Për të pushuar buzë detit, eksploruar malet e kanionet apo për të vizituar zonat e mbrojtura e monumentet historike e kulturore, të huajt shpenzuan më shumë se vjet në Shqipëri.
Afro 10.2 milionë të huaj që hynë në vendin tonë deri në fund të shtatorit, shpenzuan në total 4.4 miliardë euro, ose rreth 562 milionë euro më shumë se vjet, kur sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, u shpenzuan 3.8 miliardë euro në të njëjtën periudhë.
Nga një përllogaritje rezulton se çdo i huaj ka shpenzuar mesatarisht në Shqipëri 431 euro, për transport, akomodim apo për konsum dhe argëtim. Vetëm 33 euro më shumë se vjet, për shifrat e së njëjtës periudhë.
“Faktori kryesor pas këtyre zhvillimeve është rritja e numrit të udhëtarëve, e shoqëruar me një rritje të shpenzimit ditor për udhëtar, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit ka mbetur e qëndrueshme në raport me një vit më parë”, thotë Banka e Shqipërisë.
Siç edhe pritej shpenzimet më të mëdha janë bërë në pikun e sezonit, në tre muajit e verës. 5.4 milionë të huaj që hynë në vend vetëm në periudhën korrik-shtator, shpenzuan 2.3 miliardë euro ose rreth 424 euro mesatarisht personi.
Shkak për rritjen e shpenzimeve siç pohohet edhe nga raporti i bankës, janë bërë çmimet e larta por edhe shtimi i pushuesve.
Në anën tjetër 6.3 milionë shqiptarë që pushuan jashtë vendit në këtë nëntëmujor shpenzuan 2,301 miliardë euro nga 2,088 miliardë euro vjet. Praktikisht një shqiptar ka harxhuar 361 euro për pushime jashtë vendit, nga 351 euro që ishte vlera në 2024-ën.
Komente









Dhe when per fukarallekun
Përgjigju