PRISHTINË- Në Kosovë vazhdon edhe sot festa e mbrëmshme deri në mëngjes për shkëlqimin e Përfaqësueses shqiptare të futbollit në lojën Serbi-Shqipëri, në Beograd, e vlefshme për grupin I, të eliminatoreve të Europianit "France 2016". Nxënësit e shkollave në Prishtinë sot paradite kanë festuar duke festuar e  kënduar në sheshet kryesore të kryeqytetit të Kosovës.
Zhvillimt e ndeshjes në stadiumin e kryeqytetit serb janë ndjekur me shumë interesim, emocione e entusiazëm kudo në Kosovë, me valëvitje të flamujve kuqezi edhe në sheshe qytetesh përplot qytetarë, që nga kryeqyteti Prishtina, edhe nëpër lokale-klube e familje-shtëpia, para ekraneve në transmetimet e drejtëpërdrejata.
Në të dy anët e urës së lumit që ndanë qytetin e Mitrovicës, ishin shumicë shqiptare në jug dhe shumicë serbe në veri, ndërsa mes tyre të gjitha masat e sigurisë të autoriteve kosovare e ndërkombëtare.
Televizioni i Kosovës, si edhe Televizioni i Shqipërisë, bëri transmetimin e drejtëpërdrejtë të lojës, përballjes futbollistike Serbi-Shqipëri.
Shtypi i sotëm i Kosovës ka raportuar gjerësisht me vlerësimet më të larta për lojtarët e kombëtares shqiptare, duke theksuar në kryetituj edhe se ata ishin "kryelartë në Beograd" dhe se "tensionet ndërpresin ndeshjen historike Serbi-Shqipëri".
"Ndeshja e shumëpritur Serbi-Shqipëri u ndërpre në minutën e 42-të, pranë rezultatit 0:0, kur shqiptarët kishin marrë lojën nën kontroll. Një flamur kuqezi, që përmes një drone automatike befas u shfaq mbi stadium, nxiti reagime antishqiptare nga tifozët serbë dhe tensionoi situatën mes lojtarëve. Hyrja e tifozëve në fushë dhe sulmi që ata u bënë lojtarëve shqiptarë, ishin arsyeja përfundimtare për ndërprerjen e lojës. UEFA do të vendosë më tej, ndërkohë në Tiranë e Prishtinë u festua gjithë natën", thekson shtypi në Prishtinë.Ndeshjen në Beograd, serbë kosovarë e kanë shikuar edhe në Televizionin e Serbisë, ndërkohë që mediat serbe kanë theksuar se "skuadra e Shqipërisë ka edhe tetë futbollistë shqiptarë nga Kosova"./ATSh/