Historia është plot labirinte dhe askush nuk mund të pretendojë se i shkon asaj drejt që nga fillimet, për ta ndjekur me tërë hollësitë që ajo ka e mbart me vete në jetën e njerëzve. Veçanërisht, kur shtigjet e saj janë mbyllur apo në to janë vendosur pengesa nga vetë ata të cilët pasi u shpallën fitimtarë e shkruan atë ashtu siç u interesonte. Në harkun kohor të 50 viteve, të vërtetat nuk mund të “varrosen” lehtë, e megjithatë vështirësitë për t’i përshkruar ato, ashtu siç janë përbëjnë jo një punë të lehtë për një gazetar. Por kur portreti i njërit prej atyre, që edhe pse përshkrimin ia kanë bërë kundërshtarët, e takon përsëri me madhështinë e një njeriu të rritur me kohën, ndërgjegjja dhe ndjenja e profesionit të shtyn në të panjohurat e jetës së tij dhe të të tjerëve që e rrethonin.
Askush nga fëmijët e dikurshëm nuk mund ta imagjinonte se ai, “Sali Protopapa” i filmit “I teti në bronz”, që ndeshej me “komisarin Memo” apo shpaloste përpara shikuesit burrërinë dhe karakterin e luftëtarit e të komandantit të skalitur si anadollak dhe pak të pagdhendur, do të ishte një shkencëtar i ardhshëm në institucionet më prestigjioze të Amerikës.
E aq më tepër që pas shumë e shumë vitesh do të kthehej në Berat, më triumfator se fituesit, jo për nga kredoja e luftëtarit, por për nga karakteri, dashuria për njerëzit e vendlindjen dhe nga dëshira për ta parë Shqipërinë më të lirë e, më të civilizuar, më demokratike se propaganda që e mbajti më shumë se të pushtuar në vitet e komunizmit.
Personazhi, i cili më nxiti të rishkruaj përsëri për atë që jo njëherë kanë shkruar, quhet Sejfi Protopapa. Është ai njeri, që siç e përshkruan një kolegu ynë në një shkrim të tij të mëparshëm, CV-ja i endet mes Beratit dhe Wayland-it të Massachusetts-it, mes Luftës së Dytë Botërore dhe një jete krejt të re në SHBA-ës. Jo nga dëshira për të përsëritur apo për të rizgjuar figurën e tij në mënyrë mekanike, por me tendencën për të shtuar diçka të re në njohuritë tona për atë njeri dhe për historinë tonë në veçanti.
Nisa të zbuloj dalëngadalë portretin jo fizik të tij, se duket që regjisori e ka goditur te personazhi i filmit, por duke shkundur kujtimet dhe larguar harresën e mbështjellë me sajesa e gënjeshtra, të cilat ideali fals i mban akoma ngritur si ato perdet e dala jashtë mode, të cilat qëndrojnë në dritaren e muzeut, ku brenda ka relike që nuk të lënë t’i shikosh.
“Sali Protopapa” i filmit “I teti në bronz”, dikujt i ka lënë një shije negative, teksa e shikonte të bashkëpunonte me gjermanët, teksa ishte një mishngrënës, që për brezin që nuk e jetoi e nuk e njohu luftën dhe aktorët e saj në hollësi, kishte një ndikim negativ, pavarësisht se autorët për nga ana e karakterit burrëror të personazhit kanë qëndruar më strikt, ndryshe nga politika e artit të realizmit socialist në ato vite.
Po pse shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, në skenarin e tij, pavarësisht nga rrethanat e kohës, na ka dhënë një portret të gjallë, ku shumë prej ish-luftëtarëve kanë menduar se janë po ata, ai aktori që përfaqësonte “Sali Protopapën”?! Kështu ka ndodhur me Maliq Dusharin, Avni Protopapën, madje edhe vetë Sejfi Protopapën, të cilët kanë besuar se janë vetë ata tipi dhe karakteri i personazhit në fjalë, pa veladonin artistik e ideologjik të veshur nga kërkesat e artit të realizmit apo ideja e fituesit, superioriteti ndaj humbësit.
