Nëse ka një vend ku shqiptarët kanë ngritur komunitetet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara, ai është trekëndëshi Nju Jork–Miçigan–Connecticut. Kjo del në pah nga një hartë e re interaktive e publikuar nga “The New York Times”, e cila tregon se nga vijnë banorët në çdo cep të SHBA-së, bazuar në të dhënat e Byrosë Amerikane të Regjistrimit të Popullsisë (US Census Bureau).
Për komunitetin shqiptar, harta nxjerr në pah disa zona ku prania është dukshëm më e madhe se në pjesën tjetër të vendit. Në krye për numrin e banorëve me origjinë shqiptare renditet Macomb County në shtetin e Miçiganit, me rreth 14 mijë shqiptarë. Pas tij vijnë Westchester County në Nju Jork me 11 mijë, ndërsa Queens County dhe Bronx County, po në Nju Jork, numërojnë nga 10 mijë shqiptarë secili. Në pesëshen e parë përfshihet edhe Kings County, një tjetër qark i Nju Jorkut.
Por jo vetëm numri i banorëve bie në sy. Harta tregon edhe qarqet ku shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë. Në vendin e parë renditet Richmond County në Nju Jork, ku komuniteti shqiptar përfaqëson rreth 2% të banorëve. Me të njëjtën përqindje renditet edhe Macomb County në Miçigan. Më pas vijnë Putnam County dhe Westchester County në Nju Jork, me nga 1%, si dhe Naugatuck Valley Planning Region në Connecticut.

Sipas “The New York Times”, harta është ndërtuar për të ofruar një pamje sa më të plotë të origjinës së popullsisë amerikane dhe të mënyrës se si komunitetet etnike janë shpërndarë në të gjithë vendin. Për shqiptarët, të dhënat konfirmojnë se komuniteti vijon të ketë qendrat e tij më të forta në shtetin e Nju Jorkut dhe në Miçigan, zona ku prej dekadash janë vendosur mijëra familje me origjinë shqiptare.











Komente
Komento