‘Në ’75-ën, mbasi isha shpallur ‘armik i popullit’ dhe prisja arrestimin, shkova në shtëpi, ku dogja dokumentet e librat në gjuhë të huaj…’/ Rrëfimi i trishtë i ish-gazetarit

‘Në ’75-ën, mbasi isha shpallur ‘armik i popullit’ dhe prisja arrestimin, shkova në shtëpi, ku dogja dokumentet e librat në gjuhë të huaj…’/ Rrëfimi i trishtë i ish-gazetarit

Dëshmia e rrallë e ish-gazetarit të njohur të gazetës “Zëri i Popullit”, që u internua në fshatrat e rrethit të Matit në vitin 1975, ku punoi në bujqësi, deri në shembjen e regjimit komunist-

Memorie.al / Dola nga zyra dhe u drejtova për në klinikën dentare, ngjitur me Klubin e Gazetarëve. Që kur isha nisur për të vajtur në mbledhje, i thashë sime shoqeje, që të më priste pikërisht aty, jo në Klubin e Gazetarëve, ku e linim shpesh takimin. -Jo! Në Klubin e Gazetarëve jo! -Pse? – Që nga mbledhja e pare, të gjithë i shmangen takimit me mua në vende ku ka njerëz të tjerë. Askush nuk i ka qejf dëshmitarët. Dha kanë të drejtë, se dëmtojnë veten dhe mua: “Pse e takove?”, “Ç’i the?”, “Ç’të tha?” Fillon të veprojë mekanizmi i vigjilencës për të “zbuluar” armiqtë…!

Në korridorin e klinikës po më priste ime shoqe. Takimin e kishim lënë për në orën 12. Unë mendova se mbledhja e fundit e organizatës, ku do të merrej vendimi, nuk kish pse të zgjatej më tepër se dy orë. Por ajo kishte plot një orë që po më priste aty.

Se edhe ajo e dinte që mbledhjet e Partisë, sidomos kur ishte fjala për të “zbërthyer” ndonjë “armik”, dihej se kur fillonin, por nuk dihej se kur mbaronin. Një orë ecejak nëpër korridor. U ul dhe u ngrit disa herë në stolin buzë murit.

Mirë që në atë turmë pacientësh nuk i doli ndonjë i njohur. Ç’do t’i thoshte? Ç’po priste? Unë e kisha porositur: “Asnjë bisedë! Me asnjeri, po të pyeti gjë për mua”. Por, në fund të fundit, ç’rëndësi kishte kjo, kur ajo priste me ankth përfundimin e mbledhjes? Do t’i thoshte çdo të njohuri, po ta pyeste, se një dhimbje e tmerrshme e dhëmballës e kishte lënë tërë natën pa gjumë. Kushdo do ta besonte, kur ta shihte të zverdhur në fytyrë, çehreprishur, shikim humbur.

Kushdo, me përjashtim të gazetarëve që e dinin se në zyrën përballë, po e “zbërthenin” të shoqin me pyetjet: Kur? Ku? Me cilin shoqërohesh? Ç’të ka thënë Filani? Po ti ç’i the?

Dhe edhe me ndonjë thirrje të tillë: “Folë, Vangjush, hapju Partisë, tregohu i sinqertë, Partia është zemërgjerë, do të të ndihmojë, në qoftë se edhe ti do ta ndihmosh Partinë, për të zbuluar më tej veprimtarinë e këtyre armiqve të Partisë dhe të popullit”!

Dhe të gjithë duhet të diskutojnë, të demaskojnë armikun. Përndryshe e fute veten në listën e të dyshuarve, që u vjen keq për armikun. Unë e di se shumica e diskutantëve, ndjejnë dhe mendojnë ndryshe.

Por kjo s’ka rëndësi. Për të gjykuar diskutimet e shokëve, unë u përpoqa të kujtoja se, si kisha diskutuar unë vetë, kur në mbledhjet e organizatës kemi “zbërthyer” dhe dënuar të tjerë. Dhe me gjithë zemër i fala gjynahqarët e mi…!

