Ne e kemi Shvejkun tonë

Ne e kemi Shvejkun tonë

Leka Bungo

Po ta shohësh përballë në rrugë, ngjan më shumë me një boksier të dalë herët jashtë gare sesa me një muzikant fryme që e përdor frymën për magji fjalësh. Nuk të bind gjëkundi se mund të luajë në flaut delikat, sepse e ngatërron lehtë me një kuzhinier lebetitërisht kolesteroli nga Labëria. Nuk ka asnjë shans të merret me mend se mund të jetë qëndistar si artizanët e dikurshëm. Në momentin që shkëmbehesh me të në rrugën e Perëndisë ku ai ec sikur ka shtruar rrugën për gjithë dynjanë, dallon se ka të gjithë tapitë e mundshme të një fermeri të dashuruar me tokën dhe nuk e lejon kurrë syrin që ta shohë si një qytetar delikat nga Evropa klasike. Nga Evropa e dikurshme që vuante nga dashuria dhe i jepte më shumë pushtet g…pit të brishtë femëror sesa topit të egër të gjeneralëve.

I zhurmshëm si ari që nuk ka pyllin si cak duke jetuar në xhungël qyteti, por fin si përqafimi i një virgjëreshe të papenduar, Leka Bungo është nga raca në zhdukje e atyre ca pak tipave që Tirana e kaosit të sotëm i ka trashëguar nga e kaluara, si një vitrinë talljeje të lëvishme që shpik lojën për gjithkënd dhe gjithçka, përfshi edhe veten.

Kjo skicë bardh e zi lapsi, është portreti që Leka vetë pa e ditur as vetë, i ka vizatuar vetes në kapitullin e historisë që ka shkruar nën titullin Testamenti i mitomanit. Pjesë e paautorizuar dhe ilegale e sprovës së epërme që Akademia e Shkencave ka vendosur të bëjë duke rishkruar për herë të tretë në shekullin e fundit, historinë e shqiptarëve. Bungo, në mënyrë arbitrare, ashtu siç bëjnë zakonisht shkrimtarët që hyjnë në zejen e historianëve, e ka bërë vetë një gjë të tillë, pa marrë leje dhe pa dhënë llogari për mënyrën se si vendos ai vetë të shkruajë historinë e vendit që i përket. Me ngutin që të mos bëjë të presë litarin që e ka lidhur si kravatë dhe që i pret qafën brenda dhe me tualetin të cilit nuk ka shansin t’i rrijë larg sa kohë që nuk do të dreqosë pantallonat, ai afron një mozaik të mrekullueshëm karakteresh që të gjithë i njohin, por askush nuk i kishte parë më parë siç i sheh ai. Autor dhe personazh i librit të tij, Bungo kapërcen në momentin klasik të komedisë njerëzore: në momentin që një njeri, kushdo qoftë, është i aftë të ironizojë veten, ai ka shumë pashë leje për t’u tallur me gjithë dynjanë. Por jo me ligësinë e të ligut, por me urrejtjen e butë të atij që dashuron ndryshe. Këtë bën në mënyrë të befasishme Leka Bungo, i cili është nga pak tek secili prej personazheve të tij, qoftë tek ai që ka lindur në tetë nëntor 1941 në Katovicën e Mallakastrës, qoftë tek Tarasi, emëri legjendar i hamshorit shqiptar që për gjysëm shekulli palloi, pllenoi e masturboi të madh e të vogël, anë e kënd Shqipërisë dhe që kur iku, të palluarit, të pllenuarit dhe të masturbuarit prej tij, e valëvitën në flamurin shumëngjyrësh të atyre që provincialisht provincialët i quajnë “BQ”. Duke lënduar kështu edhe të vrarët e të sharruarit nga marrëzia dhe ligësia e njeriut që u bë zoti i fesë komuniste në Shqipëri, të cilëve autori ju jep ngushëllimin e vonuar, si drejtësi të pamunguar, në fakt.

Leka Bungo në këtë kapriçio në prozë, shkruan historinë aspak poetike të Shqipërisë. Ai është i mposhtur dhe i marrë peng nga shtysa e brendshme e shkrimit të botës dramatike të vendit, ashtu siç e sheh ai, me penel surealistësh dhe maniera kubistësh dhe makthe dadaistësh, ndoshta. Për ta bërë tragjedinë të qeshë dhe për të afruar të qeshurën si një fasho në plagë që janë ende të përgjakura.

Romani është kthimi kokëpërmbys i gjithçkaje që është besuar; është pema që mbetet kur digjet hiri dhe është vdekja që lind kur fillon jeta. Shvejk dramatik dhe hero qesharak, heroi i Bungos na dhuron Shvejkun tonë klasik. Personazhe nga më të çmendurit parakalojnë në romanin që është histori dhe në historinë e shkruar si roman. Edhe kryeministri i vetëvrarë, edhe kunati i vrarë i Tarasit, edhe Stalini, edhe Musolini, edhe kënetat dhe kanalet vaditëse, edhe fondet e Brukselit për fermerët, edhe bankat e Qipros, edhe emailet e partizanëve, edhe burgu për të pafajshmit, edhe pafajësia e atyre që ishin fajtorë; e gjithë ajo që është shkuar me gjak e djersë në vitet e fundit, si një keqkuptim i madh, gjendet në adresa ëts-api apo në ekranë lap top-ësh, me fjalëkalimin Leka Bungo. Aty është edhe atentati tipik ndaj një perandori, që në të vërtetë ishte dirigjenti fatkeq i orkestrës simfonike të Romës që luante Verdin në Tiranën ku trokisnin nallanet e vendalinjve. Kështu e shkruan historinë autori dhe kështu duhet të jetë.

Ka gjithmonë një ngut tek një individ i vetëm apo dhe një shoqëri e tërë për të shkruar e rishkruar të shkuarën. Tundimi për të fiksuar çfarë ka ndodhur, sprova për ta mbajtur çfarë ka ngjarë në epruvetë kujtese dhe për ta trashëguar atë qoftë si objekt njohjeje, krenarie, qortimi apo edhe harrese, është thjesht një tundim njerëzor dhe përgjithësisht zeje historianësh. Janë ata që, sidomos në Ballkanin historik, me magjinë që jep alkimia e shkrimit, vizatojnë shpatën e heroit, buçimën e topit të armikut, fitoret krenare të të vetëve dhe humbjet e turpshme të atyreve. Në fakt, nuk ka shumë rëndësi si del beteja, por kush e shkruan atë për të kuptuar se cili është rezultati.

Shqipëria po përgatitet të shkruajë zyrtarisht për herë të tretë në këtë shekulin e fundit, të shkuarën e saj. Meqë kohët kanë ndryshuar dhe meqë edhe bota e vogël shqiptare i përgjigjet ligjësisë së kontrasteve dhe sistemeve të referimit, heronjtë bëhen tradhëtarë, kurvat gdhihen virgjëersha manastiri, e mira e lavdishme shndërrohet në marrëzi kolektive, individi në një nga këpucët e munguara të një shumëkëmbëshi anonim nga bota e insekteve dhe vetë metamorfoza e gjakut bëhet ujë burimi dhe raki dollie për të kaluar poshtë atë që nuk tretet dot lart. Dhe këtë e di mirë çdokush që lexon histori dhe sheh sesi kush ka dafinat e heroit nga një palë, i japin mantelin e turpit nga ana tjetër. Si Skënderbeu që është heroi ynë Kombëtar për historinë tonë dhe tradhëtar sipas historisë osmane.

“Ironi dhe sarkazëm ka nga kreu deri në fund. Eshtë një libër i veçantë nga na stilistike, ndryshe nga sa jemi mësuar të lexojmë”, shkruan në parathënien e librit, një nga emrat e ndritshëm të historisë së artit shqiptar, i madhi Rikard Ljarja. Në këtë botë, të drejtë kanë vetëm të vdekurit dhe meqë Riku është i gjalli vetmitar që vendosi të Ikë për një copë herë, kushdo mund të mendojë si dhe vetë ai dyshonte: “Ej, Rikardo, paske rrjedh, paske lajthit…. E ke shok, prandaj shkruan kështu”!  Në një botë të lirisë, kushdo është i lirë të të zgjedhë të mendojë ndryshe, por me një kusht: të shpenzojë në mënyrën më të mirë të mundshme ca orë nga jeta e tij për të lexuar romanit ku autor dhe subjekt i historisë së tij, është një personazh që vjen rrotull në Tiranë si një vitrinë talljeje për të ligën. Që ngjan sikur është Shvejku i maskuar si një boksier i dalë herët jashtë gare, por që fryn herë pas here në flautin magjik të letërsisë së mirë. Në mos të mirë, të veçantë! Të një letërsie që nëse autori do të ishte i huaj dhe jo shqiptar dhe ca më mirë akoma, do të ishte edhe i Ikur, në Tiranë do ta lexonin me ëndje dhe nuk do t’ja kursenin mermerin për buste që nuk gdhenden kurrë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?