Edhe pse ekonomia në 9 muaj ka regjistruar rritje dyshifrore, investimet e huaja ende nuk e kanë kapërcyer efektin e pandemisë COVID-19.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë nga janari në shtator të këtij viti janë investuar nga shtetet e huaja 711 milionë euro. Në raport me vitin e kaluar fluksi i investimeve është vetëm 8 milionë euro më shumë, ndërsa krahasuar me vitin 2019 kur nuk kishte nisur pandemia janë investuar 90 milionë euro më pak.

Investimet më së shumti janë përqendruar në industrinë nxjerrëse në këtë 9 mujor të vitit, ndërkohë që ka rënë interesi për të investuar në energji elektrike, gaz dhe uji.

Nëse në vitin 2019 në energji elektrike u investuan 266 milionë euro në 9 mujor, këtë vit për të njëjtën periudhë janë investuar vetëm 35 milionë euro. Shkak për këtë rënie është edhe përfundimi i dy projekteve TAP-i dhe i kaskadës së Devollit.

Ndërkohë këtë vit sipas Bankës së Shqipërisë janë investuar 147 milionë euro në industri nxjerrëse, ndjekur nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme me 141 milionë euro investime. Më pas renditet aktiviteti financiar dhe i sigurimeve me 114 milionë euro dhe industria përpunuese 71 milionë euro.

Holanda është shteti që ka vlerën më të lartë të investimeve në këtë periudhë të vitit me 139 milionë euro, me një rënie prej 38 milionë eurosh krahasuar me një vit më parë.

Më pas është Italia me 103 milionë euro investime nga 94 milionë euro që ishte vlera në 9 mujorin e 2020. Ndjekur nga Turqia me 63 milionë euro dhe Franca me 58 milionë euro investime.

INVESTIMET SIPAS SHTETEVE

Austri          45 mln euro

Franca         58 mln euro

Itali           103 mln euro

Holandë    139 mln euro

Turqi          63 mln euro

FLUKSI I INVESTIMEVE TË HUAJA

Janar-Shtator 2017                      648 mln euro

Janar-Shtator 2018                      755 mln euro

Janar-Shtator 2019                      801 mln euro

Janar-Shtator 2020                      703 mln euro

Janar-Shtator 2021                      711 mln euro