E nëse në këtë histori arti dhe realiteti njëkohësisht ka shumë hamendje dhe pikëpyetje, kërshëritë i shuan vetë regjisori Viktor Gjika, në intervistën dhe kujtimet e tij për filmin “I teti në bronz” dhe portretin e “Sali Protopapës”. Edhe Sejfi Protopapa në kujtimet e tij nuk harron të jap hollësi për takimin që ka bërë me shkrimtarin Dritëro Agolli dhe ku kanë pirë raki më shumë se sa tregohet që ka pirë, si karakter i skalitur te filmi Sali Protopapa.
Pas 60 vitesh nga ikja e po kaq nga jeta e Sejfi Protopapës, arsimimi dhe veprimtaria e tij në SHBA-ës, pas shkrimit dhe rishkrimit të figurës dhe portretit të tij në mendjet tona, herë të dyndura me informacione të njëanshme dhe herë të mbushura me ato të cilat nuk kemi pasur mundësi që t’i krahasojmë, tani na mbetet të shkruajmë një histori ndryshe nga ajo që na kanë mësuar, sepse krejt ndryshe është realiteti.
“Sali Protopapa” dhe ai personazhi real, Sejfi Protopapa, i cili Beratin e vizitoi në vitin 1992 dhe sot jeton po në SHBA-ës. Po cili është Sejfi Protopapa? Cila ka qenë veprimtaria e tij në Berat dhe më gjerë dhe cila ishte njohja e lufta e tij? Pse dhe si u largua nga Berati e Shqipëria në vitin 1944? Çfarë i ndante dhe çfarë i bashkonte Sejfiun me Kristaq Tutulanin, Bajram Xebën, Dane Cukalatin, Resul Dollanin, Namik Mehqemenë, Fatbardh Gurin, Neti Fugën etj.
Cila ishte në të vërtetë lufta ndaj italianëve dhe pse tentoi të largohej nga Berati Sejfiu, para se të kapitullonte Italia? Kur dhe si u prishën marrëdhëniet midis gupeve që vepronin në Berat dhe si u largua Sejfi Protopapa për t’i shpëtuar pushkatimit të mundshëm?
“Jeta ime në qytetin e një mbi një dritareve”
Emri i tij është i regjistruar ndër dhjetë më të shquarit të Fizikës Bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por edhe pse ka një jetë të mirë e të standardeve të larta në vendin më të zhvilluar e më demokratikë të botës, Sejfi Protopapa nuk mund ta harrojë Beratin, qytetin ku u lind dhe u rrit.
Qytetin ku krahas mësimeve të para mori edhe goditjet e para në karrierën e tij të sapofilluar në luftën për interesat kombëtare, në ato vite kur lufta botërore ishte në kulmin e saj të rënies dhe të fitores për palët ndërluftuese.
Shkak për largimin e tij u bënë bindjet e ndryshme nga ata që ishin në prag të fitores dhe se idetë e tyre nuk përputheshin me palën ku ai bënte pjesë, për mënyrën se si duhet të administrohej pushteti i ardhshëm.
Për Sejfi Protopapën ishin shokë ashtu siç edhe duhej, që nga shkolla unike Resul Dollani, Namik Mehqemeja, Vangjel Myzeqeja, por edhe Margarita Tutulani, heroina që u pushkatua dhe që atij i ka mbetur në mendje për bukurinë e saj me të cilën ishin dashuruar të gjithë djemtë e klasës, siç shkruan ai në kujtimet e tij.
Edhe pse i radhitur në krahun e humbësve të luftës, e Margarita pas vdekjes, në krahun e fitimtarit, Sejfi Protopapa nuk mund të mohojë të vërtetat pas më shumë se 60 vite. Për të Margarita ishte e bukur dhe luftarake, por edhe vëllai i saj, Kristaqi, e shokë të tjerë kanë mbetur në memorien e tij.
Në kujtimet e fizikanit të madh nga Berati për vitet që ka kaluar në Berat, një vend të rëndësishëm zë lidhja që ka pasur me Kristaq Tutulanin dhe ndihmën që i jepte atij për shtypjen e trakteve, gjë e cila nuk i shpëtoi syrit të fashistëve italianë dhe e arrestoi pak ditë para se të kapitullonte, duke e pushkatuar në Gosë të Kavajës së bashku me Margaritën, ndërsa Sejfi Protopapa për t’i shpëtuar arrestimit ikën nga Berati në drejtim të fshatit Protopapë të krahinës së Oparit, Korçë, atje ku kishte disa miq të të atit.
Rrugës, kur ishte në teqenë e Kulmakut, mëson kapitullimin e Italisë dhe kthehet përsëri në qytetin e Beratit për të rifilluar punën dhe luftën që kishin nisur.
Nga kujtimet e Sejfi Protopapës
“Para mbërritjes së “Këmishëve të zeza”, prefekti i Beratit ishte Qazim Bodinaku, një shërbyes besnik i Mbretit Zog, të cilit i ishte besuar të mbante nën vëzhgim të gjithë qytetarët që kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Fierit të qershorit 1935…! Fëmijët e zotit Bodinaku, një djalë dhe dy vajza, vinin në shkollë të shoqëruar me një roje të armatosur, i cili priste jashtë derës së klasës, deri sa mbaronte mësimi.
Margarita Tutulani, Resul Dollani (Toxhari), Namik Mehqemeja dhe Vangjel Myzeqari, ishin disa nga nxënësit e tjerë të klasës sime. Të gjithë djemtë e klasës ishin dashuruar pas Margaritës. Ajo ishte shumë e bukur dhe njëkohësisht nxënësja më e mirë e klasës sonë…! Pushtimi italian nxiti aktivitetin ekonomik, krahasuar me kohën stagnante të regjimit të Mbretit Zog.
Krijimi i Partisë Fashiste dhe Ballit Kombëtar në 1939-ën, si dhe lindja e Partisë Komuniste në 1941-shin (vetëm pasi ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik), krijoi konfuzion në preferencat politike të të gjithë shqiptarëve dhe sidomos tek ata që brenda përbrenda familjeve kishin anëtarë me preferenca të kundërta.
Në shtëpinë tonë nuk ekzistonte konfuzion, për sa i përkiste parashikimit se cila palë do të ishte fituesja e luftës botërore. Në ishim të bindur se kombinimi i armatës së madhe ruse me produktivitetin industrial e ushtarak të SHBA-së, eventualisht do të dilte fitimtar…!
Pak para kapitullimit të Italisë fashiste, më 1943-shin, karabinierët arrestuan një numër të rinjsh në Berat dhe më pas i ekzekutuan ata. Ndërmjet tyre ishte edhe Margarita Tutulani dhe i vëllai i saj, Kristaqi. Në këtë kohë unë ndihmoja Kristaqin të shtypte trakte antifashiste. Kur mora vesh për ekzekutimin e tyre u largova nga Berati dhe u nisa në drejtim të fshatit Protopapë (krahina e Oparit, Korçë).
Atje fisi i babait mund të më ofronte një strehë të sigurt. I lindur me një defekt në çapok, udhëtova ngadalë me ndihmën e bastunit. Gjatë rrugës për në Protopapë, ndenja një natë në teqenë që ndodhet në majën e mbuluar me borë të malit Tomor. Aty mësova për kapitullimin e Italisë dhe brenda një dite u ktheva në shtëpinë time në Berat…”!
Për Sejfi Protopapën marrëdhëniet midis grupeve nacionaliste dhe atyre të Frontit Nacionalçlirimtar në Berat, ishin normale me disa ndryshime të vogla deri në kohën e kapitullimit të Italisë fashiste. Pas futjes në Shqipëri të trupave gjermane, situata filloi të ndryshonte, kujton ai në shënimet e veta të viteve deri në 1944-ën, para se të largohej nga Berati. Sipas tij “…është një fakt historik i pakundërshtueshëm që ushtria gjermane nuk u stacionua kurrë në Berat.
Për të siguruar prodhimin e naftës, ata kishin stacionuar vetëm 100 ushtarë në Kuçovë…”, kujton Sejfi Protopapa dhe më tej shtonë se “…gjermanët ia dinin për nder Xhaferr Devës, një shqiptar nazist i devotshëm, i cili arriti të qeverisë në një farë mënyre vendin, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e arterieve të furnizimit të ushtrisë gjermane”. Sejfi Protopapa kujton se pas kapitullimit të Italisë fashiste, situata në Berat ishte disi konfuze. / Memorie.al
Komente
