Konferenca Vjetore e Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore, mbledh sot në Berlin përfaqësues të politikës dhe biznesit nga rajoni.

Në sesionin kryesor të konferencës do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë fjalimin kryesor në sesionin kryesor të Konferencës Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor me temën: “E ardhmja europiane e Shqipërisë, reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin gjerman, Rama do të zhvillojë gjithashtu një takim me anëtarët e bordit të Komisionit të Bllokut Lindor dhe me drejtues ekzekutivë të kompanive të rëndësishme të Europës Lindore. Sipas njoftimit, në fokus do të jenë investimet, klima e biznesit në Shqipëri dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Diskutimi do të moderohet nga Michael Harms, ndërsa pjesë e prezantimit do të jetë edhe Diella, e prezantuar si Ministrja e Parë e krijuar me Inteligjencë Artificiale. Pas fjalimit të Ramës do të zhvillohet edhe një seancë me pyetje dhe përgjigje me pjesëmarrësit e konferencës.

Vizita në Berlin do të vijojë më 17 qershor me një takim mes kryeministrit shqiptar dhe Ministres Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë së Gjermanisë, Katherina Reiche.

Takimi do të përqendrohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, investimet në sektorin e energjisë, si dhe progresin e vendit tonë në procesin e integrimit europian.