Me historinë e sotme jemi zhvendosur në shtetin norvegjez. Në kërkim të Kristo Dajkos i cili u nis në fillim të muajit prill të vitit 2015 sëbashku me djalin e tij. Sipas familjarëve, 46-vjeçari kishte përgatitur dokumentet me qëllim për të përfituar azil në Norvegji. Pasi i refuzohet e drejta në këtë vend, babai me djalin nisen drejt Suedisë, ku qëndrojnë për pak ditë dhe më pas Kristo e lë te birin në një kamp atje dhe vetë udhëton për në Itali. Gjatë qëndrimit në Itali, ai u kërkoi familjareve një shumë parash, që të paguante biletën për t’u rikthyer më pas në Shqipëri.
Familjarët deklarojnë se në dijeninë e tyre Kristo nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd. Kristo Dajko i zhdukur pa gjurmë ka lënë në pritje bashkëshorten me tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, ky i fundit pati probleme të shumta depresive, pasi u kthye nga Suedia. Kristo Dajko, ka emigruar herët prej shumë vitesh edhe në shtetin fqinj, Greqi. Familja vijon të bëjë apel për ndihmë nga studio e emisionit ’’Pa gjurmë’’në kërkim të 46-vjeçarit, i cili mund të ketë një vendndodhje ndoshta në shtetin gjerman pasi kishte shfaqur dëshirën më herët për këtë shtet.
Telefonatën e fundit me familjen e ka realizuar me gruan në 22 prill të 2015 nga Bari i Italisë ku i tha se do të vinte për në Shqipëri. Gruaja, Irena Dajko e ftuar në emisionin 'Pa Gjurmë' rrëfeu bisedat e fundit me burrin, ndërsa në fund ka edhe një mesazh. "I dërguam lekë, mori lekët. Burri ndodhej në Bari. I dërgova, tre herë lekë, dy herë nga 150 dhe herën e tretë 200 euro. Më tha lekët më duhen për të ngrënë bukë dhe për të fjetur. Ai u nis me djalin në Norvegji, kërkuan azil, por nuk i mbajtën, pastaj shkuan në Suedi. Gjeti një polic, la djalin 14-vjeç në një kamp dhe iku.
Nuk e di si e bëri, si e la djalin të vetëm në një kamp. I dërgova lekë përmes njërit nga Pogradeci. Herë e kishte mendjen për në Shqipëri dhe herë për te djali. Në Itali humbi kontaktet. Pasaportë nuk kishte, pasi i la në Norvegji. Unë bëja ofertë dhe e merrja nga Shqipëria. Mori në telefon dhe tha dua lekë për të prerë biletën për të ardhur, por nuk mori më. Lekët i mora, por ai nuk mori më. Djali qëndroi dy vite dhe erdhi në Shqipëri. Ndonjëherë them se mund të vijë, ndonjëherë kam frikë se mos e vranë, se nuk ka mundësi që të jetë dhe të mos marrë.
E ëma e pret, ruan në derë kur po vjen. Në fund më tha mos më dërgo më lekë në atë adresë se ai miku iku m'u fsheh. Them se mos i bëri ndonjë gjë ai....Më binte telefonin 3-4 herë, ai tha le ti bjerë se ti nuk i ke dhënë numrin. Thërrasin fëmijët babi, babi...do të vijë i them unë. Nëse na dëgjon, na ndjek, Kristo apo shqiptarë që e kanë parë u lutem të na lajmërojnë të na marrin në telefon, të më ndihmojnë. Nëse burri më ndjek, i them të marrë njëherë për fëmijët, që të heqin merakun" tha gruaja me lot në sy. Edhe fëmijët me lot në sy i kërkojnë që të rikthehet pranë tyre. 'Dua ti them që e dua shumë, mezi pres që të na kontaktoj. I them të vijë së shpejti, pasi po jetojmë në kushte shumë të vështira" thanë vajzat.