'Në Festivalin e RTSH-së, ja ndryshuan titullin e këngës dhe i vënë emrin e nipit të Enverit…'! / Historia e trishtë, e autorit të 'Lulja e Majit'

'Në Festivalin e RTSH-së, ja ndryshuan titullin e këngës dhe i vënë emrin e nipit të Enverit…'! / Historia e trishtë, e autorit të 'Lulja e Majit'

Në mbrëmjet e vallëzimit që organizonim kur ishim në gjimnaz, në aureolën e tangove që interpretonte orkestra, ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të ëmbël, që kur e dëgjon, mund të themi pa hezitim, se ajo; shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike, u bë hymn i mbrëmjeve të vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe.  Kënga, kishte marrë skenat dhe kishte marrë zemrat e shkodranëve. Po ku kishte lindë kjo këngë lapidare?! Kishte lindë në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar, Pjerin Ashiku, i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës, duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë, kanë lindur mijra këngë, nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Si përherë në krah të tij, qëndronin dy aktorë brilant të humorit shkodran, Tano Banushi dhe Bik Pepa. Madje Tanon, e kërcënonin shpesh, se do ta përjashtonin nga partia, se rrinte pasdrekeve me Pjerin Ashikun, i cili nxirrte barcoleta kundër Partisë, si e vetmja mënyrë kundërvënie, ndaj padrejtësisë që i bënte diktatura.

Po kush ishte ky njeri që nxori ketë këngë perlë, e cila i ka rezistuar kohës për gjysëm shekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë të tjera apo është mjaftuar me një?  Nga vinte dhe çfarë konservatori kish kryer, të Romës apo të Vjenës, të Parisit apo Berlinit?

Pjerin Ashiku, lindi në qytetin e Shkodrës, me 10 tetor 1926 në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e Pashko Ashikut (baba i Pjerinit) bënte pjesë në ato familje, që e kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Për katër breza, kjo familje ka mbajtur farmaci moderne, në mes të Shkodrës, duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe, qysh ne shekullin e XVIII-të. Falë kësaj dinastie efemere, Shkodra, përdorte ilaçe të prodhuara në Itali, Gjermani, Austri e Francë, kur Tirana, ziente akoma gjethe mëllage e hithrash, për sëmundjet e stomakut e te mëlçisë. Babai i Pjerinit, ishte doktor farmacist, i diplomuar në Romë, që në vitin 1903.

Ndërsa nëna, Teresa, ishte me prejardhje ruse, e lindur ne kryeqytetin e Rusisë; Petërburg. Nëna Teresa, ishte e motra e konsullit rus, të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojmë po të themi se, kjo dinasti, ishte e një rangu për nga kultura, me familjet europiane. Ndaj prindërit, ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë europiane.

Që në moshë të njomë, akoma pa i mbushë 7 vjet, bie në sy të prindërve, se shijet e Pjerinit, anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit, i cili kishte në Pjacë dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një fizarmonikë, te parën që kishte ardhë në Shkodër.

E ku mbahej Pjerini tashti, duke bërë muzikë, me shokë më të rritur se vetja. Që në moshën e adoleshencës, aktivizohet me Ndrek Kaçulinin, në orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent në muzikë, prindërit, e fusin me marrë mësime muzike në violinë, tek Pader Martin Gjoni. Shkollën e mesme, e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si talent i lindur e shumë premtues, në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit. Pjerini, ishte një instrumentist i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumentet të cilat, gjatë gjithë jetës, do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore.

Çlirimi i Shqipërisë, nga pushtimi italo-gjerman, e gjeti Pjerinin maturant të sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat ‘Juda Makabe’, ‘Basifondi’. Ishte mik, i kompozitorit të madh Prekë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë i basit Lukë Kaçaj dhe kompozitorit, Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshme ushtarak, por edhe aty, i buzëqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë në Tiranë. Aty duan ta mbajnë përherë, por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe e largojnë. Kthehet në Shkodër.

Për nevoja ekonomike, ndërpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E caktojnë punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh, drejton grupin e estradës të kësaj ndërmarrje dhe fiton çmimin e parë. Në këtë grup amator, këndoheshin edhe këngë që kishte fillu të kompozonte Pjerini, të cilat, bien në sy të opinionit të atëhershëm, për ëmbëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës, caktohet me orkestrën e saj. Aty shquhet për shoqërimin muzikor, të parodive dhe intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në Estradë, bie në sy një hop cilësor dhe promovimi i talenteve të reja, si: Zyliha Miloti, Tonin Tërshana, Besnik Çinari, etj., të cilët vite më pas, u bënë këngëtar dhe aktorë estrade të njohur, në gjithë Shqipërinë.

Por, nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej estradës dhe e caktojnë axhustator, në Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një goditje e rëndë për Pjerinin. Nga Estrada profesioniste, dërgohej në një ndërmarrje, si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarës, do të merrte në duar tornon. Por edhe aty ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade, që konkurroi denjësisht në shumë takime kombëtare dhe mori çmime të para.

Shtojmë këtu se, i terë libreti dhe muzika, ishin krijimtari e Pjerin Ashikut. Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit, në drejtim të krijimtarisë tij muzikore. Këtu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të paharrueshme, që këndohen edhe sot, mbështetur kryesisht, në motive popullore shkodrane.

Pjerinin, falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si disenjator, dhe njëherë, ishte libretist, kompozitor dhe fizarmonicist i përkryer, që ishte zemra e estradës së ndërmarrjes, së asaj kohe. Në këtë periudhë, lindën këngët prestigjioze, si: “Trotuari i qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogël”, “Kukulla”, “Valbona” etj., etj. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, spikatë talenti i tij, edhe si piktor.

Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashiku, përfshinë 140 këngë, e shume parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës, këngët e tij, janë kënduar me sukses në ‘Dekadat e Majit’ si p.sh., këngët: “Një zog i vogël” dhe “Ermira”, por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin, ishte fakti se, asnjëherë nuk dilte emri i tij, si kompozitor. Kjo fshehje e emrit të tij nga ana e pushtetit, e mërziste dhe e therte në zemër.

Në këtë periudhë, pranohet në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, por është për t’u shënuar, transformimi që pëson kënga e “Kukullës”, të cilës i shndërrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i ndryshohet titulli, por i bëhen transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në natën e parë të festivalit.

Më vonë, kënga “Kukulla,” këndohet nga këngëtarja e mirënjohur, Justina Alija, në spektaklin “100 vjet muzikë”, këngë të cilën, e kishte kënduar në Festivalin e Fëmijëve, qysh në vitin 1964. Një transformim të skajshëm, pësoi edhe kënga “Ermira”, të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu përmend fare autori. Kënga “Miri i vogël”, pëson një skandal edhe më të madh, duke ju ndërruar titulli dhe duke u kthyer “Besmiri i vogël”, duke ia kushtuar, nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë pa u pyetur dhe përmendur autori, sepse diktatorët, kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku pyesnin ata për autorët…!

Në kohën e demokracisë, kënga “Një zog i vogël”, me tekst të shkrimtarit të mirënjohur shkodran, Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit Pjerin Ashiku, përvetësohet me paturpësinë më të madhe, nga një këngëtar korçar, madje ai, arrin të quajë veten edhe kantautor, në Radio-Televizionin Shqiptar, në vitin 1999. Si e thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku, është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules se Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare.

Të befason fakti që, edhe kësaj kënge, i janë bërë tokë krijuese, dhe të tjera vise, si: Korça, Ulqini e Kosova. Sepse tekefundit, kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një “Lule maji” dhe për çdo njeri, do kishte një këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitor, si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin kund tjetër, veçse në Shkodër. Në vitet e demokracisë këtë këngë, e këndon Ermira Babaliu dhe e paraqet si pa gjë të keqe, si këngë korçare (serenatë), duke i ndryshuar edhe linjën muzikore e, duke i ndërruar pa përgjegjësi tekstin! Për këtë, Pjerini, i drejtohet me një letër drejtorit të RTSh-së, por nuk mori asnjëherë përgjigje.

Shteti, po i kundërvihej me heshtje, duke i lënë të tjerët të bënin çfarë të donin, me këngët e tija. Historia e përvetësimit të kësaj kënge, vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesësh korçarët, të thonë: “Gjene mire, ‘Lulka e majit’ është një serenatë pe Korçe”, po t’i pyesësh kosovarët, të thonë: “Heu, hala se ke marrë vesh o shqipe, se asht kajkë gjakovare e k’ndueme prej Isës (Ismet Pejës)”, e kështu me radhë. Secili tenton t’i vejë myhyrin e vet, gjithë secili, kërkon ta “hipotekojë” dhe ta shpallë pronë të veten.

Kjo “luftë” digjitale, vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje. Mos harroni se, kjo këngë e Pjerin Ashikut, mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi kënga, ka udhëtuar në kohë dhe hapësirën mbarëshqiptare, duke u bërë një “Vals i Danubit” shqiptar, nëse hungarezët kanë një valcer famoz, siç është “Valsi i Danubit” edhe shkodranët, kanë një tango monumentale, siç është “Lulja e Majit”, ose “Tangoja e Bunës”. Tingujt e saj, të vihen mbrapa dhe të shoqërojnë, gjate gjithë Pjacës Pedonale të qytetit të Shkodrës, si hije të ëmbla.

“Por ti je vyshke e, më s’ke erë

Lulet e tua, për mua s’kanë më vlerë,

Nuk je ti, lulja e bukur e ditës së majit

Por je lulja, e këngës sime të vajit…”!

Kur e dëgjon, ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e, më të akulltës zemër, që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule e erë andshme, pothuajse në të gjitha trojet shqiptare, prej më se gjashtë dekadash dhe përsëri ka mbet këngë monumentale. Por erdhi një ditë, që Pjerini u lodh nga kjo shtypje e heshtur, që dalëngadalë po e sfiliste dhe po i merrte shpirtin. Ishin vitet e diktaturës dhe në dhjetëra mbledhje të Komitetit Ekzekutiv, për artin, i shkaktonin fyerje gjer në dhimbje shpirtërore, duke e etiketuar si sentimentalist e pesimist në muzikën e tij.

Në një rast, proverbial, kompozitori iu është përgjigjur me fjalët lapidare, duke cituar vargjet e këngës “Miri i vogël”, që ja kishin transformuar, e cila thoshte se; “një pushkë e një kazëm, i shtohen atdheut”, këtu kompozitori u ngrit në këmbë, duke u rebeluar, e u tha me ironi: “Apo doni këngë vetëm me pushkë e mitraloz…”?! I u duk sikur, shfreu tërë brengen që i ishte grumbulluar në shpirt.

Kompozitori Pjerin Ashiku, kurrë nuk pati asnjë sadisfaksion moral apo trajtim ekonomik. Gjithë jetën u la në harresë e me rrogë të vogël, sa për të mbajtur frymën gjallë. Megjithëse ishte kompozitor, instrumentist, kantautor, e humorist, që i këndoi tërë jetën, me shumë dashuri Shkodrës dhe njerëzve të saj, ishte njeri i dashur dhe me shpirt poli dimensional, ai u la në internim virtual, në mes që qytetit. Me 21 shtator 1995, Pjerin Ashiku, mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja, me djalin e vajzën, kanë emigruar në SHBA-së. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto vargje, në një gazetë lokale:

“Syt me lot, mbushen prej vajit,

Vajtojn’ Zanat e Veleçikut,

Kur kujton “Lulen e Majit”’,

 Kangen perl’ t’Pjerin Ashikut,

 Muzikant e humorist,

 Që e deshti Shkodra mbarë,

 Si piktor e si artist,

 Shpirt e zemer qytetar”!

 Pjerin Ashiku, ka vite që ka ndërruar jetë, duke marrë me vete brengat dhe hidhërimet, që i shkaktoi jeta nen diktaturë. “Zanat e Velçikut”, ka vite që vajtojnë mbi murana. Mbi varrin e tij atje në Rmaj, harliset selvia dhe çelin drandofillet. Era u përkëdhelë gjethet, dhe së bashku me erën, akoma dhe sot, vijnë ato tinguj e famoz të “Lules së Majit”, ose nëse mund ta quajmë: “Tangos së Bunës”…! U prehsh në paqe o Pjerin…! Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elbasanasi: 10/05/2023 22:13

    Respekt pa fund per artistin e madh shkodran. Respekt edhe per autorin e këtij shkrimi. Bravo

    Përgjigju
  • demo: 09/05/2023 20:43

    Po nuk kane turp keto hajdute te artit,qofte ermira kokelopa,qofte ay korcari tjeter,qe vjedhin keto perla?

    Përgjigju
  • B N: 09/05/2023 18:15

    Pa shumë fjalë dhimbje e vetem dhimbje për vdekjen e këtij mjeshtri të madh të muzikës e këngës Shqipëtare.

    Përgjigju
  • Hajri: 09/05/2023 11:32

    Na keni ftu me ba koment për për nji perlë (krijim muzikor) që asht i papërsëritshëm.Mallkue qofshin gjithë ata që deshën me e fsheh kte mrekulli shpirtërore t'krijume prej ktij talenti virtuoz,e që asht ma e amël se valsi i Danubit për NE shqiptarët.I lumtë Kabil Bushatit për kte përmendore fjalësh të mrekullueshme.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës