Në Gjeorgji sërish protesta kundër 'projektligjit për agjentët e huaj'

Në Gjeorgji sërish protesta kundër 'projektligjit për agjentët e huaj'

Flamuri gjeorgjian në protestë

Mijëra njerëz dolën përsëri në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian, Tbilisi, për të protestuar kundër planeve të partisë në pushtet për të kaluar një projektligj për të cilin kritikët vendas, si dhe vendet perëndimore, kanë thënë se do të përdoret për të shtypur zërat e pavarur në vendin e Kaukazit Jugor.

Aksioni i 28 prillit ishte vazhdim i tubimeve që u mbajtën për dy javë, të udhëhequra nga partitë e opozitës dhe grupet aktiviste kundër avancimit të atij që po quhet projektligj për "agjentët e huaj". Sipas kritikëve, projektligji pasqyron atë që përdoret nga Kremlini për të heshtur kritikët në Rusi.

Rreth 10.000 njerëz u mblodhën në Sheshin e Republikës në qendër të Tbilisit gjatë natës së 28 prillit, duke kënduar himnin e Gjeorgjisë dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe duke mbajtur pankarta të BE-së.

Sipas raportimeve, disa protestues kishin thyer linjat e sigurisë pranë ndërtesës së parlamentit, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës dhe sprej, për të shpërndarë turmat.

Dëshmitarët thanë se policia po lëvizte me pajisje më të rënda rreth vendeve të protestës në Sheshin e Republikës dhe pranë parlamentit.

Një grup dypartiak prej 14 senatorëve amerikanë e kanë paralajmëruar në një letër kryeministrin e Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, se synimi i vendit të tij për ta risjellë një “ligj për agjentët e huaj të stilit rus” mund të shkaktojë ndryshime në politikën amerikane karshi Tbilisit.

Në letër, të dërguar më 26 prill dhe të cilën e siguroi Zëri i Amerikës, senatorët thanë se janë “tejet të shqetësuar që po minohen synimet transatlantike të Gjeorgjisë”.

Kjo letër u dërgua pak pasi Komiteti amerikan i Helsinkit i bëri thirrje partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ta tërheqë projektligjin për “agjentët e huaj” dhe i kërkoi Tbilisit të “largohet nga kjo rrugë e dëmshme”.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, prezantoi legjislacionin në vitin 2023 por u detyrua ta tërhiqte atë pas protestave masive. Grupi parlamentar i partisë e riktheu ligjin me ndryshime të vogla formulimi dhe kaloi lexim të parë, më 17 prill.

Leximi përfundimtar i projektligjit është planifikuar të debatohet më 17 maj.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili i tha BBC-së se do të vendosë veton ndaj tij nëse miratohet në leximin përfundimtar.

Zurabishvili tha se shqetësimi i saj kryesor është fakti se projektligji është "pikërisht një kopje e ligjit të [presidentit rus Vladimir] Putin."

Megjithatë, Zurabishvili tha se partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ka mjaft ligjvënës për ta anashkaluar atë nëse ajo përdor veton e saj.

Mamuka Mdinaradze, kryetar i grupit parlamentar të Ëndrrës Gjeorgjiane, tha këtë muaj se partia e ka ndër mend ta risjellë këtë projektligj, i cili do t’i detyronte organizatat jofitimprurëse dhe mediat, të cilat financohen nga jashtë dhe të cilat janë të angazhuara në aktivitete “politike”, të raportojnë për aktivitetet e tyre para autoriteteve.

Projektligji parasheh gjithashtu që autoritetet të kenë kompetenca të mëdha mbikëqyrëse, si dhe dënime të mundshme për vepra të paspecifikuara penale./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

Mungesa e rinovimit, kapiteni largohet nga Tirana

Mungesa e rinovimit, kapiteni largohet nga Tirana