Superliga shqiptare e këtij sezoni në futboll do ketë sërish një skemë të re për të shpallur fituesin. Ndryshe nga sa ishte njoftuar dhe miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në datën 18 korrik 2023, ku pas përfundimit të 36 javëve kampionat, katër skuadrat e renditura në katër vendet e para, do përballeshin mes tyre dhe pas tre ndeshjeve fitues i edicionit do shpallej ai ekip që kishte më shumë pikë të grumbulluara, në FSHF kanë bërë një tjetër lëvizje pa njoftim.
Skema e miratuar nga KE i FSHF-së në korrik
Në rregulloren e botuar për aktivitetitn, bie në sy se faza "Final 4" ka ndryshuar. Tanimë, pas javës së 36-të katër skuadrat e renditura në katër vendet e para, do përballen mes tyre sipas një shorti, që do thotë faza gjysmëfinale.
Në vazon e parë do jenë ekipet e renditura në vendin 1 dhe 2, teksa në vazon e dytë do jenë ekipet e renditura në vendet 3 dhe 4. Pas shortit të lirë, në përballjet mes tyre do ketë një avantazh për ekipet që gjatë 36 javëve janë renditur më sipër, pasi edhe me një barazim gjatë 90 minutave, ekipi do kalojë në finale.
"Final 4" do zhvillohet në "Air Albania" dhe finalja do jetë një përballje që mund të shkojë edhe me penallti pas shtesës, nëse nuk ka fitues. Veç finales për të përcaktuar titullin kampion, edhe skudarat që humbën në gjysmëfinale do kenë një përballje mes tyre, kjo për të përcaktuar vendin e tretë që do shkojë në turin e parë në Conference League.
Ndryshe nga formati i miratuar në mesin e korrikut nga FSHF-ja, kjo pas dakordësisë me klubet, duket se gjithçka ka ndryshuar pa një njoftim apo konsultim publik me 10 klubet pjesëmarrëse në garë. Në FSHF kanë edhe gurin edhe arrën, teksa për këtë ndryshim nuk ka pasur asnjë njoftim për mediet dhe tifozët.
Skema e re e botuar në Rregulloren e Kampionatit në web e FSHF-së
Në rregullore FSHF ka përcaktuar edhe shpërblimet për fituesit. E veçanta është se shpërblimet do të jepen për 4 vendet e para pas 36 javësh. Vendi i parë merr 10 mln lekë të reja, vendi i dytë 7 mln, i treti 5 dhe i renditur në vendin e 4 do të marrë 2 mln lekë të reja. Ndërsa për ekipin kampion pas ‘Final 4’ jepen kupa, 30 medalje dhe 10 mln lekë të reja.