritën probleme të shumta lidhur me hendekun e madh që ishte krijuar në mes funksionarëve të lartë e udhëheqjes së PPSH-së, me popullin e thjeshtë, si dhe privilegjet e shumta që kishin anëtarët e Byrosë Poliutike dhe ministrat e qeverisë.

Kush ishin delegatët që lëshuan akuzat e para ndaj udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe ndryshimi i situatës që ishte krijuar pas ardhjes së Enver Hoxhës nga Vlora dhe hyrjes së tij në sallë, i cili u prit me duartrokitje dhe ovacione të gjata nga pjesa më e madhe e të pranishmëve. Cilat ishin akuzat që Enveri iu bëri disa delegatëve që i kishin dhënë tonin asaj konference dhe roli i ministrit të Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, që u vu në shërbim të Enverit…?!

Ardhja e Enver Hoxhës në sallë u prit me duartrokitje të shumta nga të gjithë delegatët, sepse ne mendonim që ai do të ishte dakort me problemet që u ngritën ditën e parë të Konferencës. Ditën e dytë të zhvillimit të punimeve të Konferencës së Tiranës, në seancën e pasdites erdhi vetë Enver Hoxha. Ai ndërpreu pushimet në Vlorë pasi e informuan për atë që po ndodhte në Tiranë. Hyrja e Enverit u prit me duartrokitje të shumta, pasi ne akoma besonim se ai do të ishte dakort me ato probleme që u ngritën ditën e parë të Konferencës. Pasi Enveri mori në dorë situatën dhe filloi t’ju kundërvihej Vehip Demit, kolonel Iljaz Ahmeti, Drejtorit të Kinostudjos “Shqipëria e Re”, Nesti Zotos e disa të tjerëve që konsideroheshin si organizatorët antiparti të asaj konference, ai ju drejtua sallës duke thënë: A e shihnin këtë Ihsan Budon, ky është një kurioz i jashtëzakonshëm dhe bën çmos e kërkon që t’i dijë të gjitha”.

Ihsan Budo, ish-kreu i komunistëve të rrethit të Sarandës gjatë viteve të Luftës, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në Itali për Reparacionet e Luftës dhe zv/ministër i Grumbullimit, dëshmon për Memorie.al, pjesëmarrjen e tij si delegate në Konferencën e Partisë të Tiranës të vitit 1956, ku ai u cilësua si “antiparti e armik” dhe të gjitha peripecitë që i erdhën prej saj, duke u internuar për 31 vjet në minierat e Kurbneshit dhe i dënuar me 10 vite burg politik.

Ihsan, diçka shkurtimisht për veten tuaj?

Unë kam lindur në qytetin e Gjirokastrës në dhjetor të vitit 1920, ku asokohe familja ime banonte në lagjen Palorto. Babai nuk kishte shkollim, por të parët e trungut të familjes sonë kanë qënë të shkolluar në Turqi dhe kanë mbajtur funksione në administratën e lartë vendore të asaj kohe. Gjyshi im, Hazbi Budo, ka qenë nënprefekt i Përmetit, vëllai i tij, Musai, ka qenë Prefekt i Gjirokastrës dhe vëllai tjetër, Mustafai, ka qenë Dekan i parë i Fakultetit të Mjeksisë në Stamboll dhe më pas Shef i Shëndetësisë së Vilajetit të Janinës. Po kështu vëllai tjetër i gjyshit, Refik Budo, ka qenë një nga mbështetësit kryesor të çetës së Çerçiz Topullit dhe është njohur si patriot. Gjatë viteve 30-të, për arsye ekonomike unë u detyrova të ndërprisja mësimet në gjimnazin e Gjirokastrës dhe u futa në punë në Centralin Elektrik të Sarandës. Si tani e mbaj mend 7 prillin e vitit 1939 kur anijet italiane të pushtimit që nxinin bregdetin e Sarandës atë të premte të zezë.

A keni marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste?