Jeta jonë qenka një shfaqje teatrale pa spektatorë. Të gjithë jemi aktorë, kemi një rol të caktuar nga partia. Kujdes, se mos të të shpëtojë ndonjë fjalë që nuk përputhet me rolin e caktuar! Përndryshe e hëngre! S’ka më trimëri. Trimat i korri lufta kundër pushtuesit. Pas çlirimit diktatura na futi lepurin në bark.

“Më në fund!”, mendoi ajo kur më pa që mezi po ngjitesha në shkallë. M’u afrua.

-E?..

E kapa për krahu, a thua se doja ta mbaja mos rrëzohej kur të dëgjonte gjëmën, dhe i thashë me një zë që e dëgjuam vetën ne të dy:

-Mbahu, zemër! Që sot e tutje ti je gruaja e një elementi antiparti.

Rrufe! Por një rrufe që nuk ishte e papritur, se kishte kohë që ishte turbulluar moti. Me gjëmime e bubullima dhe me goditjet t rrufeve, njerëzit ishin mësuar. Shumëkush priste radhën, që të binte rrufeja në shtëpinë e tij.

Nga mendja dhe zemra e saj u fshi përnjëherësh çdo mendim e ndjenjë, me përjashtim vetëm të një mendimi dhe të një ndjenje: “Si do t’i vejë filli shpirtit të mamit, Artanit 13-vjeçar”? Kurrë nëna nuk mendon për vete, kur i kanoset rreziku fëmijës së vet.

Një metodë shtëpiake që do t'ju ndihmojë të largoni dhimbjen e kyceve në vetëm 3 ditë

-Po tani?

-S’e di! Unë di vetëm një gjë, që titulli “element antiparti” është parathënie ose e burgut, ose e internimit.

-T’u thaftë goja! Si t’i thotë goja këto fjalë?

– Më është tharë prej kohësh. A e di ç’është trimëria, Leti? Nuk të kujtohet, si na e ka shpjeguar Lim Keta në Durrës? Trimëri është që edhe në situatën më të vështirë, të mos e humbësh toruan, por ta mbledhës veten!

Tani ti shko në shtëpi. Unë do të vij pak më vonë. Merre edhe djalin brenda. Mos e lerë në oborr me shokë. Dhe mos fol me njeri, për asgjë.

-Përcillmë mua. Nuk shkoj dot vetëm. Po më dridhen këmbët.

E përcolla deri në hyrje të pallatit, pa hyrë në oborr, që në këtë orë, është i mbushur me fëmijë.

-Mos u vono, nuk rri dot vetëm në shtëpi. Unë kisha shumë nevojë të isha vetëm për një copë kohë, të mendoja: çdo të ndodhte më tej? Vetëkuptohet, se unë nuk mund të punoja më si gazetar, dhe aq më pak në “Zërin e Popullit”. Më thanë të prisja në shtëpi, njoftimin se ku do të punoja. Fillova një shëtitje, duke ecur ashtu kot, pa adresë, ku më shpinin këmbët. Nuk doja të takoja ndonjë të njohur. Ç’t’i thosha?

 

A mund t’ia qaja hallin tim? Po t’ia them, si do të reagojë? Gjatë njëzet vjetëve të punës në gazetë unë kisha njohur shumë njerëz, edhe engjëllin, edhe djallin. Por ç’ka më shumë në këtë botë, engjëj apo djaj? Tani, me “statusin” tim, si “element antiparti”, do t’i kuptoj më mirë, do të di t’i dalloj.

 

E ndjeva veten të lodhur. Pastaj mendova: “Jo, kjo nuk është lodhje, kjo është frikë, frikë për të ardhmen”.

E kuptova se kisha nevojë për një kafé që të mblidhja veten. Dhe ja, në rrugën e Barrikadave, karshi restorantit “Peshku”, është një bufe. Hyra. I thashë bufetieres: “Më bëj një dopio-kafe”. Ajo më pa e habitur. Por e bëri, madje shumë të mirë, në një filxhan çaji. Ajo, mesa duket, e kuptoj shqetësimin tim, duke më parë me vëmendje. Pastaj hoqi sytë mënjanë dhe tha me zë të ulët: “Halle-halle kjo botë”. Pastaj mbushi një gotë konjak dhe ma vuri në banak, afër filxhanit të kafesë.

-Më fal, shoqe, po unë porosita vetëm kafe!

