Kreshnik Spahiu në REPORT TV: Personazh i vitit janë ‘Tifozat Kuqezi’! Berisha dhe Rama do shkrijnë çdo parti tjetër më 11 Maj! PD e PS duhet të ishin të jashtëligjshme

Viti 2024 po mbyllet mes shumë zhvillimeve politike, zgjedhjeve që po afrojnë, hetimeve dhe dosjeve të nxehta të SPAK, turizmit në rritje, Europianit të Gjermanisë ku u përfaqësua edhe Kombëtarja kuqezi, por edhe një prespektive për rrugën drejt Bashkimit Europian.

Por si e sheh juristi dhe opinionisti Kreshnik Spahiu vitin që po mbyllet. I ftuar sot (29 Dhjetor) në studion e edicionit të pasdites në Report TV, i pyetur nga gazetari Nertil Agalliu, ai dha opinionin e tij, ku nuk u la pas as situata e fundit politike, zgjedhjet e 11 Majit 2025 apo skenarët e partive të mëdha.

Për Spahiun, personazhi i vitit që po mbyllet janë Tifozët Kuqezi, me imazhin që i dhanë Shqipërisë në mbarë botën gjatë Evropianit të Gjermanisë, por edhe bumi i turizmit dhe shifrave të larta të vizitorëve.

Në aspektin e drejtësisë, juristi i vuri në pah opozitës paradoksin me SPAK, duke i kujtuar llogjikën me dy standarde që kjo parti ndjek kur vjen puna të SPAK, i cili tashmë i ka rrëzuar çdo alibi me rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Juristi është i bindur se edhe pas zgjedhjeve të vitit 2025, ku PS dhe Rama do dalin përsëri fitues, në politikën shqiptare do dominojnë vetëm dy parti, PD dhe PS, teksa mund të ketë edhe moszgjatje të mandateve të prokurorëve të SPAK. madje ai sbuloi edhe faktet se si Berisha dhe Rama kanë plan që të shkrijnë çdo parti politike në zgjedhjet e 11 Majit dhe të ketë vetëm dy parti parlamentare, duke theksuar se ka pakt politik mes të dyve.

Spahiu tha se “Hetimet ndaj Veliajt nxorën blof ata që thoshin se SPAK komandohet nga Soros”.

Gjithashtu ai vuri në dukje edhe një element, duke kujtuar se është e çuditshme sesi PD proteston vetëm te Bashkia e Tiranës, por jo te Kryeministria, duke theksuar se ka një pakt Rama-Berisha, ku i pari rri në pushtet dhe tjetri mban opozitën, pasi nuk i intereson fitorja por partia.

Spahiu u shpreh se me ato që kanë bërë dy partitë e mëdha duhet të ishin shpallur të jashtëligjshme, teksa nuk besonte te tezat e përçarjes brenda PS-së. Një tjetër fakt interesant i pohuar nga juristi ishte përpjekja e Berishës për t'ia lënë partinë të bijës si trashëgimi. 

"Mendoni sikur Sali Berisha të ishte kryeministër i Kinës, apo Albin Kurti të drejtonte një vend me 200-300 milionë", u shpreh ai, duke bërë analogji politike me diskursin e ashpër politik që ata kanë ndaj Perëndimit.

Në lidhje me temën për personazhin e vitit ai u shpreh si më poshtë:

“Është një pyetje e vështirë, por në optikën dhe këndvështrimin tim mendoj se janë Tifozat Kuqezi. Të cilët për herë të parë, përfaqësuan denjësisht simbolet tona kombëtare, ngjyrat e flamurit kombëtar, në kryeqendrën e Europës, pse jo dhe Botës, në Gjermani, në sytë e miliona e miliona shikuesve në gjithë botë, reklama më pozitive për popullin tonë, të cilët pak dinë, ose aspak dinë, që edhe kur e kanë një informacion, nuk e kanë shumë pozitiv”.

Ai tha se viti ishte emocionues në këtë aspekt dhe shqiptarët përjetuan emocione, pavarësisht gjendjes social-ekonomike.

“Ka qenë një mua shumë emocionues, ku larg bindjeve politike, larg ngjarjeve negative, ku miliona shqiptarë kanë mundur të buzëqeshin dhe të ndjenin disa emocione të lumtura. Të cilat në shumicën e jetës janë çaste të pakta për shqiptarët, të paktën për atë pjesë të popullsisë e cila është e varfër, vuan, është e papunë, e cila kaloi ditë të vështira gjatë vitit 2024”, tha Spahiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:12
Spahiu zbulon faktet: Berisha dhe Rama do shkrijnë çdo parti tjetër në zgjedhjet e 11 Maj! Në disa shtete, PD dhe PS do shpalleshin të jashtëligjshme

Tema e fundit e intervistës me juristin Kreshnik Spahiu në Report TV ka qenë zgjedhjet e 11 Majit 2025, kush i fiton dhe si ridimensionohet politika shqiptare.

Për Spahiun, dy partitë e mëdha do jenë ende në politikën shqiptare, madje edhe më të forta për fat të keq, pasi ato e kanë mbyllur misionin e tyre dhe shqiptarëve u duhet një alternativë e tretë.

Madje ai shtoi se për dinamikën që kanë ndjekur këto dy parti të mëdha dhe veprimet e kundraligjshme, në çdo shtet tjetër do ishin shpallur të jashtëligjshme.

“Nuk pres asnjë surprizë. Rama shkon drejt një mandati tjetër. Unë mendoj se Rama dhe Berisha do vazhdojnë të drejtojnë politikën shqiptare. Do dëshiroja që të dyja PD e PS të dilnin më të dobëta, për të mirën e shqiptarëve, kanë humbur misionin e tyre historik. Në disa aspekte kanë kryer veprimtari antikushtetuese. Po të ishte në një shtet tjetër, ndoshta ndonjëra prej tyre mund të kishin dalë edhe jashtë ligjit. Është e paprecedentë. Nuk ka ndodhur as në Europë, por as në Afrikë, nuk ndodh në Nigeri, që brenda një partie të marrin hurin, të marrin shkallët, të blindohen dyert, gjysma poshtë si në kohët mesjetare me shkallë të ngjiten, gjysma tjetër me hunj e me sopata, duke përzënë tjetrën. Nga ana tjetër janë krijuar 5 parti brenda një partie. Kësaj partisë tjetër që është në pushtet nuk i ka ngelur asnjë burrë, i kanë mbetur vetëm gra, sepse burrat janë nën arrest, nën procedim penal etj. Pra këto parti e kanë mbyllur misionin e tyre historik, pra duhet të kishte një dinamikë apo konfigurim politik siç e ka Kosova, me 5 dhe 6 parti që marrin 18, 20, 22 deputetë, jo në nivele të larta”, shprehet Spahiu.

Dhe ai parashikon zhvillime negative më 11 Maj, pasi skema dhe infrastruktura është ngritur posaçërisht që të kemi vetëm 2 parti parlamentare, PD-PS, pra dy të këqija dhe pa alternativë të tretë.

“Por kjo s’mund të ndodhë, sepse e shoh një nga ngjarjet më negative që pritet më 11 Maj, se në radhë të parë skema dhe infrastruktura janë përgatitur që për herë të parë të kemi një parlament dypartiak. Të ngelen vetëm PS e PD, për t’i shkrirë të gjithë. Kjo është dëshira dhe strategjia e Ramës dhe Berishës që të jenë vetëm dy të këqija në Parlament, për t’iu imponuar ndërkombëtarëve apo SPAK-ut dhe gjithë institucioneve të drejtësisë, për t’i vendosur shqiptarët pa alternativë të tretë, se s’ka mënyrë tjetër, o me njërin, o me tjetrin. Në një farë mënyre gjithë procesi politik po shkon drejt këtij rezultati. Vetëm nëse ka çudira, por çudirat mund t’i bëjë vetëm Prokuroria Speciale deri më 11 Maj. Nëse nuk do të ketë vendime të nivelit të lartë. Niveli i lartë janë Rama dhe Berisha, gjithë të tjerët janë ushtarë, nuk e ndryshojnë rezultatin zgjedhor, vetëm nëse ndodh që të krijohet parti brenda PS, por edhe nëse ndodh nuk ka kohë. Nuk ka kohë krijimi i një partie politike në dy muaj, nuk ndodh, e pamundur, pas dy muajsh bëhet regjistrimi në KQZ dhe më duket e pamundur përçarja brenda e PS nuk ndodh, është iluzion”, përfundon ai.

Ora 20:50
Ironia e Spahiut: Pse opozita është kundër përçarjes së Ramës me Veliajn dhe proteston vetëm para Bashkisë?

 

Kreshnik Spahiu, sot në Report TV

Një tjetër temë e ‘nxehtë’ e intervistës në Report TV me juristin Kreshnik Spahiu ishte konflikti i mundshëm brenda mazhorancës apo pyetja nëse ka përçarje, duke marrë shkas edhe nga hetimet e nisura prej SPAK për kryebashkiakun Veliaj.

Ai u shpreh se nuk besonte se ka përçarje brenda mazhorancës, sepse edhe veprimet e opozitës janë më shumë prej ‘injoranti politik’, duke ironizuar aksionet e çuditshme të Berishës dhe PD, me protesta te Bashkia, por jo te Kryeministria.

“E marrim të mirëqenë se ka konflikte në mazhorancë. Padyshim se ka. Konflikti i Ahmetajt është publik, i ditur. Por mund të ketë edhe të tjera. Por a do i interesonte opozitës një PS e përçarë, apo e unifikuar? Edhe më injoranti në politikë do thoshte se PD-së i intereson që PS të përçahet në dy apo tre fraksione. Pra ti si drejtues i opozitës, duhet të mbështesësh ata persona a fraksione që janë kundërshtarët e Edi Ramës. Vetëm një herë ka ndodhur rikthimi i Berishës në pushtet më 2005, kur Meta e përçau dhe mori 25% të partisë dhe krijoi parti. Natyrisht atë kohë Berisha ishte me Metën se fal votave që mori Meta si fraksion në 2005, erdhi në pushtet Berisha”, tha Spahiu.

Dhe e zhvilloi më tej argumentin e tij, duke nxjerrë në pah paradoksin politik të opozitës:

“Për analogji të gjithë atyre injorantëve politikë do u thoja nëse ka përplasje mes Veliajt dhe Ramës, meqë po thuhet e diskutohet, siç e thotë e Berisha, se Erjon Velisë ia ka bërë Edi Rama. Tani pyetja është për Sali Berishën dhe të gjithë ata që i shkojnë pas: Pse ju jeni kundër Erjon Veliajt dhe protestoni çdo javë te Bashkia. Juve politikisht duhet t’ju interesojë që Erjon Veliaj të jetë kundër Edi Ramës dhe anasjelltas! Dhe nëse Veliaj është në konflikt, ju keni interes që ai të krijojë një parti, të krijojë një konflikt, fraksion, të përçajë PS dhe ju të vini në pushtet. Këtë e kupton edhe me idioti i politikës. Pyetja është për të gjithë ata që i shkojnë pas: Pse Sali Berisha proteston dhe sulmon Veliajn, kur ai është fraksioni i vetëm që mund ta përçante PS-në? Pse Berisha ka 6 muaj nuk proteston te kryeministria dhe proteston vetëm te Bashkia e Tiranës? Pse shkon bllokon çdo rrugë, çdo semafor, kryqëzim, shkon para çdo godine, vetëm te Kryeministria nuk ka shkuar këtë vit? I morën mbarë gjithë sheshet, shkuan te bashkia, po jo te Kryeministria!”

Dhe të gjithë këtë situatë ai e lidh me faktin se pas kësaj fshihet një Pazar apo pakt.

“Këtu ka dy gjëra, ose ka pazar me Ramën dhe s’do të vijë në pushtet, ose janë tërësisht injorantë dhe nuk e kuptokan që një çarje e PS-së, Veliaj-Rama, u intereson atyre. Unë mendoj se kjo e dyta nuk ekziston. Sepse ata injorantë nuk janë në politikë, ata janë shejtan-budalla, ata e kuptojnë shumë mirë, por janë peng, e dinë shumë mirë rezultatin, as u intereson fare nëse çahet PS, s’kanë interes të fitojnë, se kanë tjetër pazar politik”, thotë juristi.

Një tjetër pyetje e intervistës ka qenë nëse SPAK nis hetime me denoncime anonime, si në rastin e kryebashkiakut Veliaj, ku organi i akuzës e pranoi se kishte marrë denoncim nga një person me nesti Angoni dhe që nuk ekziston?

“Kjo është pyetje e rëndësishme. Në radhë të parë prokuroria ka të drejtë të nisi hetime edhe kryesisht, pa kallëzues direkt. Sepse ai person nuk ekziston, është konfirmuar nga SPAK që Nesti Angoni nuk ekziston, nuk identifikohet, ka qenë thjesht për të çuar zarfin me dokumente. Ka edhe denoncime të tjera, është hapur realisht një praktikë negative këtu, e cila nuk duhet lejuar, jo se ka nisur vetëm me Veliajn, sepse ka nisur më parë edhe me Gjykatën Kushtetuese, në detyrë apo gjatë Vettingut, denoncime me e-maile. Nga persona që s’kanë lidhje me punën apo aktivitetin dhe janë marrë për bazë dhe ish-kreu i Kushtetueses është dënuar 1 vit me kusht, pavarësisht se nuk u dhimbset politikës apo militantëve. Pra kemi praktika negative të precedentëve penalë, që janë hapur nëpërmjet denoncimeve dhe kallëzimeve anonimë. Unë jam i mendimit që këto denoncime dhe kallëzimet anonime të mos merren e pranohen. Por jo të mos hetohen, që mos keqkuptohen prokuroria e SPAK, pra nëse ka një informacion apo lajm, prokuroria ta fillojë procedimin apo hetimin për provat”, shprehet juristi për Report TV.

Spahiu argumenton edhe pse është kundër kësaj praktike me njerëz anonimë, por shtoi se nuk ëhstë kundër hetimeve të çdo rasti të tillë që publikohet qoftë edhe në media, pra të verifikohen.

“Ajo që mendoj, është se në të ardhmen të mos i jepen frymëmarrje personave anonimë në kallëzime nga persona për qëllime politike, mendoj se kjo rrugë duhet ndërprerë, kjo s’ka lidhje me Veliajn, se nesër mund të dëmtohet edhe opozita mbi këtë bazë. Mua kjo s’më duket e udhës. Duhet vendosur një standard, përtej llogjikës së turmës, se ato s’duan t’ia dinë për të drejtat e njeriut apo aspektet proceduriale, ato duan sekuestrime dhe arrestime, është psikologji popullore kjo. Sidomos për popuj që kalojnë periudha me mungesa arrestimi, shteti, demokracie, korrupsioni, mjerimi, skamjeje etj. Për shqiptarët të korruptuar janë të gjithë. Për turmën janë të korruptuar policët, prokurorët, politikanët, gjyqtarët, doganierët, pedagogët, mjekët etj. Këta nuk janë kinezë, janë shqiptarë. Pra ne duhet të jemi më të ftohtë në gjykim, kur vjen puna në këto çështje, arrestime, gjykime. Pra edhe nëse ai është Berisha, apo Meta, Veliaj dhe Rama të arrestohen, duhet të respektohen të drejtat e njeriut. Nuk e dëshiroj që të ndiqen penalisht me procedime të paligjshme, kushdo qoftë. Duhet të ndalohen praktika e kallëzimeve anonime, duhet të jetë histori e mbyllur”, theksoi ai.

Ora 20:17
Spahiu: Hetimi ndaj Erion Veliajt nxori blof ata që thonë ‘SPAK komandohet nga Soros’! Prokuroria e Posaçme pati sukses këtë vit

Viti që po mbyllet u shënjua edhe nga një numër i madh hetimesh dhe arrestimesh apo dënimësh nga drejtësia e re.

Arrestimet e SPAK më 2024, arrestimi i ish-presidentit, por edhe zyrtarëve të tjerë, si i sheh juristi Kreshnik Spahiu këto zhvillime, në intervistën e dhënë sot (29 Dhjetor) për Report TV?

“Përsa i përket SPAK-ut mund të themi për pjesën që ka arrestuar dhe hetuar një numër të madh zyrtarësh, kryetarësh bashkish, ministrash, deputetësh, sot bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit si Sajmir Tahiri, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, deri te zoti Veliaj janë nën rrjetën e SPAK-ut. Dhe duke kaluar pastaj te shumë deputetë dhe 7-8 kryetarë bashkish. Më parë ka qenë e paimagjinueshme. Askush nuk mund të përgjigjet sot se kush do të kishte qenë reagimi i Berishës nëse do të ishte kryeministër, siç është Rama sot. Nëse Berishës do i arrestoheshin 6 ministra, 7-8 deputetë, 10 kryetarë bashkish, a do kish qenë i hapur me SPAK, a do thoshte se po bën arrestime të ligjshme, apo do e konsideronte grusht shteti dhe pu dhe puç politik? Apo do i konsideronte të sponsorizuara nga Soros, apo do i konsideronte të korruptuar, do mblidhte Parlamentin ta shpërndante SPAK-un, apo do mblidhte Parlamentin dhe ta shkarkonte Altin Dumanin me ceremoni dhe çfarë do ndodhte pas kësaj, kush do ta ndalte? Do e ndalte ambasada Amerikane që s’ka ambasador dhe nuk ka asnjë reagim këto muajt e fundit? Pra askush nuk jep përgjigjen se çfarë do ndodhte nëse do kishim një situatë tjetër politike”, tha Spahiu.

Më tej shton se Prokuroria e Posaçme pati sukses.

“Them se është sukses i SPAK që ka ndërmarrë një sërë masash për të goditur pushtetin, sepse ka qenë e paimagjinueshme deri dje. E dyta, është sukses që nuk ka më përplasje me qeverinë, pra të dukshme, se sigurisht se ka pasur të nivelit që Rama ishte kundër emërimit të Dumanit, kjo qe shkak edhe i përplasjes me ish-ambasadoren Yuri Kim, por kjo duhet parë si vlerë, si aspekt negativ apo pozitiv. Po ta marrësh në të gjithë kontekstin e vetë, është më shumë fenomen pozitiv sesa negativ”, u shpreh ai.

I pyetur se Kryeministri tha në një intervistë se SPAK është meritë e imja, pra e mazhorancës, PS-së, juristi ndan një mendim se kjo është normale për një parti në pushtet.

“Çdo kryeministër kërkon që të marri meritë. Nga ana tjetër ai i çon edhe një mesazh SPAK, për t’i thënë që ju ekzistoni fal PS-së dhe tolerancës, anës liberale që kam unë si kryeministër. Unë do bëja një pyetje hipotetike. Vitin që vjen, siç ka dalë publikisht, pritet që SHBA-të dhe trupa diplomatike të kërkojë një zgjatje të afatit dhe të mandateve të SPAK. Dhe do të kërkohet edhe zgjatja e mandatit të Altin Dumanit. Në këto kushte unë kam një pyetje për publikun. Nëse mandati i SPAK varet nga PS, nëse votohet zgjatja, a kanë meritë politike këta që e votojnë apo nuk kanë? Dikush do thotë do e votojnë nga presioni. Por fakti se kërkohet vota për një institucion do të thotë që pa vullnetin politik ky institucion nuk ekziston. A bëhet me hir apo me pahir? Marrim dhe pjesën tjetër, që bëhet me pahir, ama kemi dhe disa që e pranojnë një vullnet të imponuar. Se mund të kemi dhe rastin tjetër që nuk e votojnë. Unë jam nga ata që mendoj se gjatë 2025 nuk do e zgjasin mandatin e SPAK. Pra Rama dhe Berisha kanë një lloj pakti për t’i dhënë një lloj mesazhi qoftë ndërkombëtarëve, qoftë dhe Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës, që këta duhet të kenë një limit. A do funksionojë kjo logjikë? Mbetet për t’u parë”, shpjegon ai.

Por çfarë ndodh pas zgjedhjeve, sipas numrave të deputetëve, a do zgjatet apo jo mandati?

“Nëse Rama fiton 90 mandate në zgjedhje, do e ketë e vështirë të bëjë lojëra me amerikanët sepse amerikanët do i thonë se e ke ti në dorë për ta votuar dhe do vihet në vështirësi, nuk bën dot lojëra me amerikanët. Por nëse Rama merr 75 a më pak, 65 le të themi dhe i duhen votat e opozitës, sepse nuk e ka mazhorancën, atëherë Rama do justifikohet që nuk i bëj dot votat me Sali Berishën, sepse qëndrimi i Berishës dihet, që nuk e pranon as SPAK-un dhe as drejtuesin, sepse i konsideron me pretendimet e tij si bandë kriminale”, argumenton Spahiu.

Mbi të gjitha ai vë në pah blofin me rastin Veliaj dhe Soros, i trumbetuar nga opozita dhe faktori kundërshtar ndër vite.

“Por unë do thoja diçka tjetër, do bëja një pyetje për publikun. Psh. çështja e Erjon Veliaj, ka nxjerrë blof të gjithë ata politikanë, analistë, gazetarë, militantë, mitingashë, të cilët thonin se SPAK-un e komandon Aleks Soros. Pse Soros i tha SPAK që hetoni Erjon Velinë? Kjo është e pamundur, sepse ai është bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Soros. Dhe nuk ka sesi Soros të urdhëroj SPAK të hetojë Veliajn. Dalim në konkluzionin tjetër, se është një luftë e brendshme? Atëherë Soros qenka më i dobët se PS-ja?! Pra Aleksi merrka urdhra nga PS dhe kjo e Rama nuk pyesin për Aleks Sorosin. Nuk shkojnë të dyja këto. Nuk konceptohet që Soros bën ç’i thotë Rama! Kjo rri ngushtë, sepse ai është një njeri që vetëm në 2024 ka hyrë 102 herë në Shtëpinë e Bardhë. Duhet të jemi korrekt në analizat që bëjmë dhe argumentet për të akuzuar një institucion. Ama di të them një gjë, se ra një alibi, për të cilën kishin 7 vjet na lodhën kokën”, shprehet opinionisti për Report TV.

Teksa më tej thellon mendimin e tij:

“Që gjykatat, prokuroria, drejtësia komandohen nga Aleks Soros? Po mirë, Soros ia dha vulën Sali Berishës? Ai e urdhëroi gjykatën që të lirohet Berisha nga tarraca dhe të jetë në gjendje të lirë e të hyjë prapë në parlament? Soros po e heton Velinë? Unë jam nga personat që kam marrëdhënie jo të ngrira, por tërësisht kundërshtare me fondacionin Soros. Kurrë në karrierën time s’kam pas asnjë lidhje me këtë fondacion, që dihet publikisht. Dhe ideologjikisht e politikisht jam kundër rrymës së Sorosit, unë jam me bindje të djathta. Por është e papranueshme për përralla që janë ndërtuar në dekada për të krijuar këtë iluzion”, mbyll ai mendimin për këtë temë.

Ora 19:30
Spahiu: Rama dhe Berisha u forcuan më 2024, më të fortë edhe më 2025! Mendoni sikur Saliu të ishte kryeministër i Kinës?

 

Kreshnik Spahiu në intervistën me gazetarin Nertil Agalliu

Por çfarë mendon juristi Kreshnik Spahiu përdrejtuesit e partive më të mëdha në vend, PD dhe PS. Ai thotë se si Rama, ashtu edhe Berisha, u forcuan gjatë këtij viti politikisht dhe do forcohen më shumë vitin tjetër.

Opinionisti ndau mendimin në Report TV se ata duhet të ishin model i largimit pas kaq vitesh, por në rastin e Berishës dhe Metës, tentojnë ta kalojnë partinë te familjarët, atë që nuk e bënë as Enver Hoxha apo Ramiz Alia. Madje Spahiu mendon se Berisha po përgatit t’ia lërë partinë trashëgim të bijës, apo si rasti Meta-Kryemadhi, një akt që vetëm Sllobodan Millosheviçi e kishte bërë

“Unë mendoj se Rama dhe Berisha janë forcuar në vitin 2024, madje kam edhe bindjen se do forcohen edhe më shumë më 2025. Viti 2024 është rilindja e të dyve, që do të thotë se Edi Rama është kthyer në një person kontakti i të gjithë organizatave ndërkombëtare, duke e shndërruar Tiranën në një qendër të shumë evenimenteve të BE-së dhe samiteve të ndryshme. Nga ana tjetër, Sali Berisha është çuar nga hiri, kishte humbur partinë, kishte humbur logon, kishte humbur vulën, kishte humbur lirinë e tij, e sot i ka të gjitha. Nuk jam këtu për t’i hyrë shkaqeve, por për të thënë realitetin, jam një person që jam kundër të dyve. Kam mendimin se përsa kohë të vazhdojë Rama dhe Berisha, Shqipëria do ketë një zhvillim disi gradual. Domethënë shumë zhvillime politike në vend do të pengohen, shumë procese integrimi do të frenohen. Mendoj se Rama dhe Berisha duhet të gjenin hapësirën për t’u larguar. Ajo çfarë është e rëndësishme është trashëgimia politike. Kam një lloj ndjesie se ashtu siç e filloi Meta që ia kaloi gruas, tani kjo po kthehet në një model. Berisha nuk është këtu për të ardhur në pushtet, por një person që synon të nxjerri një parti me 50 apo 60 deputetë, parti të fortë, për t’ia trashëguar më pas të bijës. Dhe kështu po shkojnë partitë shqiptare, në pronë private, në biznes privat, ku e trashëgojnë familjarët e tyre. Pse them unë se është negative? Sepse as Enver Hoxha nuk guxoi t’ia jepte fëmijëve të tij, as Ramiz Alia nuk pati kurajon t’ia lëjë fëmijëve dhe pati një moment që hapi krahun, lejoi fatos Nanon të marrë partinë”, tha ai.

Për të kjo nuk ndodh në Perëndim, por ka precedentë si rasti i Millosheviçit. Dhe këtë e imitojnë politikanë shqiptarë si Berisha dhe Meta.

“Dhe është krejt e papranueshme, janë fenomene që nuk ndodhën as në sistemin komunist. Unë e shikoj tërësisht të paprecedentë këtë që ka ndodhur në Shqipëri, sigurisht mund të ketë njerëz që mund të thonë se njihet në Greqi kjo, ku babai ia lë djalit apo gjyshi ia lë nipit partinë, por unë ju them se fenomeni shqiptar është krejtësisht ndryshe, sepse vetëm Millosheviçi ka guxuar të bëjë atë që bëri Ilir Meta, nga një anë ishte President dhe drejtonte shtetin serb dhe gruan e kishte kryetare Opozite. Unë mendoj se prapë Shqipëria mbetet një vend provincial, këta e konsiderojnë politikën si bajrak, e po ta vësh re ky fenomen po shkon edhe në Kosovë, ku militantizmi ka shkuar në ekstrem, ku ka njerëz që duan më shumë Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, sesa Kosovën. Janë të gatshëm t’u hapin luftë BE-së, SHBA-ve, Britanisë, vetëm e vetëm për t’u treguar medemek sovranë”, shprehet ai.

Dhe më tej një ironi krahasuese me rastet e Berishës dhe Kurtit, për sjelljen e tyre politike në raport me ndërkombëtarët.

“Dhe shyqyr që jemi një vend i vogël, sepse imagjinoni Sali Berishën po të ishte kryeministër i Kinës, me 1,5 mld popullsi, apo Albin Kurti i një shteti me 200 apo 300 milionë banorë, realisht do ishim një problem shumë i rëndë për paqen në planet. Janë disa rrethana që tregojnë se ne mbetemi shumë pas demokracive liberale, për këtë arsye mendoj që për t’u kthyer edhe njëherë te pyetja, se Rama dhe Berisha për vitin 2024 janë më të fortë se kurrë politikisht”, shprehet juristi.

Ora 19:01
Spahiu: 'Shqipëria turistike' fenomeni i 2024, 10 vjet më parë disa qytete natën kishin vetëm qen dhe mace, zero turistë!

 

Kreshnik Spahiu, sot në Report TV

Jo vetëm Personazhi i Vitit, por edhe Fenomeni i Vitit 2024 që po lëmë pas? Juristi Kreshnik Spahiu ndau mendimin e tij analitik në lidhje me çështjen, duke theksuar për Report TV se ai ishte Turizmi.

“Fenomeni i vitit 2024 mendoj se është turizmi, Shqipëria Turistike, e cila që nga 1912 kur është krijuar shteti shqiptar, që nga koha kur ne shqiptarët jetojmë në këto troje, asnjëherë planeti nuk ka pasur dijeni dhe informacion për bukuritë përrallore, për klimën fantastike, për klimën shqiptare, për shumë vlera që ka Shqipëria. Dhe mendoj se për herë të parë viti 2024 ka qenë në optikën e shumicës së botës, e gjithë mediave shqiptare dhe përsëri e gjithë kjo nuk lidhet me shtetin apo politikën. Kjo lidhet me një të mirë që na e ka falur Zoti dhe Natyra. Por sigurisht lidhet edhe me vlerat tona si komb. Për herë të parë nëse prezantohesh jashtë si shqiptar, të gjithë buzëqeshin dhe thonë ju vini nga një vend i mrekullueshëm. Më parë Shqipëria ishte e panjohur për 80% të planetit”, u shpreh ai.

Por kur pyetet se kjo ka dhe lidhje me politikën, me reklamimin, me qeverisjen, ai argumenton:

“Po, sigurisht, por mendoj se turistët nuk vijnë për shkak të politikës në Shqipëri. Ashtu siç nuk shkojnë në Dubai, në Maldive, apo në Meksikë. Ashtu siç nuk shkojnë në Siçili apo në ishujt e Spanjës. Ashtu siç nuk shkojnë në ishujt e Afrikës, ndaj mendoj se primare për turistin nuk është regjimi demokratik, por patjetër që këtu ka një lloj merite shteti, jo përsa i përket nivelit ekonomik, por për shkak të investimit strategjik. Dhe kush ishte investimi strategjik? Ishte Shqipëria urbane, e cila ne për shumë vite e kemi kritikuar. Pra investimet fasadë që u bëheshin të gjitha qyteteve, qytete të cilat ishin të abandonuara, ku kishte vetëm mace e qen dhe zero turistë. Po të dilje 7 apo 10 vite më parë në Gjirokastër, Berat Pogradec dhe shumë qytete të Shqipërisë, pa llogaritur veriun, sepse në veri një pjesë ishte me maska, nuk guxoje as me makinë të shkoje. Por mendoj se Shqipëria ka një ndryshim, duke filluar nga ato që thamë, Gjirokastër, Berat, Pogradec, Tropojë, Kukës etj., pra çdo qytet i Shqipërisë ka një vlerë turistike. Dhe në të katër sezonet, pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër, shikon mijëra e mijëra turistë. Shpesh-herë ne bëjmë edhe pyetjen për çfarë na vijnë, sepse shpesh-herë e shohim Shqipërinë me sy kritik”, shprehet opinionisti për Report TV.

Dhe më tej shpjegon se shpesh jemi kritikë me situatat, ashtu siç ndodh kudo.

“Ne gjithmonë shikojmë atë pjesën gri të Shqipërisë, sepse gjithmonë kemi një pritshmëri më të madhe. Por ju them me bindje të plotë se ka gjermanë, spanjollë, italianë, të cilët e kanë shumë zili jetën që zhvillohet në Shqipëri. Na kanë zili për klimën, guzhinën, stilin e jetës, të cilën zhvillojmë ne shqiptarët dhe këtu sigurisht është një meritë e madhe edhe e shtetit, i cili arriti ta reklamojë pjesën pozitive që ka Shqipëria”, thotë ai.

Por në dukje vihet aspekti tjetër, se kemi më pak banorë?

“Pyetja është shumë interesante. Kjo është si të thuash viktima të suksesit, kjo është si një kontrast i madh, i cili po ndodh në shumë shtete të Mesdheut dhe në ato shtete ku ka bum turistik. Dikush do thotë se po marrim në mbrojtje këtë pikë, të emigracionit. Por jo. Po marrim një shembull për shqiptarët, Kroacinë, e cila është 100 herë më zhvillim, i organizuar, më i sigurt, me traditë turistike shumë më të madhe se Shqipëria, por brenda 10 vite janë larguar gjysmë milioni kroatë. Kur ne e dimë se popullsia është pak a shumë si e Shqipërisë dhe janë larguar gjysmë milioni kroatë në një vend 100 herë më të zhvilluar se Shqipëria. Dhe sot kroatët nuk e përballojnë dot të bëjnë pushime në vendin e tyre, pse? Sepse çmimet në Kroaci janë në stratosferë, janë shumë të larta. Ka polarizim, bregdeti kroat është kthyer në destinacion për miliarderët e botës dhe vijnë nga të gjitha vendet. Dhe qytetari kroat nuk ka mundësi të paguajë 10 euro akulloren apo 500 euro spagetin etj.  Dhe ata nuk kanë mundësi që ta paguajnë. Kjo po ndodh edhe në Spanjë. Ndjehen sikur janë koloni tashmë e Gjermanisë, Anglisë, e Europës Veriore. Madje ata kanë edhe një problem shumë të madh, sepse pasuritë e patundshme, tokat, vilat, shtëpitë, pronat në bregdet janë blerë me shumicë nga të huajt. Ka qytete apo qyteza në Spanjë ku nuk flitet më spanjisht. Flitet gjermanisht apo anglisht, thuhet apo njihen se ky është qytet gjerman apo britanik. Sepse tashmë gjermanët dhe britanikët kontrollojnë bizneset, pasuritë e patundshme, turizmin dhe çdo gjë. Dhe Spanja është detyruar të nxjerri ligjin e përkohshëm të pasurive të patundshme. Nëse s’ke pasaportë spanjolle, në disa zona tani s’mund të blesh shtëpi në Spanjë”, thotë juristi.

Por a mund të ndodhë kjo edhe në Shqipëri. Spahiu e pohon:

“Dhe ky realitet do të vijë edhe në Shqipëri. Që do të thotë se ai gjermani do vijë të blejë një vilë në jug të Shqipërisë, sado 500 mijë euro do t’i duken lirë. Dhe ky kontrast do të vijë, sepse për shqiptarët do jetë mollë e ndaluar. Sepse do jenë të paprekshme çmimet që do ngrihen si pasojë e të huajve në Shqipëri. Ndaj mendoj se ky nuk është vetëm një realitet i errët dhe negativ thjesht dhe vetëm shqiptar, por global”.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 30/12/2024 02:50

    PD,PS jane si kripa e sheqeri,me te mirat e te keqiat e tyre per shqipot,gjithashtu kane dhene shume per pluralizmin e politiken e ketyre 33 vjeteve,por qe duhet nje revolucion i brendshem,perbrenda tyre,duhet dhe patjeter,perndryshe do te perfundojme nen autokraci,pavaresisht se kush fiton,apo edhe po pati alternim ne pushtet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Mbytja e anijes në Lampedusa, vijon kërkimi për 20 emigrantët e humbur në det

Itali/ Mbytja e anijes në Lampedusa, vijon kërkimi për 20 emigrantët e humbur në det