Në një kryqëzim të zhurmshëm mu në qëndër të qytetit, pas mureve shekullore të arnuara në kohë më moderne, shihet pjesa e sipërme e një shtëpie të vjetër e karakteristike qytetare me dritare të vogla që duket sikur fshehin pas tyre një mbretëri të pazbuluar e sende të panjohura të kohës së kaluar. Nga rrethimi, duket se shtëpia ka pasë një derë të madhe druri, që nuk egziston më dhe që është zëvendësuar me një metalike të mirëmbajtur.
Mbi derë është fiksuar një tabele ku shkruhet “MONUMENT KULTURE”. Më pas hapet një oborr ku dikur gjindej pusi e rrasa e pusit, e sot eshte vetem lugu prej guri të latuar ku gratë rrihnin me lopatën e drurit rrobat që lanin. Nga oborri duhet të përshkosh ahurin e vjetër, shkallaren me gurë të latuar për të hyrë në ambientet e shtëpisë së familjes Çeka.
Engjëll Çeka, i zoti i shtëpisë, një burrë i mbajtur dhe shumë xhentil, më fton të futem në dhomën e ndenjes për kafe. Menjëherë me të hyrë përballesh me atmosferën karakteristike të qytetarisë së mirëfilltë, e një kulture familjare të pashoqe.
Shtëpia e cila në vitin 1963 është shpallur si Monument Kulture, mban mbi kurriz një histori rreth 270 vjeçare. Ajo është e ndërtuar me madhësinë e një kulle nga të parët e familjes Suma/Çeka, të cilët ishin tregtarë të njohur në qytet ku zotëronin shumë dyqane si dhe toka në periferitë e Shkodrës. Familja trashëgon në historikun e saj kontribute të mëdha për kombin shqiptar dhe ka pasur në gjirin e saj figura të përmendura patriotike.
E gjithë rruga është vendbanim i disa familjeve të vjetra e shumë të përmendura qytetare të Shkodrës si ajo Shiroka, Guga, Çoba, Suma, Shuli, Gjonej, Kraja, Kamsi...
Shtëpitë e tyre të mëdha e me histori të rëndësishme për qytetin, janë të vendosura pranë njëra tjetrës në një distancë sa mban oborri.
Sapo ngjitesh në katin e dytë, befasohesh nga bukuria e dyerve të vogla prej druri të gdhendura me shumë mjeshtri e shije që zbukurojnë korridorin e errët dhe të lartë. Në një dhomë të madhe të katit të dytë të familjes Çeka, e cila është e tëra e veshur me dru të punuar, vihesh përballë dokumentesh e dëshmishë historike e të ngjan sikur je në një muzeum etnografie. Dokumenta të cilat origjinalin e zotëron arkivi i shtetit shqiptar, por që Engjëll Çeka është përkujdesur ti ketë dublikatë, zbukurojnë muret e dhomës muze të familjes. Bukuria dhe eleganca e gdhendieve me imitacione lulesh, apo motive popullore të shumë formash e llojesh, i japin pamje madhështore ambientit.
Në ballë, në mes të dy dritareve të befason me bardhësinë e elegancen e tij një oxhak karakteristik i punuar me mjeshtëri në gips nga mjeshtrat e përmendur dibranë.
Kati i dytë ka tri dhoma karakteristike druri, por në dhomën e zgjedhur për muze janë të përqëndruara për të kënaqur syrin e vizitorit objektet më të rëndësishme që ka shtëpia. Pasi kundrova me kënaqësi për një kohë të gjatë fantazinë e artin e derdhjes së figurave mbi sipërfaqen e oxhakut karakteristik, vendosa të kaloj një vështim mbi fotografitë, dokumentat dhe stolitë e shumta që mbushnin ambientin.
Sapo të afrohesh pranë murit ku varen kornizat me fotografi e dokumenta të rralla, të bie në sy një letër e vjetër sa formati A4 e shkruar bukur me dorë dhe që mban datën 8 shkurt 1854. Letra emërtohet “Certifikatë mbrojtje” (Patentë de Protection) lëshuar Filip Sumës – Çekës, i lindur dhe banues në Shkodër dhe verteton marrjen e tij nën mbrojtjen e konsullatës franceze të Shkodrës me të gjitha të drejtat sipas marrëveshjeve që republika e Francës kishte me Perandorinë Osmane. Dokumenti është lëshuar nga konsullata franceze dhe mban vulat e saj.
Objekt tjetër interesant për tu treguar është dhe dokumenti shoqërues i medjaljes së arit akorduar Mikel Sumës – Çekës, i cili nderohet nga ministria e punëve të jashtme e republikës franceze, për punën e tij të mirë si përkthyes i konsullatës në Shkodër në vitet 1856 deri 1895. Dokumenti mban mbishkrimin e presidentit të republikës franceze Felix Faure, Paris 23 prill 1895 dhe i është dorëzuar atij nga konsulli i kohës Hecquard. Ky dokument është kopjuar nga origjinali, i cili ndodhet në arkivën e shtetit shqiptar në Tiranë.
