Juventusi po punon në mënyrë aktive për të forcuar sulmin për sezonin e ardhshëm dhe po lidhet me një lëvizje për një tjetër sulmues. Drejtori sportiv i klubit, Cristiano Giuntoli është duke parë mundësi të shumta mes të cilëve është shfaqur edhe emri i sulmuesit kuqezi, Armando Broja.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Nicolas Gonzalez i Fiorentinas është shfaqur si objektivi kryesor i Juventusit. Klubi ka nisur kontaktet me 'violat' dhe është i vetëdijshëm për interesin e lojtarit për një lëvizje të mundshme.
Profili i Gonzalez po vlerësohet nga afër krahas objektivave të tjerë të vjetër si Galeno nga Porto dhe Karim Adeyemi nga Borussia Dortmund. Por, pista e mundëshme është edhe ajo e Brojës.
Sipas medias në fjalë bëhet me dije se Giuntoli ka kontaktuar drejtuesit e Chelseat për t’u konfirmuar vullnetin e Juventusit për të marrë sulmuesin shqiptar në huazim me të drejtë blerjeje verën e ardhshme, opsion ky që nuk preferohet fort nga londinezët, që duan ta shesin njëherë e mirë Brojën.
Gjithsesi, deri tani për sulmuesin shqiptar nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete që të kënaqë pretendimet e Chelseat, ndaj nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme londinezët të pranojnë opsionin e huazimit të tij te Juventusi.
Nga ana tjetër, duket se trajneri Thiago Motta ka dhënë miratimin e tij për Brojën, të cilin e sheh si të duhurin jo vetëm për të zëvendësuar Vlahovic, por edhe për të luajtur bashkë me serbin në rast të një skeme me dy sulmues.