Ish-luftëtari i UÇK-së Agim Pllashniku është në këmbë nga Prishtina për në Tiranë, ku do të marrë pjesë edhe në protestën e organizuar për UÇK-në.

I ftuar në ‘Studio Live’ me Ermal Qorin, Pllashaniku tha se ndodhet për momentin në Rrëshen. Ndërsa më tej ai bëri thirrje që nesër pret një protëstë të madhe në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Ish-luftëtari tha se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Jam në Rrëshen, për pak përfundoj në autostradë. Besoj se nesër arrij me kohë tek shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari. Nesër besoj se do të jetë një protestë në masë të madhe, për të iu çuar një mesazh atyre djemve, që janë çlirimtarë dhe nuk janë kriminelë por mbahet padrejtësisht me akuza të Beogradit në Gjykatën Speciale. E drejta e tyre është shkelur dhe ata djem duhet të lirohen sa më shpejt se janë të pafajshëm.

Ne e kemi bërë luftën në Kosovë, nuk kemi shkuar në Beograd, i cili na ka ardhur dhe na ka masakruar, dhunuar e të gjitha i ka bërë. Ata duhet të shkojnë në Hagë, djemtë tanë duhet të lirohen dhe kam besim se do të shpallen të pafajshëm”, tha ai.

Ndërsa më tej ai ftoi shqiptarët që të marrin pjesë në protestë me familjet e tyre.

“Unë personalisht i bëj thirrje krejt shqiptarëve që së bashku me familjet e tyre, të marrin pjesë masivisht në protestë. Se unë sot rrugës, kam parë shumë njerëz të Kosovës dhe Maqedonisë që janë duke ardhur dhe mendoj se do të jetë protestë masive”, tha ai.