– Konjakun e ke nga ai shoku atje, – dhe më tregoi me dorë një burrë që po pinte në fund të banakut.

Ishte miku i një kolegut tim. Punonte në NTLUS. E kisha takuar disa herë. Kur binte fjala për punët e ndërmarrjes, ai shpesh e fuste si pykë frazën “… se kështu na ka mësuar Partia”. Mendonte se kështu, duhet folur me gazetarët e “Zërit të Popullit”.

Sytë tona u ballafaquan. Ai më përshëndeti me një lëvizje të kokës, por nuk m’u afrua, siç do të bënte, pa dyshim, një ditë më parë, kur nuk e dinte se ç’më kishte ndodhur.

E mori gotën te banaku, e afroi te buzët dhe, pa m’i shqitur sytë, tundi kokën dhe dorën e majtë, sikur donte të më uronte: “Shëndet dhe durim!” dhe e rrëkëlleu me fund. Pastaj bëri disa hapa, por ndali dy pëllëmbë larg meje, dhe i’u drejtua banakieres për të paguar. Pa i hequr sytë nga banakierja, ai tha: “I kam dëgjuar të gjitha. Po ç’patën me ty xhanëm? Durim, se me sa po dëgjojmë…! Me kaq qoftë… se ka edhe më keq…”!

-“Si? Si the? Çfarë s’të pëlqeu? Ç’ka më keq”?! – iu hakërrua banakierja. Ajo mendoi se ato fjalë iu drejtuan asaj dhe ia përplasi kusurin me inat në banak.

-“Jo, jo! Asgjë, s’e kam me ty, fola me vete, ashtu kot”! – dhe doli me nxitim nga lokali.

-“Po ky ç’pati? Kush është ky mo shok? E njeh ti”?! – m’u drejtua mua bufetierja.

-Jo! Sot e njojta. – Dhe me të vërtet atë ditë e njojta mirë.

Ai e lojti bukur rolin, në mënyrë që dy klientët e tjerë që ishin në lokal, të mos mendonin se kishte biseduar me mua. Por këtë here, ai nuk veproi “ashtu siç na ka mësuar partia”.

Kjo jeta jonë qenka një teatër pa spektatorë, të gjithë janë aktorë, të gjithë përdorin maska për të fshehur ndjenjat dhe mendimet e tyre. Ideator, skenarist, regjisor dhe operator është i njëjti njeri, Enver Hoxha.

Mos po e teproj, nga që jam i shqetësuar? I shqetësuar? Jo! Më tepër jam i revoltuar. Qëndrimi i të njohurve ndaj meje, tani e tutje do të jetë i hapur, pa maskë, “pro” ose “kundër”.

Diskutimet në mbledhjet e fundit më zhgënjyen për disa që i konsideroja shokë, por më zbuluan disa të tjerë, që nuk i kisha vlerësuar më parë. Të parët, për të fituar pikë në sytë e të deleguarit të Komitetit të Partisë, më shanë mbarë e prapë; të dytët i zgjidhnin me kujdes fjalët, për të më rënduar sa më pak, por nuk ua mbante të mbronin argumentet e mia. Tani e kuptova se njeriu, nuk qenka ose engjëll, ose djall, ose i bardhë, ose i zi.

Ndërmjet këtyre dy ngjyrave ka shumë nuanca. Përse më parë mendoja se ky burrë është një kalë karroce me targë “PPSH”? Por ndoshta shumë të tjerë kështu më kanë vlerësuar edhe mua?

“Ktheu në shtëpi! – urdhërova veten. – Ç’po bëjnë tani Violeta me Artanin”?

Në oborrin e pallatit djemtë po luanin me top. Më duhej të kaloja rreth njëzet metra përmes oborrit, për të hyrë në apartamentin tim. Djemtë sa më panë ndaluan lojën dhe më shoqëruan me shikimin e tyre fëminor, por të heshtur.

“Po këta ç’kanë? Pse ngelën si të ngrirë?”. Por shpejt e kuptova se në familjet e tyre emri im ato ditë ishte lakuar në të gjitha rasat.

Sa i rashë ziles së apartamentit tim, përnjëherësh u hap dera e apartamentit përballë. U hap pak, aq sa nxori kokën Sokrati dhe, si pa që në shkallë nuk kishte njeri tjetër, më tha:

-Vangjush! Kur të të thërrasin në Komitetin e Partisë, mos thuaj asnjë fjalë më tepër nga ç’ke thënë në organizatën bazë, se të trullosin me aq shumë pyetje, sa të bëjnë që të bindesh se ti, ia ke prerë ujin fshatit. Më kuptove? Kaq! – dhe e mbylli derën, me kujdes, pa zhurmë.

Thashë me vete: “Faleminderit, por këtë unë e di vetë”.

Në çast e hapi derën Violeta.

– Mezi qetësova djalin, – më tha, – po qante. – por edhe Violeta nuk m’i fshehu dot sytë e saj të përlotur. – Tani është ulur përpara televizorit, le të humbë mendjen me ndonjë film.

U ulëm në minder. Heshtje, heshtje, dhe përsëri heshtje.

-Po fole një fjalë, – më tha Violeta.

-Ç’të them? As vetë s’po kuptoj gjë. As jam në gjendje të mendoj.

-Ndoshta nesër në Komitetin e Rajonit…

-Për raste të tilla nuk vendos Komiteti i Rajonit. Vendosin më lart. Këtij rrebeshi nuk i shpëtojmë dot.

Mblidhe veten. Bëju e fortë, qetësohu.

-Qetësi zeza. Unë mendoj vetëm për djalin.

-Kurse unë mendoj për ty dhe për djalin.

-Bëji një letër ndonjë të madhi. Ankohu.

-Është e kotë. Në kushte të tilla, kur njerëzit dënohen jo në bazë të fakteve, por në bazë të dyshimeve dhe hamendjeve, ankesa të tilla as që shqyrtohen. Dënimet vendosen para se të bëhet gjyqi. Në qoftë se faktet mungojnë, nuk është vështirë që ato të trillohen. Kjo do të ndodhë edhe me mua, kur të më “zbërthejnë” në Komitetin e Rajonit.

-Po ç’të bëjmë atëhere?

-Ah, po. Diçka duhet të bëjmë. E di si është puna? S’është çudi që të na kontrollojnë edhe shtëpinë. Unë duhet të shoh raftin e librave dhe sirtarin tim, mos ka gjë që duhet zhdukur. Ka gjëra që duhen djegur. A s’më bën një kafe të fortë? Unë po kontrolloj andej.

Kalova në dhomën tjetër. U ula në një karrige përballë raftit të librave. Vendosa bërrylat mbi gjunjë dhe u përkula pak, që koka të mbështetej mbi pëllëmbët e duarve. Doja të mendohesha: çfarë duhet pastruar? Ndonjë libër italisht, se mos më akuzojnë për ndikime të kulturës borgjeze, ndonjë libër rusisht, se mos më akuzojnë për nostalgji ndaj rusëve. Por nuk përqendrohesha dot.

Më vërtiteshin në kokë fraza të palidhura njëra me tjetrën: “Librat ekonomike janë të zanatit, s’prishin punë”,: Po kujt i duhet kjo kasaphanë?”, “Edhe pllakat e gramafonit duhen parë, se mos ka ndonjë këngë ruse”. Si tha ai? “Nuk e shikoni si pi, përgjigjet: po, jo, po, jo. Nuk do t’i hapet Partisë, nuk është i sinqertë”. “Unë armik i popullit?!”

Zgjodha disa libra, disa fotografi e blloqe shënimesh. Duhen djegur. Theva disa pllaka gramafoni. I thashë gruas: “Unë po dal t’i hedh këto në oborr, në kazanin e plehrave. Ti ndize zjarrin në sobë”. Do të djeg libra? Do të bëja një krim për herë të parë në jetën time: do të digjja libra.

M’u kujtua Biblioteka e Aleksandrisë, prandaj e quajta krim. “Ç’e do Volterin, kur ke: ‘Lufta ime’ të Hitlerit?”. “Pse vete në bibliotekë dhe lexon libra të huaj? S’të mjaftojnë materialet e Partisë dhe veprat e shokut Enver?” Hyri Violeta.

-E, mbarove? – më pyeti. – Kafen e ke gati. Hajde, se po mërzitet djali vetëm. Kalova në kuzhinë. U ula në minder afër Artanit.

-E pe filmin? – e pyeta.

-E pashë.

-I bukur ishte?

-Nuk e kuptova. S’e kishe mendjen te filmi.

-Po ku e kishe?

Heshtje. Heshtje e gjatë. Heshtje që vret, kur zemra rreh e çrregullt. Heshtjen e prishi Artani.

-Babi, pse je i inatosur ti këto ditë? Se ç’ke një gjë ti, që s’ma thua mua. Por mua më thanë shokët…!

-Ç’të thanë shokët?

-Ata s’më thanë gjë, vetëm më pyesnin: “Ç’ka bërë babi yt? Çdo t’i bëjnë babit tënd”? Ti mua s’më ke treguar gjë. Si t’u them nesër?

U ngashëreva. U kollita fort, me pahir, si shkak për të dalë në banjë, për të shpëlarë sytë, që nuk i përmbajtën dot lotët. Pas pak u ktheva i qetë. Jo, jo i qetë, por pak më i qetë.

-Artan, sonte kemi një punë. Gjithë ato libra që kemi s’kemi ku i vemë. Disa prej tyre janë kot, s’na duhen fare, hajde t’i djegim. Ti e ke qejf flakën në sobë. Dhe nesër do të bisedojmë për çdo gjë.

-Për çdo gjë?

-Po.

Artani heshti. Rrinte si i ngrirë, Artani që nuk rri dot dy minuta pa folur e pa lëvizur.

U çova, edhe Artani pas meje. Nga dhoma tjetër i sollëm në kuzhinë ato sendet “armiqësore” që duheshin djegur.

Violeta më tha me gjysmë zëri:

-Të ndezim zjarr në mes të verës? Mos shohë njeri tymin dhe dritat e ndezura në apartamentin tonë në orën një të natës…!

-Oxhaku ynë është në mes të tarracës dhe nata është pa hënë, asgjë nuk duket.

Përpara derës së hapur të sobës, u ulëm të tre në divan. Në mes Artani. Filloi djegia. Librat shqyheshin, “zbërtheheshin”, që të digjeshin më mirë e më shpejt.

Heshtje, heshtje e zymtë. Të tre shihnim flakën nga dera e hapur e sobës, që përpinte fletë të mbushura me ngjarje, mendime, ndjenja.

Heshtjen e prishi përsëri Artani:

-Po edhe këtë babi?

Artani mbante në dorë një libër përrallash italisht, që e mbante si gjë të shtrenjtë. “Godete fanciulli” ishte titulli i librit dhe kishte shumë ilustrime të bukura.

Disa vite më parë mund të shihje në Tiranë kanalet televizive italiane nëpërmjet repetitorit të Dajtit dhe Artani i qepej ekranit me orë të tëra, për të mësuar italishten. “Godete fanciulli” ishte libri i parë italisht që ai kishte lexuar. “Godete fanciulli” ishte për të abetarja e italishtes. Abetarja është gjithnjë e dashur.

-Edhe këtë babi?

-Po ç’e do, mor bir, ti këtë e ke lexuar njëqind herë.

Artanit iu drodh buza e poshtme dhe i shpëtuan lotët. Unë e kuptova se Artani ndjehu një gërvishtje në zemër.

-Babi, po ta kishe kalin e Xhanpaolos, a do ta digjje sonte?

Kjo nuk ishte një frazë e thënë kot, nuk ishte një pyetje. Kjo ishte një shuplakë që më dha im bir.

Unë i kisha treguar Artanit se kur isha i vogël, gjashtë a shtatëvjeçar, kisha një shok të ngushtë, Paolon. Një inxhinier italian, Bonfiliori e quanin, kishte ardhur me gjithë familje në Korçë, i thirrur nga një shoqëri, si specialist bonifikimi.

Ata kishin zënë me qira një shtëpi, karshi shtëpisë ku banonte familja ime. Zonja e Bonfiliorit, u miqësua me t’imë, kurse unë u bëra shok me djalin e tyre, bashkëmoshatarin tim Paolo. Por aty nga viti 1937 a 1938, Bonfiliori u largua nga Shqipëria./Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin