Në Durrës makina e përdorur 
gjatë luftës nga Enver Hoxha

Në Durrës makina e përdorur <br />gjatë luftës nga Enver Hoxha
Në qytetin e Durrësit ndodhet makina e përdorur nga Enver Hoxha gjatë luftës së dytë botërore dhe në ditët e para të pas çlirimit. E cila u nxor nga muzeu i Enver Hoxhës dhe i u kthye pronarit të saj të fundit legjitim.
 
Pronari i kësaj makine është Qirjako Ciko. I ndarë nga jeta më 15 nëntor 2016. Makina historike është “ Fiat 1100” (Miliçento) prodhim i vitit 1937 dhe sot mban targën DR 9322 D. Ajo ka dalë nga prodhimi në qershor të atij viti në qytetin e Milanos. Ky tip makine është cilësuar në atë periudhë si një evolucion teknologjik dhe stilistik dhe është makina e parë e kësaj marke të prodhuar në Torino me emërtesën “ Fiat 1100”.
 
Ajo pati për shumë vite një sukses të jashtëzakonshëm në përdorim si një makinë mjaft e përdorshme dhe cilësore. Dhe që u përdor gjerësisht nga trupat italiane në frontet e luftës.
 
Pak histori: kush ishte pronari më i fundit i makinës muzeale të Enver Hoxhës

 
Personi që e ka pasur në pronësi këtë makinë, Qirjako ka lindur në Tepelenë në vitin 1930. Ai ka punuar mjeshtëri të ndryshme ndër vite. Ka punuar në sektorin e naftës në Kuçovë, ose Qytetin Stalin siç quhej në atë periudhë ndërsa shërbimin ushtarak e ka kryer në qytetin e Shkodrës.
 
Si profesionist i mirë që ishte ai transferohet në Durrës, ku punon si shofer kamioni dhe më pas si makinist treni në hekurudhë. Pas ardhjes së një vinçi 90 tonësh në hekurudhë ai fillon të punojë si vinxhier i këtij sektori. Për te ngritur peshat e rënda ose lokomotivat dhe vagonët që dilnin nga shinat. Vinxhi i madh shërbente vetëm për të ngritur lokomotivat. Ka pasur raste kur dilnin nga shinat për shkaqe të ndryshme teknike. Po ashtu edhe vagonat. Po edhe motorat e lokomotivave kur zmontoheshin dhe duhej të uleshin në repartin e riparimit në Bazën Mekanike të Hekurudhës.
 
Shumë vite ka punuar si shofer në Parkun e Mallrave te Durrësit. Ku ka rrahur rrugët e transportit minerar si të kromit në Bulqizë, Tropojë, Kukës, Mirditë në minierat e bakrit etj. Pas ardhjes së një vinxhi të ri në hekurudhë 110 tonësh, ai merret në punë në hekurudhë ku edhe del në pension.
 
Lenc Ciko: Makina është blerë në ankand
 
Makina kaloi në pronësi të shoferit të apasionuar Qirjako Ciko në vitin 1957 tregon i biri Lenci. Kur punonte në sektorin e naftës në Qytetin Stalin, kështu qe emëruar në atë periudhë, ai e blen këtë makinë në ankand. Makina tip “ Fiat” 1100 është marre nga Ciko pasi ka paguar në arkën e shtetit 62. 000 lekë. Një shumë kjo e konsiderueshme për atë periudhë, e afërt me pagesën një vjeçare te një punonjësi me rrogë të një nëpunësi të mesëm.
 
Kjo makinë u përdor për rreth 10 vite nga Qirjako, i cili, sipas të birit ishte një shofer i apasionuar, pasi e adhuronte dhe e mirëmbante si thuhej, si sytë e ballit. Makina në atë periudhë kishte targën shtetërore 31 08. Deri në vitin 1967 ajo u përdor nga familja si makinë private për problemet e përditshme të sajat.
 
Më pas mjeti pasi nuk u lejuan makinat private, mbeti i bllokuar në oborrin e shtëpisë. Po edhe megjithëse nuk bënte më udhëtime, Qirko Ciko e mirëmbante me shumë kujdes sikur mjeti të kishte udhëtuar çdo ditë. Ishte i lidhur me të shumë dhe e vlerësonte për makinerinë shumë të mirë që kishte e cila punonte deri në perfeksion.
 
Motori kur ndizej punonte si orë e rregullt. Makina megjithëse kishte vite që ishte prodhuar kur ndizej, motori i punonte ritmikisht si një zemër, thoshte ustai i vjetër i saj që ia vlerësonte të dhënat teknike.
 
Makina mbeti në banesën e Qirjakos deri në vitin 1987. Në atë vit shkuan persona të ndryshëm, kujton djali i Qirjakos, Lenci dhe folen me babain.
 
Më pas vjen një person i cili rezultoi të ishte Shefi i Suigurisë së Enver Hoxhës, Sulo Gradeci, i cili verifikoi numrin e shasisë dhe ne mësuam se kjo makinë ishte përdorur nga udheheqësi komunist i vendit Enver Hoxha.
 
Makina kishte marre pjesë edhe në atentate të ndryshme që ishin bërë gjatë luftës. Këtë makinë, thekson Lenci, Enveri e përdori edhe në periudhën e parë pas çlirimit. Kjo makinë u vendos në muzeun e Enver Hoxhës që u hap në Tiranë ne vitin1987.
 
Në vitin 2006 pasi u interesuam për rikthimin si pronë e ligjshme e familjes që ishte blerë nga shteti me dokumentacion të rregullt, makina na u kthye në shtëpi. Qirjako Ciko në atë periudhë ishte 76 vjeç.
 
Kërkesat për ta blerë makinën e Enver Hoxhës
 
Djali i pronarit legjitim të makinës Lenci thotë se për këtë makinë ka pasur shumë kërkesa për ta blerë. Shumë prej të cilave nga biznesmenë të huaj nga disa vende të Europës.
 
Po ne kemi hezituar për ta shitur pasi kemi menduar se sidoqoftë opinioni i sotëm për Enver Hoxhën, kjo makinë me ngarkesa historike nga lufta dhe mjeti i përdorur nga qeveria e sapo dalë nga kjo luftë, ka vlera historike për vendin tonë. Dhe nga kjo kemi menduar që mund ta blejë më mirë ndonjë biznesmen vendas.
 
Në Durrës pak muaj pas ardhjes së makinës së Enverit, vjen edhe makina e përdorur nga Nexhmija Makina “ Volvo” e Nexhmijes vjen në Durrës pothuajse pak muaj më vonë se makina që i u rikthye Qirjakos. Pas rikthimit në Durrës të makinës së përdorur nga Enver Hoxha gjatë luftës së II-të Botërore, e cila u hoq nga muzeu ku ndodhej për t’ia dhënë pronarit që e kishte pasur në përdorim, po në Durrës vinë nga një koleksionist i apasionuar makinash te vjetra edhe makinat e përdorura nga udhëheqja politike komuniste e vendit, një prej të cilave i përkiste bashkëshortes së Enverit, Nexhmije Hoxhës.
 
Së bashku me makinat disa prej të cilave i përkisnin Parkut të Delegacioneve gjatë periudhës së socializmit, në koleksionin e koleksionistit durrsak të makinave ndodhen edhe vetura e përdorur nga Myslym Peza si dhe Benzi limuzinë i ish Ministrit të Brendshëm dhe anëtarit të Byrosë Politike Hekuran Isajt.
 
Koleksioni i makinave përbëhet që nga makinat ruse  “Pobjeda”, prodhim i fillimit të viteve 50 të shekullit të kaluar, duke vijuar me 2 “Varshava” prodhim polak i vitit 1953, me makinat luksoze jashtë serie të “Wolvo”-ve suedeze si dhe me një ” Benz” limuzinë , prodhim i firmës më 1970.

[gallery]20927[/gallery] 
Makina e Nexhmije Hoxhës
 
Makinën e dytë që përdorte Nexhmije Hoxha, koleksionisti durrsak Klodian Kapiti e mban të mbyllur brenda në garazhin e shtëpisë ku banon. Makina është e tipit “Volvo” me targë përdorimi TR 28 71 B. Pronari i ri i saj shpjegon se është makinë në gjendje shumë të mirë teknike përdorimi. Dhe se ka bërë shumë pak kilometra pasi është ruajtur për raste të veçanta shërbimesh. Në aparaturat që ka në kabinë, kilometrazhi shënon rreth 110.000 km udhëtim gjithsej, tepër pak për një makinë me rreth 52 vjet përdorim, pasi siç dihet vetëm për tu shtruar motori norma e tij është rreth 50. 000 km udhëtim.”
 
Kur e kam blerë”, thotë Kapiti, ish shoferët e Parkut të Delegacioneve më kanë shpjeguar se kjo ka qenë makina e dytë në dispozicion të Zonjës së Parë të asaj kohe. Makina është “Volvo” de luxe 164 dhe i përket vitit të prodhimit 1964.
 
Ajo është pjesë prodhimi e një serie me numër të kufizuar makinash, vetëm 1000 copë për te gjithë botën. Nga këto 1000 copë, sipas personave që kanë shkuar t’i marrin në dorëzim, 9 kanë qenë porosi e shtetit Shqiptar dhe personeli i shërbimit o firmës austriake “DENZEL” që kishte eksluzivitetin e shitjes së këtyre makinave shfaqën habinë se si Shqipëria po blinte një numër të konsiderueshëm automjetesh luksoze tepër të shtrenjta.
 
Së bashku me to ,sipas kujtimeve të miqve të tij , thotë Klodi, janë blerë dhe “Benzat” e udhëheqjes së asaj kohe me kosto 300.000 dollarë për copë, ndërsa Limuzina e Enver Hoxhës thotë ai , është blerë me nj vlerë prej 2.000.000. markash gjermane.
 
Atij i vjen keq se si objekte të tilla kanë përfunduar ne muzetë e botës sot, si mjeti super i blinduar i Hoxhës, prodhim jashtë serie dhe që thotë se është shkëmbyer në vitet e para të hapjes së vendit ndaj perëndimit, me një benz të zakonshëm 190.
 
Koleksionisti Kapiti në garazhin e vet ka dhe një mjet modern “Jaguar” por shton se dera e “Volvos” ka hapje shumë më perfekte se e “Jaguarit” të ri që ka në përdorim. Dhe këtë e tregon dhe praktikisht duke bërë një mësim tregues duke përplasur në hapje e në mbyllje derën e mjetit që ka përdorur dikur bashkëshortja e Enver Hoxhës. Ai thotë se makina i ka të gjitha pajisjet dhe aksesoret origjinale, madje deri tek radiolina e kroskotit që është edhe ajo e markës suedeze”Volvo”…
 
Një karikim baterie dhe një furnizim me karburant të mirë dhe makina mund të udhëtojë lirshëm në çdo destinacion që mund të dëshirosh… 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë