Gjykata e Apelit vendosi t'i ulë Dritan Dajtit një vit nga dënimi duke i njohur të drejtën e përfitimit nga amnistia. Vitin e kaluar, avokatët e Dritan Dajtit, kërkuan në gjykatë përfitimin e një viti amnisti (shuarje) nga vuajtja e dënimit të dhënë me vendimin nr. 146, datë 17 mars 2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimi në fjalë e dënonte Dritan Dajtin me 23 vjet heqje lirie, për për akuzën e “Vrasjes me paramendim” në dëm të biznesmenit Agim Beqja, “Vjedhje me Dhunë” në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarit” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” kryer me përdorimin e armës, “Kanosjes për shkak të detyrës” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”, për arratisjen nga Gjykata e Tiranës më 17 nëntor 2003.

Megjithatë edhe pse vendimi i Apelit, citon uljen e dënimit për vendimet e dhëna ndaj Dajtit për vrasjen e biznesmenit dhe arratisjen nga gjykata e Tiranës, ai duket se përfiton 12 muaj më pak dënim edhe tek penalizimi i vendosur për vrasjen e katër policëve Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duckollari dhe Kastriot Feskaj në 7 gusht 2009. Shkak për këtë interpretim, bëhet një vendim i mëparshëm i gjykatës së Elbasanit, e cila me verdiktin nr. 1108 të datës 11 maj 2020, ka vendosur që të gjitha çështjet ndaj Dritan Dajtit (për vrasjen e biznesmenit në Tiranë, arratisjen nga gjykata dhe vrasjen e 4 policëve), ti përmbledhë në një dënim të vetëm me 25 vjet burgim. Më 13 korrik 2022 gjykata e Shkallës së parë në Elbasan, ka vendosur se Dritan Dajti përfiton një vit amnisti (shuarje) nga vuajtja e dënimit të dhënë me vendimin e vitit 2006 të Gjykatës së Tiranës.

Ndaj këtij vendimi ka bërë ankim prokuroria e cila nuk ka qenë dakord dhe ka kërkuar shfuqizimin e tij në gjykatën e apelit, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit, ka aprovuar amnistimin e Dajtit për një vit. Të hënën e 26 qershorit 2023, gjyqtari Genti Dokollari, vendosi të linte në fuqi vendimin e gjykatës së Elbasanit për ti hequr Dajtit një vit nga dënimi i mbetur. Vendimet e njëpasnjëshme të gjykatave e afrojnë më shumë Dritan Dajtin në periudhën e mbetur të dënimit ku mund të kërkohet lirimi me kusht ndërkohë që në një process tjetër gjykata e shkallës së parë dhe apeli, i kanë rrëzuar Dajtit kërkesën për të përfituar 45 ditë ulje dënimi për periudhën 2019-2020.  

Dritan Dajti, u dënua me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009. Fillimisht Dajti ka qenë i dënuar me burgim përjetë por iu hoq nga gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli. Këta tre gjyqtarë firmosën pro heqjes së burgimit të përjetshëm për Dajtin, duke argumentuar se sipas ligjit i takon.