Pas disa vitesh Shqipëria është rikthyer të garojë në kampionatin evropian të hedhjes së çekiçit në kategorinë e meshkujve falë Markos Memës. 24-vjeçari ishte në tentativë me federatën e atletikës prej gati 1 viti për t’u bashkuar me Shqipërinë, pasi më herët garonte për Greqinë.

“Unë kam lindur dhe jam rritur në Greqi, te ishulli i Rodosit. 7 vitet e fundit kam jetuar në Athinë edhe ku po stërvitem. Studioj për inxhinieri ndërtimi,”-u shpreh fillimisht Markosi.

Mema jo vetëm që garoi, por në kampionatin evropian të mbajtur në Qipro u rendit i 7 për Shqipërinë, me rezultatin 79.95 metra, duke vendosur edhe rekord personal.

“Të garoj për ngjyrat kuqezi është një ëndërr që u bë realitet për mua dhe familjen time. Ju premtoj që vendi i 7 në këtë evropian është vetëm fillimi sepse do jap 100% çdo garë për ta ngritur flamurin kuqezi sa më lart,”-tha sportisti.

Në intervistën e dhënë për Report TV Mema siguron se nëse kushtet meteorologjike do të ishin ndryshe, do të kishte arritur rezultat edhe më të lartë.

“Gjatë garës kishte shi, erë dhe ishte shumë ftohtë. Detaje që s’të ndihmojnë gjatë garës, por pavarësisht këtyre vështirësive jam shumë i lumtur për rezultatin e rekordin,”-u shpreh Mema.

Në federatën shqiptare të atletikës janë të bindur se 24-vjeçari do të kualifikohet me normë në Lojërat Olimpike të 2028.

“Lojërat Olimpike që janë në 2028 në Los Angelos është objektivi për mua dhe çdo atletet,”-deklaroi Mema.

Përveç Markos Memës në kampionatin evropian të Nikosias Shqipëria u përfaqësua në disiplinën e hedhjes së çekiçit edhe Yipsi Morenon në kategorinë e vajzave. Sportistja me origjinë kubaneze u rendit e 11 me rezultatin 63 metra.