Një urdhër tjetër nderi për patriotin Filip Çeka që është dhënë nga presidiumi i kuvendit popullor, zë një vend të dukshëm në dhomë dhe mban datën 5.6.1978 ..... Motivacioni: “Si aktivist i dalluar i lidhjes shqiptare të Prizrenit në vitet 1878-1881. Ka dhënë kontribut me pjesmarrjen e tij në luftën patriotike të masave popullore për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare dhe për çlirim kombëtar”.
Në mes të këtyre margaritarëve historik gjendet një foto montazh tepër e vecantë me të gjithë krerët e LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT, ... Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Haxhi Leka, Sulejman Vokshi, Mehmet Shpendi Jusuf Sokoli, Kupe Danja, Nikë Lekë Pepa e midis tyre, patrioti shkodran Filip Çeka.
Filipi ishte një ndër organizatoret e Lidhjes dhe luftëtar aktiv në mbrojtjen e territoreve dhe të çështjes shqiptare. Ai rroku armët dhe luftoj përkrah Jusuf Sokolit për Plavë e Guci si dhe për mbrojtjen e Ulqinit nga malazezët (1879). Ai qe iniciatori dhe firmëtari i telegramit të protestës që ju dërgua Kongresit të Berlinit kundër copëtimit të trojeve tona.
Patriotit Filip Çeka i dedikohet edhe vendosja e emërtimit “Lidhja e Prizrenit” lëvizjes patriotike shqiptare. Në parathanien e veprës së At Gjergj Fishtës – LAHUTA E MALSISE botimi i vitit 2006, në faqen XXIII, poeti shënon (citim): “Abedin Pasha (aso kohe ministër i jashtëm i Turqisë) i tha Abdyl Bej Frashërit që të thirrte Lidhjen e Prizrenit që shqiptarët të kërkonin “të drejtat e vetvendosjes”. Mjerisht në seancën e saj të parë ajo u emnue: “LIDHJA E MYSLIMANVE TE VERTETE”. Kështu thonë procesverbalet, në rast së duem të shkruejmë historinë e vertetë. Atë kushtrim në emën të Islamizmit nuk e ndigjoi kurrkush në botë. Ndërsa në seancën tjetër, në të cilën muer pjesë delegacioni i Shkodres, Z. Filip Çeka (Suma), parashtroi kërkesën që ajo të quhej “LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT”.
U bëra shumë kureshtar për foto-skanimin e një dokumenti shumë të vjetër që mbante datën 6 tetor 1854 i lëshuar nga përfaqësuesi i Propaganda Fides kardinal Faransoni. Në përmbajtje të dokumentit vërtetohet përfaqësimi nga zyra tregtare e Pjetër Sumës (Çekës) dhe familja e tij në Venezia, të interesave tregtare të Vatikanit. Dokumenti mendohet të jetë përdorur për arsye çdoganimi dhe tatimesh nga zotëruesi.
Vlerat tradicionale – etnografike të shtëpisë
Nisur nga këto vlera duhet theksuar që të gjitha ambientet e shtëpisë janë të stolisura nga punime dore, në dru, në gurë, apo në gips. Sipas dëshmive të paraardhësve të familjes Suma – Çeka, në qytetin e Shkodrës ishte shumë e vlerësuar puna e dorës e dy punëtorëve dibranë, mjeshtrave Jashar Xhani dhe Jashar Lleshi. Dy artistët endacake dibranë njiheshin nga të gjithë si dy Jasharët. Ato kanë lënë gjurmët e tyre në të gjithë qytetin e veçanërisht në ato familje që dikur ishin në gjendje të mirë ekonomike, që ishin tregtarë të kamur në qytet.
Ndërsa po shkruaj këto rreshta për të promovuar vlerat artistike, pasurinë intelektuale, folklorike dhe etnografike që kemi trashëguar, me të cilën mund të krenohet vendi, më zë turpi dhe ngashërehem kur kujtoj se në Shkodër mungon (një ndër shtëpitë më të bukurat në Shqipëri) shtëpia e heroit tonë kombëtar Luigj Gurakuqi. Edhe pse MONUMENT KULTURE QE MBROHET NGA SHTETI, ajo u braktis, u la në mëshirën e fatit për rreth 10 vite (deri sa u shëmb vetvetiu) gjë që ngarkon me përgjithësi shtetërore pushtetin lokal dhe atë qëndror.
Shumë breza që vizituan këtë shtëpi muze, në mes bukurive të shumta që ndodheshin mbrenda saj, mund të kujtojë rrobat e viganit liberator Luigj Gurakuqi të shpuara nga plumbat e armës tradhëtare, të skuqura nga gjaku i tij. Do të ishte në nderin e çdo politikani që ky simbol i patriotizmit, arqitekturës, vlerave historike e etnografike të rindërtohet për tu shndërruar në një institucion atdhetarizmi, ku brezat e ri të gjejnë vetvehten.
..... sa mire do të ishte....sa kemi nevojë....
Shkrimi u përditësua në 25 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)