Po kalojme ditë të nxehta tipike verore. Disa pushojnë nëpër plazhe e disa të tjerë janë në punë. Temperaturat kanë kapur shifra deri në 39 gradë celsius dhe shëndeti është i rrezikuar në çdo moment.Qytetarët po hasin vështirësi gjatë lëvizjes në diell apo qëndrimit në ambiente të caktuara. Nisur nga kjo situatë,Instituti i Shëndetit Publik jep këshilla të rëndësishme për të gjithë qytetarët, në këto ditë të nxehta gushti.
ISHP i bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të evitojnë sa më shumë ekspozimin në diell, për të shmangur problemet shëndetësore, dushe të shpeshta, pirja e ujit dhe veshja me ngjyra të çelura.
Njoftimi i ISHP:
Në mënyrë që të shmangni efektet shëndetësore negative të temperaturave të larta këshillohet:
Të evitohet ekspozimi në diell, sidomos në pikun e temperaturave (nga ora 11:00 deri në 17:00).
Ambienti në të cilin jetojnë të jetë i freskët dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit.
Të vendosen perde të errëta sidomos në dritaret e ekspozuara ndaj rrezatimit diellor.
Të vendosen termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzojnë më shumë kohë.
Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë.
Të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm.
Të vishen me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje.
Për personat që përdorin medikamente, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës.
Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir.