Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e Shkëlzen Kastratit dhe babait të tij.

Sipas njoftimit Shkëlzen Kastrati është në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për trafik droge.

Mes pasurive të sekuestruara përfshihen tre apartamente, një biznes në zonën bregetare të Durrësit dhe një garazh.

Njoftimi i plotë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit Sh.K., i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale ‘Trafikim të narkotikëve’ në Gjermani nga viti 2022 dhe babait të tij, I.K., pasi nuk justifikohen nga të ardhura apo fitimeve nga veprimtari të ligjshme.

Nga hetimet në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Eekonomik, në Drejtorinë e Policisë Tiranë, mbi procedimin pasuror nr.01, regjistruar më 18.02.2026 dhe pas një analize të specializuar financiare, rezultoi se ky shtetas dhe personi i lidhur me të nuk kanë mundësi financiare për të siguruar pasuritë e regjistruara.

Në këto rrethana, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vlerësoi se duhet që të procedohet me vendosjen e masave kufizuese ndaj pasurive të paluajtshme që kanë rezultuar deri në këtë moment të hetimit, pasi dyshohet se janë fituar si rezultat i përfshirjes së shtetasit Sh.K. në aktivitetin e prodhim dhe shitje narkotikësh. Prokuroria kërkoi dhe gjykata vendosi sekuestrimin e pasurive të Sh.K. dhe personit të lidhur me të, babait të tij, I.K., si më poshtë:

1- Pasuria e paluajtshme njësia nr.16, në Zonën Kadastrale 8518, Plazh Durrës, me sipërfaqe 191.00 metra katrorë, e përfituar nga shtetasi I.K;

2 – Pasuria e përfituar me kontratën për kalim të drejtash datë 31.08.2017, me perfitues shtetasin Sh.K.;

a). apartament nr.36, tipi 1+1, sipërfaqe neto 56.69 m², me sipërfaqe të përbashkët 8.44 m², dhe sipërfaqe totale 65.13 m² seksioni nr.3, kati i tretë banimi, (i katërt mbi tokë) i përbërë nga një dhomë e një kuzhinë dhe ambjente të tjera përdorimi të përbashkët;

b) Pasuria apartamenti nr.39, tipi 1+1, sipërfaqe neto 56.69 m² me sipërfaqe të përbashkët 8.44 m², dhe sipërfaqe totale 65.13 m² seksioni nr.3, kati i katërt banimi, (i pesti mbi tokë) i përbërë nga një dhomë e një kuzhinë dhe ambjente të tjera përdorimi të përbashkët;

c) Pasuria garazh me nr.28; si dhe

3- Pasuria e përfituar nga shtetasi Sh.K, me anë të kontratës së porosisë me nr.1265, apartament me sipërfaqe ndërtimi në total 104.8m², ambiente të përbashkëta 10.5m², në rrugën "Don Bosko" Tiranë.