Derin në tetorin e vitit 1941, nuk kam qenë i inkuadruar me Lëvizjen dhe nuk kam qenë komunist. Më 28 tetor të 1941-it, kur ndodhesha në Tiranë, mora pjesë në demonstratën e madhe antifashiste që u zhvillua aty. Në atë demonstratë për herë të parë kam parë Enver Hoxhën, të cilin nuk e njihja më parë. Disa gjirokastrit ma treguan duke më thënë se ai ishte djali i Mulla Halilit. Mbas asaj demonstrate, në janarin e 1942, më thirri Myfit Dudushi një revolucionar i vjetër gjirokastrit dhe më ngarkoi me detyrën e përgjegjësit të grupit edukativ të punëtorëve të Sarandës. Duke u aktivizuar në atë detyrë partie rashë në sy të italianëve, të cilët më 24 korrik në vitit 1942, më arrestuan së bashku me 35 shokë të tjerë në Sarandë.  Më 15 tetor të po atij viti, pas tre muajsh hetuesie, munda të lirohem me ndihmën e Veliko Maliles, një tregtar gjirokastrit, i cili pagoi 200 napolona flori dhe na liroi të gjithëve.  Me veprimin që bëri Veliko u tregua një patriot, por është për të ardhur keq se pas çlirimit shokët tanë komunistë e arrestuan atë dhe pasi i sekuestruan të gjithë pasurinë, e dënuan me vdekje. Ai bëri shumë vite burg dhe më pas vdiq në Kavajë ku ishte i internuar.

Pas arrestimit nga italianët, vazhdove përsëri aktivitetin antifashist?

Kur dola nga burgu, më thirri Bedri Spahiu që ishte sekretari i Qarkorit Komunist të Gjirokastrës dhe pasi u pranova në parti si komunist, më ngarkoi detyrën e sekretarit të partisë për Sarandën. Takimin me Bedriun e bëra në shtëpinë e Qerime Tauzit, që ishte nga bazat më të forta komuniste të Gjirokastres, ku ishte strehuar edhe Qemal Stafa. Këtë detyrë e mbajta deri në nëntorin e vitit 1944, kur u çlirua Shqipëria”.

Pas mbarimit të luftës, çfarë detyrash keni pasur?

Në dhjetor të 1944-ës, më dërguan në Berat si oficer qarkullimi dhe në mars të 1946-ës, më kthyen përsëri në Gjirokastër si kryetar i Ndërmarjes Ekonomike. Më 1 prill 1947 erdha në Tiranë si drejtor i Ndërrmarjes së Artikujve Industrial. Gjatë kësaj kohe, kam shkuar dy herë në Jugosllavi për të lidhur kontrata pune në kuadrin e Marveshjes Ekonomike në mes dy vëndeve. Duke kundërshtuar për shumë probleme që kishin të bënin me atë marveshje ekonomike, deshën të më përjashtonin nga partia si antijugosllav, por më mbrojti Gogo Nushi, Vasil Kati e Haki Toska. Në vitin 1948 u emrova Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorive të artikujve ushqimor dhe industrial, e më pas në 1949-ën, Kryetar i Entit Autonom të Grumbullimit. Pas këtyre detyrave, në fundin e vitit 1949, me vendim të Byrosë Politike u emërova si delegat i qeverisë shqiptare në Itali, për problemet e Reparacioneve të Luftës.

Sa kohë punuat në atë detyrë?

Në atë detyrë punova për 15 muaj dhe të gjitha reparacionet e luftës që Gjermania i pagoi Shqipërisë, erdhën në vendin tonë nëpërmjet Italisë. Pas asaj detyre u ktheva në Shqipëri ku në 1950-ën, më emëruan Drejtor i Përgjithshëm i Grumbullimit në Tiranë. Në atë kohë më thirri Hysni Kapo në zyrën e tij dhe më njoftoi se vendimin e Byrosë Politike, pasuritë që shtetasit shqiptarë kishin jashtë, do të ktheheshin në Shqipëri dhe me këtë detyrë do të merresha unë. Në vitin 1953-in u caktova Drejtor i Përgjithshëm i Furnizimi të Punëtorëve, nga ku u caktova dhe si delegate në Konferencën e Partisë të Tiranës në vitin 1956.

Si është e vërteta e asaj konference?

Konferenca e Partisë së Tiranës i zhvilloi punimet në Kinema “Puntori” nga data 14 deri në 19 prill të vitit 1956. Ajo konferencë u zhvillua nën frymën e vendimeve të Kongresit të 20-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Hrushovi dënoi gabimet e Stalinit dhe kultin e tij të individit. Në këtë kontekst u zhvilluan dhe aktivet e organizatave të partisë të Tiranës, ku u ngritën shumë probleme nga një pjesë e mirë e komunistëve.

Si e kujtoni fillimin e asaj konference?

Ditën që filloi punimet konferenca, Enver Hoxha botoi një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” ku mbështeste vendimet e Kongresit të 20-të dhe po atë ditë shkoi për pushime në Vlorë. Konferencën e drejtonte Beqir Balluku dhe në presidium ishin dhe Fiqirete Shehu,(Sekretarje e Parë e Tiranës), gjeneral-major Tahir Kadare, gjeneral Halim Ramohito, Haxhi Lleshi dhe ndonjë tjetër që nuk e kujtoj dot. Konferencën e hapi Beqiri dhe raportin e lexoi Fiqirete Shehu. Ai raport u prit shumë ftohtë  nga delegatët, sepse ishte i thatë dhe i mbulonte të gjitha problemet që ishin diskutuar në aktivet e organizatat e partisë.

Cilat ishin këto probleme?

Disa kuhë para fillimit të konferencës, në aktivet e organizatave të partisë të Tiranës, siç ishin ato të “Zërit të Popullit”, Kinostudjos, Ministrisë së Industrisë, gazetës “Puna” dhe “Luftëtari” etj., u diskutua dhe u shfaqën pakënaqësi të mëdha për gjëndjen e vështirë ekonomike në të cilën jetonte populli i thjeshtë dhe privilegjet që kishin për vetë udhëheqjen e lartë. Nga shumë komunistë u ngritën probleme se në rastin e rënies së epidemisë së fruthit, udhëheqja e lartë kishte sjellë nga jashtë vaksina vetëm për fëmijët e tyre dhe jo për fëmijët e popullit të thjeshtë dhe si rezultat i kësaj u mbushën varrezat me varre fëmijësh. Si të thuash në ato aktive u ngrit një revolt masive e komunistëve të ndershëm, kundër udhëheqjes së burokratizuar, kundër shkëputjes së saj nga masat, kundër metodave të ashpërsimit dhe acarimit të luftës së klasave brenda dhe jashtë partisë, kundra ndikimit negative të kultit të individit etj.

 U ngritën akuza konkrete ndaj udhëheqjes së lartë për privilegjet?

Patjetër, mjaft delegatë në ato aktive përmendën fakte të degjenerimit të kudrove kryesorë, të privilegjeve që shtoheshin të servilizmit dhe konformizmit në aparatet e partisë  dhe të shtetit, gjendjen e vështirë ekonomike në qytet e në fshat dhe u kritikua propaganda euforike që bëhej për ta zbutur dhe zbukuruar gjëndjen tejet të vështirë ku ndodhej vëndi.

Është thënë se në atë konferencë u kërkua nga disa delegatë edhe rehabilitimi i disa ish-funksionarëve të lartë të PPSH-së që idhin dënuar nga Enver Hoxha?

Në disa organizata u ngrit problem i rehabilitimit të Sejfulla Malëshovës, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut e të ndonjë komunisti tjetër, duke e quajtur dënimin e tyre  si të padrejtë, problem i luftës së klasave dhe i mardhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë etj. Për të gjitha këto probleme, pas raportit që mbajti Fiqëret Shehu, nga ana e delegatëve u bënë pyetje me shkrim e me gojë dhe më kujtohet se në koridoret e asaj konference filloi të flitej dhe për teorinë e Mao Ce Dunit për lulëzimin e njëqind shkollave e njëqind luleve.

Si u pritën këto kërkesa, pra rehabilitimi i disa prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enver Hoxhës që ishin dënuar si “armiq të popullit”, nga ata që drejtonin konferencën?

Ngritja e këtyre problemeve e elektrizoi sallën dhe kjo gjëndje vazhdoi deri ditën e dytë, kur në seancën e pasdites të Konferencës erdhi vetë Encer Hoxha, si duket e lajmëruan për gjendjen e nderë që mbizotëronte.

Cili ishte reagimi i presidiumit të Konferencës për pyetjet e bëra dhe ç’far ndodhi pas ardhjes së Enverit?

Për të gjitha pyetjet që u bënë pas leximit të raportit, nuk pati asnjë prononcim as nga presidiumi i mbledhjes dhe as nga ndonjë antar i Byrosë Politike apo ministër që ndodhej aty, sepse ata nuk e dinin qëndrimin që do të mbante Enver Hoxha dhe nuk jua mbante të flisnin pa ditur se çfar do të thoshte shefi i tyre.

Si e kujtoni hyrjen e Enverit në konferencë?

Hyrja e Enverit në sallën e Konferencës u prit me duartrokitje të mëdha nga të gjithë ne që bëmë kritikat, sepse ne shpresonim deri në fund që ai do të pajtohej me frymën tonë dhe do të kritikonte dhe merrte masat e duhura për të gjithë ata persona të udhëheqjes së lartë që u atakuan në pyetjet e bëra ditën e parë të Konferencës. Ky besim, vinte edhe nga artikulli që Enveri botoi në “Zërin i Popullit”, por për fat të keq nuk ndodhi ajo që besonim ne. Enveri porsa hyri në sallë zuri vend në presidium, kurse pas tij hynë të gjithë antarët e Byrosë Politike që zunë vend në plate. Enveri e mori fjalën menjëherë dhe tha:”Këtu ka qenë një situatë e elektrizuar”. Pas atyre fjalëve ai bëri një histori të gjithë veprimtarisë së Partisë Komuniste që nga krijimi i saj. Gjatë gjithë fjalës së tij ai u duartrokit shpesh herë nga e gjithë salla. Pas fjalës së Enverit, u gjallëruan shumë nga dishepujt e tij dhe filluan që të bëheshin presione të ndryshme kundrejt atyre delegatëve që kishin bërë pyetjet.

Kush i bënte ato presione, kundër kujt u drejtuan ato dhe në çfarë mënyrash bëheshin?

Një nga mbështetësit kryesor të Enver Hoxhës në atë konferencë ishte ministri i Brendëshëm, Kadri Hazbiu, i cili kishte organizuar gjithë Sigurimin e Shtetit dhe pas fjalës së Enverit, ai filloi menjëherë presionet në mënyra të ndryshme. Komunistët kryesorë të konsideruar si antiparti, armiq, tradhëtarë dhe “koka” e organizimit të asaj konference, ndaj të cilëve u drejtuan presionet ishin: Vehip Demi, kolonel Iljaz Ahmeti, Nesi Zoto, unë, Ishan Budo, Vandush Vinçani, Taho Sejko, Pëllumb Dishnica, Pajo Islami, Hulusi Spahiu, Adriatik Kanani, Amali Dishnica, Njazi Jaho, Ibrahim Zverku, Alfred Uçi, Sofokli Afezolli, Qazim Vaqarri, Peço Fidhi, Agron Frashëri, Vasil Mici dhe Masar Bektashi. Duhet të theksojmë se Hulusi Spahiu, Peço Fidhi dhe Pajo Islami nuk ishin fare delegatë në atë konferencë, por ato u akuzuan si “koka” e organizimit të asaj konference që kishin nxitur komunistët e tjerë të flisnin hapur aty./Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Aksident në hyrje të autostradës, vetura ‘Seat’ del me shpejtësi nga rruga dhe bie në kanalin e ujërave të zeza! Shpëtojnë 3 të rinjtë (VIDEO)

Durrës/ Aksident në hyrje të autostradës, vetura ‘Seat’ del me shpejtësi nga rruga dhe bie në kanalin e ujërave të zeza! Shpëtojnë 3 të rinjtë (VIDEO)